Vendimi i KKT, Rama takim në MB me Drejtorët e Policisë

44

TIRANË – Ministria e Brendshme organizon sot një takim me Drejtorët e Policisë së 12 qarqeve, lidhur me masat për ndalimin e ndërtimeve pa leje.
 
Prezent në këtë takim janë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si dhe krerë të institucioneve që trajtojnë çështje urbanistike dhe vendore. Ky takim vjen pak ditë pas vendimit të marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për pezullimin e dhënies së lejeve për ndërtim, për të gjithë vendorët, deri në paszgjedhjet e 2015. Vetë kryeministri Rama njoftoi vendimin ndërsa theksoi se edhe lejet e dhëna deri më tani do të verifikohen dhe shkelësit do të ndiqen penalisht. Gjithashtu Rama u shpreh pak ditë më parë se ky vendim do të ketë edhe përjashtime që kanë të bëjnë me lejet lidhur me turizmin, bujqësinë, blegtorinë, industrinë dhe vendeve të punës, por jo për ndërtimet. Vendimi i KKT, ka sjellë edhe reagime dhe kundërshti, veçanërisht nga ana e opozitës të cilët e cilësojnë vendimin në fjalë si shkelje kompetencash, ndërsa dje nënvizuan se do ta ankimojnë atë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërtimet pa leje, Tahiri:Pavarësisht kallëzimeve ndaj zyrtarëve nuk janë marrë masa
Për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj ndërtuesve pa leje nuk është marrë asnjë masë konrete duke mos bërë asnjë ditë burg pavarësisht punës së bërë nga ana e policisë për kallëzimin e tyre. Ndërsa ka treguar se në çdo cep të vendit ndërtohet pa leje ai shprehet se 1705 persona të shoqëruar nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Ata lihen të lirë dhe mund të gjobiten. Ndërsa ja bërë me dije se deri tani janë ndjekur penalisht 22 përgjegjëstë ndërtimeve pa leje. “Nuk ka km të Republikës ku nuk ndërtohet pa leje. Kodi penal ka parashikuar qartë veprat penale. Ndërtimi pa leje në tokë private është vepër penale, ndërsa në pronë publike është edhe më e rëndë. Është për këtë arsye që policia do të ndjekë me vëmendje ndërtimet pa leje. Çdo tullë pa leje në zonën tuaj është përgjegjësi e juaja për ta nxjerrë autorin para drejtësisë. Nuk duhet lejuar kurrsesi që ndërtimet pa leje të kthehen në mish të ndonjë Prokurori. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur deri më tani. Përsëri 1705 persona nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Ata lihen të lirë dhe mund të gjobiten me ndonjë gjobë. Kjo statistikë nuk është kurrë mjaftueshëm që policia të mos vazhdojë të bëjë detyrën me përpikmëri dhe më me vendosmëri. Kush lejon ndërtime pa leje ka shkelur detyrën dhe duhet të mbajë përgjegjësi penale. Deri më tani janë ndjekur penalisht 22 përgjegjës të ndërtimeve pa leje. Kjo është shumë pak. Nga ana tjetër qytetarët që denoncojnë krimet kundër mjedisit, janë pasuria më e madhe se kanë vetëdijen dhe kurajon për ta denoncuar në polici. Qytetarët kanë partnerin më të madh policinë. Në një kohë të shkurtër do të krijojmë mundësinë denoncimin e këtyre e rasteve online.”- tha Tahiri.