Vendimi, automjetet e vjetra do të hiqen nga qarkullimi

690
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit deklaron se do të importohen vetëm makina me standardin “Euro 5”, të prodhuara pas vitit 2010
Shqipëria do të largojë nga qarkullimi automjetet e vjetra, duke u dhënë përparësi prodhimeve më të fundit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, shprehet se rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve “Euro 4”, “Euro 5” dhe “Euro 6” dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri. Ministri Klosi shtoi se brenda 6-mujorit të parë 2018 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja, sipas të cilave lejohen të importohen në Shqipëri vetëm mjetet motorike, që plotësojnë standardet “Euro 5” të shkarkimeve në ajër. Në standardin “Euro 5” janë mjetet e prodhuara gjatë periudhës 2010-2015. Ndërsa për mjetet ekzistuese, shkarkimet e të cilave iu përkasin standardeve “Euro 1” (viti i prodhimit 1993-1994) dhe “Euro 2” (viti i prodhimit 1997) duhet të merren masat për arritjen e standardit “Euro 3”. Këto propozime ishin parashikuar që të hynin në fuqi që më 1 janar 2017, por për shkak se ligji nuk kaloi në kohën e duhur, tashmë duhet të rishikohen datat. “Nxitja e përdorimit të makinave që ndotin sa më pak mjedisin si dhe rinovimi i strukturës së mjeteve në vend, do të jenë pjesë e diskutimeve në masat fiskale lehtësuese. Rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve ‘Euro 4’, ‘Euro 5’ dhe ‘Euro 6’ dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik”, u shpreh Klosi. Të dhënat zyrtare tregojnë se në Shqipëri, mosha mesatare e makinave është mbi 20 vjet, shumë më e lartë se mesatarja e Evropës prej 10 vitesh. “Është e patolerueshme që Shqipëria të vazhdojë të mbushet me makina që janë afër fundit të jetës së tyre. Ka ardhur koha që të ndërhyjmë për të zgjidhur këtë problem që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit urban e për pasojë, edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Pasqyra që na ofron realiteti ynë tregon qartë nevojën për ndërmarrjen e menjëhershme të masave dhe lehtësive për futjen në treg të makinave më afatgjata”, tha Klosi. Për ministrin e Mjedisit është e nevojshme rinovimi i strukturës së mjeteve që duhet të shkojë paralelisht me nxitjen e masave për importimin e mjeteve “Euro 5” dhe “Euro 6”. Ai përmend edhe anën tjetër të problemit të makinave në fund të jetës. “Është pikërisht grumbullimi i tyre në të ashtuquajturat varreza makinash dhe pika skrapi, të cilat i shohim rëndom në krah të rrugëve kombëtare. Është e pafalshme që në akset kryesore kombëtare, të gëlojnë pikat e grumbullimit të skrapit dhe varrezat e makinave, të cilat për shkak të një vakumi ligjor nuk kanë asnjë kriter sesi duhet të funksionojnë konform rregullave. Vetëm në Tiranë, duke punuar së bashku me Inspektoratin e Mjedisit dhe Bashkinë e Tiranës kemi inspektuar, paralajmëruar, gjobitur dhe mbyllur disa javë me parë mbi 180 pika të grumbullimit të skrapit, as më shumë e as më pak, por në mes të lagjeve më të banuara të Tiranës. Këto janë të gjitha biznese që dëmtojnë drejtpërdrejt jo vetëm imazhin e kryeqytetit, por mbi të gjitha ndotja e prodhuar e vajrave apo metaleve që përpunohen aty, është sëmundje për qytetarët, është direkt ndikim në shëndetin e njerëzve”, nënvizoi Klosi. Për t’i dhënë fund kësaj situate, brenda 1 janarit të vitit të ardhshëm, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të përcaktojë udhëzimin sesi duhet një pikë grumbullimi skrapi.

Propozimet
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashtron disa propozime mbi të cilat mund të bashkëpunohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si rishqyrtimi i projekt-propozimit “Mbi masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike”, për të mundësuar miratimin e tij; propozimin e masave rregullatore mbi tarifat efikase dhe stimuj për rinovimin e flotës së automjeteve”; aplikimin e taksës për të gjitha automjetet në mënyrë të pavarur nga mosha, por në mënyrë proporcionale në nivelin e teknologjisë dhe nivelin e shkarkimeve të vetë automjetit; rritjen e taksave në proporcion me cilindrat/ madhësinë e motorit; gradualisht përjashtimin nga taksat të automjeteve të reja me ndotje të ulët (si Euro IV dhe V ose automjetet hibride / elektrike). Lidhur me parkun e mjeteve, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit propozon që ulja e shkarkimit të mjeteve motorike të bëhet në bazë të dy propozimeve në vendimin e rënë dakord midis disa palëve, por që duke qenë se nuk kaloi në kohën e duhur, duhet të rishikohen datat. Ky vendim përcaktonte që “mbas datës 1 janar 2017, lejohet të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorike të kategorisë M1, M2 dhe N1, N2 të reja dhe të përdorura, që plotësojnë standardet ‘Euro 5’ të shkarkimeve në ajër; mjetet motorike ekzistuese në qarkullim, kategoria M dhe N, shkarkimet e të cilave iu përkasin standardeve Euro 1 (viti i prodhimit 1993-1994) dhe Euro 2 (viti i prodhimit 1997), marrin masat për arritjen e standardit Euro 3, brenda datës 1 korrik 2017”. Për këtë afatet e reja, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të ndërmarrë së shpejti iniciativën dhe do të koordinojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë si dhe me Ministrinë e Financës dhe të Ekonomisë që, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, të hyjnë në fuqi rregullat e reja dhe standardet e propozuara nga kjo iniciativë ligjore.
Sigal