Vendimi i gjyqtares së Elbasanit nuk legjitimon zgjedhjet e 30 qershorit

800
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: Certifikimi i mandatit të kryebashkiakut nga gjyqtari nuk e rrëzon dekretin e Presidentit

Jakup B. GJOÇA

Dje gjykata e Elbasanit ka konfirmuar mandatin e fituar nga kandidati i PS për Bashkinë e Elbasanit Gledjan Llatja, në votimet e 30 qershorit. Gjyqtarja Pajtime Fetahu ka konfirmuar mandatin e Llatjas, pas kërkesës së dorëzuar nga vetë Llatja në gjykatë, për vërtetimin e mandatit. Me këtë precedent që vendosi gjykata e Elbasanit, edhe gjykatat e tjera në vend duket se po shkojnë drejt njohjes së kryebashkiakëve të dalë nga votimet e 30 qershorit, pavarësisht dekretit të Presidentit Ilir Meta, që ka rrëzuar 30 qershorin si datë të ligjshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale.

Vendimi i gjyqtares

Në bazë të vendimit Nr.939 datë 04.7.2019 të KQZ-së, kërkuesi është shpallur fitues për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Elbasan. pranë KQZ, nuk është depozituar kërkesë ankimore ndaj vendimit Nr. 939. Në këto rrethana, meqenëse nuk ka pengesa ligjore dhe është në përputhje të plotë me nenin 45 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe kriteret e përcaktuara në dispozitat e Kodit Zgjedhor, gjykata çmon se duhet vërtetuar mandati i kërkuesit Gledian Llatja si Kryetar i Bashkisë Elbasan”,- arsyetohet në vendimin e gjyqtares Pajtime Fetahu.

Gazeta “Telegraf” iu drejtua Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-

-Prof. Kume, vendimi i gjyqtares së Elbasanit a ligjëson mandatet e kryebashkiakëve nga zgjedhjet që Presidenti i Republikës i ka shfuqizuar dhe dekreti është ende në fuqi?

-Në vlerësimin tim, një vendim i tillë i gjyqtares së Elbasanit, apo edhe i çdo gjykate tjetër në raste analoge, nuk ka të bëjë me problemin që është krijuar pas dekretit të Presidentit të Republikës që ka shfuqizuar datën e zgjedhjeve në 30 qershor. Vendimi i gjyqtares së Elbasanit ka të bëjë me certifikimin e mandatit të kryebashkiakut të dalë nga ato zgjedhje të 30 qershorit, por nuk atakon dot dekretit e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

– Vendimi i gjyqtares së shkallës së parë në Elbasan a mund të merret si pikë referimi për shfuqizimin e dekretit të Presidentit, derisa gjykata e certifikoi mandatin e kryebashkiakut?

Vendimi i gjyqtares nuk ka të bëjë me dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor. Gjyqtarja ndoqi një procedurë që parashikohet në Kodin Zgjedhor, që gjykata certifikon mandatin e kryebashkiakëve.

-Prof. Kume, po këtë mandat e certifikon KQZ-ja, sipas kompetencave ligjore që i jep Kodi Zgjedhor dhe nëse ka pretendime, i gjykon Kolegji Zgjedhor. Cila është logjika që gjykata të certifikojë mandatin e dhënë nga KQZ-ja?

– Kjo procedurë është e parashikuar në Kod Zgjedhor dhe unë nuk e kuptoj pse duhet të jetë, por derisa ligjbërësit e kanë bërë në ligj, jemi të detyruar ta zbatojmë.

– Gjyqtarja që është gjykatësja e ligjit, e di shumë mirë që dekreti i Presidentit të Republikës është në fuqi me në bazë të këtij ligji, zgjedhjet janë të shfuqizuara. Atëherë, si vendos gjyqtarja që të certifikojë mandate të fituara në zgjedhje të shfuqizuara nga Presidenti i Republikës?

– Varet si e lexon ligjin gjyqtarja! As Kolegji Zgjedhor nuk e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, por ai gjykoi vetëm ankesën e dy subjekteve: Vendimin e KQZ-së dhe animimin e një partie politike si subjekt elektoral. Tjetër vendimi i Kolegjit Zgjedhor, e tjetër gjë është arsyetimi që bëri Kolegji Zgjedhor. Arsyetimi që bëri Kolegji Zgjedhor kundër dekretit të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor nuk është vendim gjykues i Kolegjit Zgjedhor dhe nuk ka sesi të jetë, derisa nuk është pjesë e vendimit që dha Kolegji Zgjedhor. Por, e keqja është sepse arsyetimi që dha Kolegji Zgjedhor, e theksoj që nuk është pjesë e vendimit që mori Kolegji Zgjedhor, shfrytëzohet politikisht nga mazhoranca, për të thënë që Kolegji Zgjedhor, si gjykatë zgjedhore, e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës dhe legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit. Prandaj, dua të theksoj se as vendimi i gjykatës për certifikimin e mandateve të kryebashkiakëve nuk legjitimon 30 qershorin, derisa dekreti i Presidentit të Republikës është në fuqi. Vetëm Gjykata Kushtetuese e legjitimon apo e shfuqizon përfundimisht zgjedhjet e 30 qershorit.