Vendimi i Gjykatës së Lartë që rrëzoi vendimin e Gjykatës së Krimeve për lirimin e Xhakjas

993
Sigal

Gjykata e Lartë i hapi rrugë lirimit të Xhakjas. Arjana Fullani, relatore e çështjes

I dyshuari kryesor për ekzekutimin e Kryekomisarit të Policisë së Shijakut, Ilir Xhakja, ka fituar lirinë përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi atë të mëparshmin të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ndëshkonte Xhakajn me 21 vjet burg për vrasje me paramendim. Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka pasur relatore, Arjana Fullanin. Ai mban datën 14 tetor 2009 dhe ka prishur vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dhe të Shkallës së Parë, duke e çuar dosjen për rigjykim në Gjykatën e Faktit në Durrës, për kompetencë. Dy shkallët e gjyqësorit të krimeve të rënda kishin dënuar me plot 21 vite heqje lirie Ilir Xhakajn, për vrasjen e Qerim Malokut. Në relacionin e gjyqtares Arjana Fullani thuhet se, vendimi i Apelit të Krimeve të Rënda është marrë jashtë kompetencës së kësaj gjykate, pasi me ndryshimet e bëra në Kodin e procedurës Penale pak javë para se Prokuroria të dorëzonte çështjen në gjykatë, ia ka hequr të drejtën e gjykimit Krimeve të Rënda për rastin në fjalë. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë ligjore dhe disa qëndrime të Gjykatës Kushtetuese, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e bëri të pavlefshëm vendimin e Krimeve të Rënda me 21 vite heqje lirie për Xhakajn. Por, vendimi që i dha atij pafajësinë është ai i marrë në Shkallën e Parë të Gjykatës Durrës, nga gjykatësi Neritan Tabaku, i cili ende nuk është zbardhur, edhe pse është marrë që prej me shumë se një viti e shtatë muaj, ndonëse kanë kaluar të gjitha afatet e arsyeshme ligjore. Pra, Ilir Xhakja ka dalë në liri pa u zbardhur vendimi i lirisë dhe duke mos i dhënë mundësi Gjykatës së Apelit të rinisë çështjen. E gjitha kjo duket një veprim tërësisht i koordinuar mes Gjykatës së Shkallës së Parë dhe autorit. Fakti i moszbardhjes së vendimit që nga shkurti 2011 konfirmohet zyrtarisht edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. I kontaktuar në telefon nga Top- Channel për të saktësuar këto të dhëna, këshilltari për mediat, Plator Nesturi, deklaroi se, së fundmi çështja ndaj Ilir Xhakjes është gjykuar nga Gjykata e Durrësit dhe prokurori ka kërkuar 25 vjet burgim. Pas vendimit të gjykatës për pafajësinë e tij, shtoi zoti Nesturi, “Prokuroria e Durrësit ka bërë ankim për këtë vendim në datën 18 shkurt 2011, dhe ne jemi ende në pritje të veprimeve që do kryejë Gjykata e Apelit”. Për dijeni, sqaron këshilltari Nesturi, ankimi është bërë pa pasur një vendim të zbardhur për çështje të afateve, megjithëse vendimi nuk ishte zbardhur. Këtë vendim ende nuk e disponojmë, mbylli shpjegimin e tij për Top- Channel, këshilltari i Prokurorisë së Përgjithshme.

JA VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË QË RELATOI ADRIANA FULLANI

Nr.1391/633/60 i Regj. Themeltar

Nr.493 i Vendimit

Vendim  në emër të Republikës

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ardian Dvorani, Evjeni Sinoimeri, Irma Bala, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj, në datën 14.10.2009 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale, që i përket:

Të gjykuarit: Ilir Xhakja, i biri i Azemit, i vtl.1974, lindur dhe banues në Sukth, i dënuar.

Akuzuar:

Për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Baza Ligjore: Neni 78/1-25 dhe 278/2 i K.Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.15, datë 27.03.2006 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Xhakja për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim në dëm të viktimës Qerim Maloku, të parashikuar nga nenet 78-25 të K.Penal dhe dënimin e tij më 21 (njëzet e një) vjet burgim.

Pushimin e çështjes përsa i përket akuzës së “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Ilir Xhakja.

Vuajtja e këtij dënimi për të pandehurin Ilir Xhakja të kryhet në burg të sigurisë së lartë. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.46, datë 19.06.2006 ka vendosur:Lënien në fuqi të vendimit nr.15, datë 27.03.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Kundër vendimit nr.46, datë 19.06.2006 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, në mbështetje të nenit 432 të K.Pr.P., brenda afatit ligjor, ka ushtruar rekurs i gjykuari Ilir Xhakja, mbrojtësi i tij, duke kërkuar prishjen e vendimeve dhe pushimin e çështjes penale për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78-25 i Kodit Penal për këto shkaqe:

Të dy gjykatat kanë marrë një vendim në kundërshtim me provat e administruara në seancë gjyqësore dhe në zbatim të gabuar të ligjit penal, pasi në asnjërën nga aktet dhe provat e administruara nga gjykata nuk përmendet emri i Ilir Xhakës që të ketë qenë në vendngjarje dhe jo më të vërtetohet fajësia e tij, por gjykatat nisen thjesht nga akti i ekspertimit dhe ekspertimi balistik i gjurmës së gjetur në njërën nga fishekët model 56 që ndodhej brenda dy krehërve të bashkuar është e gishtit të madh të dorës së të pandehurit dhe arrijnë në konkluzionin se autori i vrasjes së viktimës Qerim Maloku është Ilir Xhakja.

– Rrethanë tjetër e pakontestueshme është vërtetimi i banimit i lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të popullsisë në qytetin e Memmingemit të Gjermanisë, vërtetim, i cili përmban dhe vulën e Ambasadës Shqiptare në Berlin me nr.330, datë 13.03.2003, që tregon qarte se në kohen e ndodhjes së vrasjes së shtetasit Qerim Maloku, Ilir Xhakja ka qenë në Gjermani, me mijëra km larg, për më tepër që organi i akuzës pretendoi se mbrojtja nuk kishte sjellë asnjë prove që të vërtetonte se i pandehuri Ilir Xhakja nuk ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, duke dhe aluduar se nuk janë mbajtur të rregullta regjistrat e hyrjeve dhe daljeve nga aeroporti shqiptar dhe duke mohuar dhe parimin e njohur se çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit dhe në procesin penal është organi i akuzës që ka barrën e provës.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani; Prokurorin Artur Selmani, i cili kërkoi lënien e në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë; mbrojtësin e të gjykuarit Ilir Xhakja, Av. Aldo Shala, i cili parashtroi se çështja objekt gjykimi është gjykuar nga gjykata më të ulëta në mungesë të kompetencës lëndore dhe për këtë kërkoi prishjen e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe dërgimin e akteve për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, si gjykatë kompetente; si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,

Vëren

Se vendimet, nr.15, datë 27.03.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe nr.46, datë 19.06.2006 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, janë marrë duke mos u respektuar kërkesat e dispozitave të K.Pr.Penale për kompetencën lëndore të këtyre gjykatave. Për rrjedhojë, ato duhet të prishen dhe aktet e procedimit penal që i përket të gjykuarit Ilir Xhakja t’i dërgohen gjykatës kompetente.

Për këto arsye

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/ç te K.Pr.Penale,

Vendosi

Prishjen e vendimit nr.46, datë 19.06.2006 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe vendimit nr.15, datë 27.03.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Dërgimin e akteve për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, Durrës si gjykatë kompetente.

Tiranë, më 14.10.2009