Vendimi për pensionet e ushtarakëve, ja cilat kategori do të kthejnë paratë dhe kush përfiton

653
Ish-ushtarakët, ndodhen në një situatë, aspak të mirë për sa i përket marrëdhënieve të tyre me drejtësinë dhe përpjekjeve për të përfituar financiarisht sipas ligjit
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 17 nëntor, i cili nuk legjitimonte shoqatat e ushtarakëve për të kërkuar shfuqizimin e vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë të vitit 2016, ka sjellë reagime të shumta. Shoqatat e ish-ushtarakëve, e kanë konsideruar të padrejtë dhe për këtë janë mbledhur dhe kanë rënë dakord për ta dërguar çështjen deri në Strasburg. Por, nga ana tjetër, këta ushtarakë shprehen edhe për pasojat e këtij vendimi. Sipas tyre, personi që ka humbur betejën në Gjykatën e Lartë, pas shpalljes së vendimit unifikues, ka të drejtën të vazhdojë këtë betejë. Kadri Muka, ish-ushtarak, i cili ka ndjekur me vëmendje të gjithë ecurinë e proceseve dhe mënyrën se si janë shpërblyer kjo kategori, jep me detaje të mirat dhe të këqijat që vijnë nga vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë. Ndërkohë Presidenti i Nderit i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Zyhdi Kroi, e konsideron vendimin, shkelje të të drejtave të njeriut. 
Kadri Muka: Ish-ushtarak
Mënyra se si është marrë pagesa është e ndryshme për kategori të ndryshme. Ish-ushtarakët do të duhet të kthejnë të gjithë shumën që ata kanë marrë përmes gjykatave, sepse gjykatat i kanë njohur të drejtën në masën 50 plus 2% të pagës referuese të çastit kur u ka lindur e drejta. Një palë tjetër është e kufizuar nga 3-6 rroga mujore. Pra që do të thotë, tre paga nga kapiten e poshtë, katër major nënkolonel, pesë kolonel, gjashtë gjeneral. Kësaj kategorie Sigurimet Shoqërore i kanë dhënë pa përjashtim sa një pension maksimal pleqërie në shkallë vendi, sepse nuk e kanë zbatuar ligjin. Bëhet fjalë për vendimet gjyqësore nga 30.06.2009 e këtej. 

Pagesat janë të ndryshme, i kanë marrë me vendim gjykate. Diferenca midis masës së dhënë sipas vendimit gjyqësor dhe masës që u kanë dhënë sigurimet shoqërore, do të duhet të kthehet. Pra kjo diferencë që ata e kanë marrë për shkak të zbatimit të vendimeve gjyqësore, do të detyrohen ta kthejnë të gjithë. Shuma mund të shkojë nga 1.5 deri në 30 milion, sipas vendimeve të gjykatave, sipas vjetërsisë dhe sipas pagës që kanë pasur. Ata që do ta kthejnë këtë, janë kategoria që janë në proces gjykimi dhe rigjykimi, por që janë për objektin e padisë fillestare.

Këtu nuk përfshihen ata, që Gjykata e Lartë, ka rrëzuar rekurset e sigurimeve shoqërore dhe ka lënë në fuqi vendimet e gjykatave të tjera sipas rastit. 
Edhe kategoria që Sigurimet Shoqërore kanë bërë padi, lidhur me veprimet përmbarimore dhe Gjykata e Lartë e ka mbyllur çështjen, nuk do t’i kthejnë. 
Çdo gjë që e ka mbyllur Gjykata e Lartë, nuk mund të rigjykohet më. Kjo është thelbi i gjithë asaj që mbetet. Sigurimet nuk e japin shifrën gjykatat po ashtu. Pra nga data 01.07.2009, e në vazhdim të gjithë do marrin 1.5% të asaj që quhet pagë mesatare neto referuese. Për shembull një person që ka 12 vjet eksperiencë i takon të marrë vetëm 18 % të pagës neto. Vetëm kjo kategori nuk preket nga Vendimi i Gjykatës së Lartë. 
Zyhdi Kroi; Ish-ushtarak
E lexova vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nga fillimi deri në fund kjo gjykatë, është në shkelje të të drejtave të njeriut. Argumenti që shoqatat nuk legjitimohen, është i gabuar. Bie ndesh me ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka një dispozitë, ku përcaktohet se kur vendime të caktuara prekin interesat e personave juridik, atëherë këto subjekte juridike, kanë të drejtë që të atakojnë këto vendime në Gjykatën Kushtetuese. 

Por sa persona preken nga e gjithë kjo?
Unë them se preken 1400-2000 persona që kanë fituar gjyqin, apo janë në proces gjyqësor. Vendimet e formës së prerë nuk preken nga Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë. Nuk preken ata që kanë marrë paratë nga 1 korriku i vitit 1999 deri në 1 korrik 2009. Ndërkohë që preken të gjithë ata që janë në proces që nga vitit 2009 e në vazhdim. Sipas gjykimit tonë, të gjithë ushtarakët që preken, do të duhet të kthejnë rreth 60 mijë lekë të vjetra në muaj. Problemet më të mëdha i kanë ata që janë ende në proces. 

Ne si shoqatë u mblodhëm dhe diskutuam rreth vendimit. E analizuam duke marrë edhe mendimet e juristëve. Ngritëm një grup pune të posaçme për këtë qëllim. Kemi rënë dakord që në bashkëpunim edhe me shoqatën tjetër SHKUSH, të dërgojmë çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Nuk mund të lejojmë që të drejtat tona të nëpërkëmben. Ky është një problem që mund të sjellë pasoja të mëdha ekonomike tek kategoria e ushtarakëve. 
Sigal