Vendimi i qeverisë: Vdisni të qetë, u siguruan varret!

437
Sigal

Këshilli i Ministrave/Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 19 mars 2014

Në Shqipëri jemi mësuar tashmë që pasojat e mosmarrëveshjeve mes qeverisë dhe pushtetit lokal t’i vuajnë qytetarët por rasti i fundit i çështjes së varrezave në Tiranë ka shkuar edhe më tej, duke cenuar edhe të “ardhmen” e të vdekurve. Mungesa e tokës për zgjerimin e varrezave publike në Tiranë, Sharra dhe Tufina, si dhe mos shpronësimi i pronarëve, bëri që për ditë me radhë të mos kishte asnjë vend të lirë për të vendosur personat që ndërronin jetë.

Dje Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpronësimin e banorëve të cilët preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike Sharrë dhe Tufinë. Fondi për kompensimin e pronarëve do të përballohet nga buxheti i miratuar nga Bashkia e Tiranës. Miratimi i këtij projektvendimi mundëson zgjidhjen njëherë e mirë e situatës dhe për të zhbllokuar ngërçin e krijuar nga Bashkia e Tiranës, mundëson likuidimin e pronarëve si dhe mundëson realizimin e investimit të kërkuar në të dy varrezat.

Vendimi

Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe e IV, në bashkinë e Tiranës.

 2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Tiranës.

 3. Për rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike pronarët kompensohen sipas vlerave të përcaktuara, në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, si më poshtë vijon:

 a) Sharrë, faza IV, për sipërfaqen 10 604 (dhjetë mijë e gjashtëqind e katër) m² truall, 4 851 798 (katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë.

 b) Tufinë, faza III, për sipërfaqen 5 729 (pesë mijë e shtatëqind e njëzet e nëntë) m², truall, 2 236 416 (dy milionë e dyqind e tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.

 c) Tufinë, faza IV, për sipërfaqen 15 688 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë) m², truall, 5 187 840 (pesë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e dyzet) lekë.

 Vlerat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, të përballohen nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës, miratuar në buxhetin e vitit 2014.

 4. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Tiranës.

 5. Afati i përfundimit të projektit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.

 6. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 10 604 m², truall, Sharrë, faza IV, 5 729 m², truall, Tufinë, faza III, si dhe 15 688 m², truall, Tufinë, faza IV, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit “Rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe IV”, në bashkinë e Tiranës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

  Fëmijët e të rënëve në detyrë, pa procedurë në shkollën e policisë

 Fëmijët e policëve të rënë në detyrë do të pranohen në Akademinë e Rendit pa kaluar në procedurat standarde për tu bërë pjesë e shkollës së Policisë. Kështu Qeveria Shqiptare miratoi dje, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme pranimin e fëmijëve të policëve të rënë në detyrë pa kaluar procedurat normale. “Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Në nenin 26, të rregullores së personelit të Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.804, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7, me këtë përmbajtje: “6. Ministri i Punëve të Brendshme, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pranon në polici aplikantë nga radhët e fëmijëve të punonjësve të policisë, të cilët kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.

7. Aplikanti pranohet në polici pasi të ketë plotësuar kriteret e parashikuara në nenin 6, të ketë paraqitur dokumentacionin e përcaktuar në nenin 7 dhe t’i jetë nënshtruar procedurës së testimit sipas shkronjave “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, të nenit 13, të kësaj rregulloreje.” Thuhet në vendimin e qeverisë.

 Rama jep “OK” për 50 mijë eurot për maternitetin e Kosovës

 Pas deklaratave të politikanëve në Preshevë për mosmbajtje të premtimit për dhurimin e fondit 100 mijë euro nga qeveria shqiptare dhe ajo kosovare, ka ardhur edhe vendimi i qeverisë “Rama” për lëvrimin e kësaj shume. “Këshilli i Ministrave vendosi:1. Dhënien e një ndihme financiare, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) euro, komunës së Preshevës për t’u përdorur për maternitetin e kësaj komune. Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës dhe të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, në programin “Shërbimi i kujdesit dytësor”, thuhet në vendimin e marrë dje nga qeveria. Sipas VKM-së, ky fond do t’i rimbursohet, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në çastin e bërjes efektiv të tij, buxhetit të miratuar për vitin 2014, për Ministrinë e Shëndetësisë.

 Hiqet tatimi i dyfishtë me Kosovën

Qeveria e Shqipërisë miratoi dje marrëveshjen për heqjen e tatimit të dyfishtë me Kosovën. Tatimi është hequr për të ardhurat mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal me Kosovën. Marrëveshja nxit bashkëpunimin dhe i shërben bizneseve në Shqipëri dhe Kosovë.