Vendi në krizë ekstreme, deputetët e Parlamentit shqiptar në luks!?

564
Sigal

Open Data Albania, publikon shifrat nga buxheti faktik i Parlamentit: Rritje 6% të shpenzimeve, shpërblime në fundvit, shpërblim ekstra në qershor 2013, shtesë shpenzimesh për udhëtime, pushime, etj…

Teksa varfëria ekstreme i ka platitur shqiptarët në dy vitet e fundit të krizës, për paradoks, parlamentarët shqiptarë, të majtë e të djathtë i kanë rritur shpenzimet e tyre në vitet 2012-2013 duke bërë jetë luksi. Ndonëse në qeverisje kanë qenë të djathtët, kur ka qenë puna për kartonët që u ligjëronin përfitimet në para, të gjithë kanë qenë në një mendje. Makutëria, nëpërmjet shtimit të pagave të tyre, dietave, shpenzimeve në përgjithësi (rritja në 6%), udhëtime jashtë shtetit, deri në dieta ushqimore, shpërblime për fjetje e për pushime vjetore, nuk ka njohur kufi. Kur në fund të vitit 2013, pensionistët nuk morën shpërblim (paratë e gjelit të detit), deputetët morën shpërblim! Referuar statistikave, nuk bëhet fjalë për një rritje marramendëse shpenzimesh  të pa motivuar, por për një pangopësi, për një shembull nga më të këqijtë dhe një tendencë e hapur për të zhvatur sa më shumë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

    *        *       *

Buxheti i vitit 2013 për Kuvendin e Shqipërisë ka qenë 662,060,054 lekë, 6 % më i lartë krahasuar me vitin 2012 me vlerë 625 666 410 lekë. Zëri kryesor i shpenzimeve për të dyja vitet duket se janë shpenzimet për pagat, të cilat në vitin 2013 janë rritur me 1,4 %, krahasuar me vitin 2012, që mesa duket reflekton punësimet e reja në Kuvend. Një tjetër gjë që të bie në sy është dhe zëri “Shpërblim i menjëhershëm”, i reflektuar në vitin 2013 (nuk ekziston në vitin 2012) në masën e 17.6 mln lekëve.  Të gjitha këto të dhëna gjenden në një studim të Open Data Albania lidhur me Buxhetin Faktik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në vitet 2012-2013.  Ky buxhet përbëhet nga shpenzime kapitale e korrente në funksion të planifikimit, menaxhimit dhe administrimit si pjesë e kontrollit parlamentar si dhe veprimtarisë ligjvënëse, e cila i është atribuuar këtij institucioni. Të dhënat në hulumtim janë marrë nga katalogu Spending Data Albania. Të gjitha transaksionet me vlerë, datë, përshkrim shpenzimi dhe përfitues janë të aksesueshme përmes aplikacionit Monitorim i Thesarit të Shtetit.

RRITI BUXHETIN FAKTIK 6 %

Gjatë vitit 2012 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka shënuar një buxhet faktik prej 625 666 410 (gjashtëqind e njëzetë e pesë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e dhjetë) lekë. Ky buxhet është rritur me 6% duke shënuar një vlerë prej 662,060,054 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e gjashtëdhjetë mijë e pesëdhjetë e katër) lekë në vitin 2013.

VITI 2012

Në vitin 2012 Kuvendi ka shpenzuar më së shumti për shpenzime për paga, përkatësisht 13% të buxhetit ose 79.5 milionë lekë. Dietat jashtë vendit kanë shënuar një vlerë prej 19.5 milionë lekësh, ndërsa ato brenda vendit 14.5 milionë lekë. Vetëm për udhëtime jashtë vendit Kuvendi gjatë këtij viti ka shpenzuar 6.5 milionë lekë. Shpenzime të tjerë të kryera nga ky institucion buxhetor janë “Shpenzime pritje-përfaqësime” – 11.5 mln lekë, “Shpërblime fundviti” – 3 mln lekë, “Shpenzime Fjetje” – 2.9 mln lekë, “Shpenzime për telefon dhe internet” – 2.6 mln lekë, “Qera ambienti” – 1.1 mln lekë, “Shpenzime utilitare” – 1.4 mln lekë dhe “Pension ushqimor” – 102 mijë lekë. Shpenzime të tjera përbëjnë 77% të buxhetit ose 483 milionë lekë.

VITI 2013

Në vitin 2013 shpenzimet për paga janë rritur me 1.4% krahasuar me një vit më parë duke shënuar një vlerë prej 80.6 milionë lekë. Zëri “Shpërblim i menjëhershëm” i reflektuar këtë vit në buxhetin faktik të Kuvendit të Shqipërisë ka pasur një vlerë prej 17.6 mln lekë ose 3% të totalit. Dietat e deputetëve gjatë këtij viti kanë qenë 10.7 milionë lekë, ato jashtë vendit 4.7 milionë lekë, ndërsa ato të stafit 464 mijë lekë. Vetëm për udhëtime jashtë vendit Kuvendi gjatë këtij viti ka shpenzuar 7.6 milionë lekë.

Shpenzime të tjera të kryera nga ky institucion buxhetor janë “Shpenzime për telefon dhe internet” – 10.2 mln lekë, “Shpenzime për deputetë – listëpagesë” – 8.4 mln lekë, “Shpenzime paga për punonjës të larguar nga puna” – 1.1 mln lekë, “Shpenzime utilitare” – 1.7 mln lekë, “Shpenzime pritje- përfaqësime” – 1.1 mln lekë, “Shpenzime fjetje” – 437 mijë lekë, “Shpenzime për leje vjetore” – 413 mijë lekë dhe “Pension ushqimor” – 102 mijë lekë. Shpenzime të tjera përbëjnë 78% të buxhetit ose 517 milionë lekë.

ABUZIMI NË STATISTIKA

-Buxheti i viti 2013 ka qenë 662,060,054 lekë, 6 % më i lartë krahasuar me vitin 2012 me vlerë 625 666 410 lekë.

-Shpenzimet për pagat, të cilat në vitin 2013 janë rritur me 1,4 %, krahasuar me vitin 2012, që mesa duket reflekton punësimet e reja në Kuvend.

-Në vitin 2013, kanë miratuar një “Shpërblim i menjëhershëm” ku në prag të zgjedhjeve të qershor 2013, deputetët janë vet shpërblyer me 17.6 mln lekë.

-Vetëm për udhëtime jashtë shtetit nga 6.m milion lekë që ishte në vitin 20

-Për vitin 2013, janë shtuar dhe 4 zëra të tjera shpenzimesh, si shpenzime për leje vjetore, shpërblime në fund të vitit, etj…