Vendimi i Gjykatës së Durrësit, reagon Kryemadhi: Nul i gjithë procesi, zgjedhje nuk ka patur

580
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Durrësit për marrjen e mandatit bashkiak në këtë qytet.

Kryemadhi e ka konsideruar këtë proces si nul, teksa ka theksuar se pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim.

POSTIMI:

Nul!

Pavlefshmëri absolute!

Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative.

Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim.

Gjithçka konsiderohet nul.

A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike??

Nul i gjithë procesi.

Zgjedhje nuk ka patur.

E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ? I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ .