Vendimi për Tahirin, dy raporte në Kuvend, Vishaj: Prokuroria institucion politik

690
Sot në mesditë mazhoranca dhe opozita do të depozitojnë në Kuvend raportet përkatëse, lidhur me qëndrimin në Këshillin e Imuniteteve për Saimir Tahirin
Prokurorët e Krimeve të Rënda për dy ditë rresht u gjendën përballë sulmit të deputetëve të majtë, të cilët përdorën çdo formë jo të ligjshme për të mbrojtur kolegun e tyre, akuzuar për trafik droge dhe korrupsion pasiv. Kërkesa e prokurorëve ishte e qartë. Në bazë të nenit 288 të Kodit Penal të ndryshuar para zgjedhjeve të këtij viti, prokurorët nuk mund të kryejnë asnjë kontroll apo veprime të tjera procedurale në rast se nuk lëshohet autorizimi i Kuvendit për heqjen imunitetit të deputetit që akuzohet dhe për të cilin kërkohet të caktohet masa e arrestit me burg apo ajo e shtëpisë. Të nisur nga pika 1 e nenit 288 prokurorët e krimeve të rënda dorëzuan në Kuvend relacionin shoqëruar me provat. Por për deputetët e majtë provat nuk ishin të mjaftueshme. Madje ata nuk morën në konsideratë asgjë nga çfarë u tha prej prokurorëve edh enë seancat me dyer të mbyllura. Të majtët shkuan edhe më tej. Ata nxorën dëshminë e dhënë nga një oficere e policisë Vlorë e cila kishte dëshmuar nën mbrojtje për prokurorët lidhur me aktivitetin e vëllezërve Habilaj. Pavarësisht kundërshtimeve të deputetëve të opozitës atyre të PD-së dhe LSI-së, këshilli nuk doli me një qëndrim të vetëm. Në përfundim të mbledhjes, Këshilli doli me dy qëndrime, të cilat do të hidhen në dy raporte. Sot në orën 14:00 raportet do të depozitohen në Kuvend. Ato do të jenë pjesë e seancës parlamentare të ditës së mërkurë e cila do të mbahet pikërisht për këtë qëllim. Në këtë seancë do t’i jepet fjala personit nën hetim Saimir Tahiri të flasë rreth akuzave të ngritura dhe të bëjë mbrojtjen e tij para kolegëve. Tashmë dihet qartë se cili do të jetë qëndrimi i parlamentit. Megjithatë ajo se çfarë pritet pas së mërkurës është çështja që tashmë merr më shumë vëmendje. Prokurorët në bazë të ligjit, në rast se Parlamenti nuk miraton kërkesën e tyre për heqjen e imunitetit kanë të drejtën të vendosin një masë tjetër arresti dhe të vazhdojnë procedimin e tij. Ata do të duhet t’i drejtohen gjykatës dhe të kërkojnë prej saj lejen. Ndërkohë që qëllimi kryesor i akuzës është të kenë Tahirin në arrest burgu apo shtëpi duke mos i dhënë të drejtë lirie, për shkak të çështjes tepër delikate. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me vëllezërit Habilaj për trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë. Edhe juristët nuk kanë qenë dakord me punë e bërë nga organi i akuzës. Sipas avokatit Saimir Vishaj, prokuroria duhet të kryej detyrat mirë, të paraqesë prova dhe më pas të arrestojë deputetët, po kështu dhe persona të tjerë. “Këtu nuk ka rëndësi masa e sigurimit se dyshimet bazuar në prova. Prokuroria është kthyer në një institucion politik ekstra procedural”, u shpreh Vishaj.
Sigal