Vendimet e qeverisë, mbyllet Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në Nju Jork

542
Sigal

Qeveria miraton planin e veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Europiane

Mbyllet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Nju Jork (SHBA) dhe pritet të hapet Zyra Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (SHBA). Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratuan një sërë vendimesh të tjera.

Ja disa nga vendimet:

–        Miratimin e planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

–        Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2013-2014, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2014 dhe periudhën 15 shtator 2014 – 31 dhjetor 2014, të jetë 1 500 veta. Sipas këtij vendimi praktikantët, gjatë periudhës së kryerjes të praktikës profesionale, përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi, drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7%, të përllogaritur mbi pagën bazë minimale mujore 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë.

–        Qeveria vendosi miratimin në parim, të marrëveshjes së huasë dhe asistencës teknike (grant), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për pjesëmarrje në financimin e projektit të mikrofinancës në Shqipëri, nëpërmjet një kredie që jepet nga Fondi Islamik i Solidaritetit për Zhvillim (ISFD), në shumën prej 1 000 000 (një milion) dollarë; një kredie nga vetë fondet e IDB-së, në vlerën 2 670 000 (dy milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) ID (dinarë islamikë), dhe një granti të IDB-së, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) ID (dinarë islamikë).

–        Miratimin, në parim, të dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës.

–        Kalimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve në katin e tretë të godinës së ish-shtëpisë botuese “Naim Frashëri’, Tiranë, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës, te Komiteti Shtetëror i Minoriteteve dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, për t’u përdorur si mjedise pune nga këto institucione. Sipas vendimit, këtyre institucioneve u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.

–        Miratoi marrëveshjen kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë. Këshilli i Ministrave, gjithashtu, vendosi dje miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për partneritetin evropian.

–        Miratoi e protokollin për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar.

–        Vendosi për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.

–        Vendosi për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, (SHBA) dhe për hapjen e Zyrës Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, (SHBA).

–        Miratoi strukturën dhe të organikën për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. Sipas këtij vendimi numri i punonjësve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar do të jetë gjithsej 133 veta.

–         Përbërjen dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit.

–        Ndryshim në vendimin nr.239, datë 27.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e mënyrës së re të përdorimit të fondeve kundërparti, të mbledhura nga grantet japoneze për sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit”. Sipas këtij vendimi fondet kundërparti, të dhëna nga qeveria japoneze dhe të mbledhura nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, si agjenci e pagesave, në shumën 116 350 000 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekë të trajtohen si të ardhura jashtë limitit dhe të përdoren nëpërmjet llogarisë së thesarit brenda vitit 2014”.

–        Miratoi strukturën dhe organikën e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit. Sipas këtij vendimi numri limit i punonjësve të shërbimit të PMNZSH-së pranë prefektit të qarkut do të jetë, gjithsej, 739 veta.