Vendi në krizë dhe varfëri, Edi Rama miraton privatizime dhe koncesionet

532
Prof. Zamira Çavo / Protestat ndaj qeverisë Rama, mosbindja civile dhe kaosi në të cilën e futi vendin politika 

Situata politike sot duket se ka hyrë në një tunel pa dritë. Ashpërsimi i toneve dhe qëndrimi në pozicione të ngurtësuara të Rames dhe Bashës, mendoni se do e çojë vendin në një destabilizim të madh?
Në mendimin tim politika shqiptare po mbyll aktin final të këtyre 27 viteve “demokraci”. Kriza politike vërtetë këtë radhë është me e thellë se asnjëherë, por unë mendoj se sa më shumë të ashpërsohen tonet aq më e shpejtë do të vijë edhe zgjidhja. Puna është që kjo zgjidhje të vijë pa përplasje artificiale dhune dhe pa eksese.

Në këtë krizë që po rëndon popullin a nuk është më mirë që populli të dalë në rrugë e ta zgjidhë vetë situatën?
JO! Kriza politike është krizë elite, nuk është krize as ideologjike e as krizë sociale. Kjo krizë është e fundit në morinë e krizave që elita politike shqiptare ka shpikur në mbi një çerek shekulli. Kjo krizë nuk ka të bëjë me popullin dhe as bëhet për popullin. Keni dëgjuar gjë ju që në kushtet e negocimeve të thuhet qoftë edhe një fjalë e vetme për popullin? Populli as nuk hyn e as nuk mund të jetë garant i kësaj situate. Madje në mendimin tim e mira është që njerëzit të mos u besojnë politikanëve të asnjë krahu. Le të qëndrojmë e të shikojmë se si kjo racë e ndyrë politikanësh po i hapin gropën njeri tjetrit! Me dhimbje ose jo, fundi i kësaj elite po troket. Unë ndjehem optimiste.

Kriza duket se po e shkatërron vendin dhe kryeministri vazhdon në rrugën e tij të privatizimeve dhe koncesioneve. Mendoni se kjo situatë nuk do ta detyrojë popullin të mbushë sheshet?
Në mendimin tim duhet të sqarojmë dy momente:

E para: Ky sistem në këto 27 vjet nuk e ka vrarë mendjen asnjë sekondë për popullin dhe mirëqenien e tij. E dini? Në kohën e Enverit kishim një llojë barazie dhe sigurie në varfëri dhe në qetësi sociale, por nuk kishim liri. Ndaj mbetëm të varfër e të ndrydhur. Sot këta na flasin për lirinë e cila do na bënte të pasur. Por fatkeqësisht jo vetëm që nuk na pasuroi por edhe na ka skllavëruar ditë pas dite. Arsyeja është e thjeshtë: Liria që pretenduam sot nuk na mjafton për të zhdukur varfërinë dhe pabarazinë. Sot pabarazia ka shkuar në ekstrem. Shikoni elitën politike se si e ka gjendjen e vet ekonomike. Shikoni fëmijët e tyre, mënyrën e tyre të jetesës e krahasojeni këtë me jetesën cilitdo individ që me punën e tij të ndershme ka marrë ndoshta edhe më shumë pagë se paga e një deputeti? As që kanë të krahasuar. Pushtetarët tanë në këto 27 vjet vetëm kanë pasuruar njeri tjetrin dhe popullin e kanë gënjyer me ca thërrime. Ndaj kjo pabarazi është tashmë shumë e dukshme.

E dyta: Kjo elitë politike është kujdesur për ta mbajtur popullin sa më larg “problemeve publike” me idenë se populli është turmë injorante dhe se duhet ta drejtojnë ata njerëz që janë “të aftë” ta bëjnë këtë. Dhe këta të “aftë” janë ata që kanë para( pak rëndësi ka se janë para droge, korrupsioni, prostitucioni etij) . Nuk e besoni? Shikoni njerëzit që të gjitha partitë pa përjashtim, kanë çuar në Kuvendin e Shqipërisë. Për t’u bërë deputet duhet të kesh miliona sepse…dhe ju e dini mirë sepse! Ndaj në Shqipëri pushteti politik ka rrëmbyer edhe pushtetin ekonomik. 

Tani le t’i përgjigjemi pyetjes suaj. A do të dalë populli në sheshe sot për të protestuar për veten e tij? Unë them se nuk është koha! Sepse në gjendjen që është klasa politike aktuale, cilido krah do ta përdorte për të zgjatur jetën e vet. Cili shqiptar do të dëshironte të shkatërronte vetveten, qytetin vendin për Bashën apo Ramën? Sepse në çdo rast këta do ta përdornin popullin për të rifituar karrigen e tyre. 

Po si e mendoni ju zgjidhjen?
Zgjidhjen e kujt? Të situatës politike? Shikoni, nesër me siguri një pjesë e kësaj elite nuk do të jetë më. Pjesën tjetër populli do ta eliminojë me votë. Më besoni! Por e rëndësishme është që ju si media e të gjithë se bashku të mos bëhemi mish për top për këta “maskarenj” të politikës shqiptare!

Edi Rama po vazhdon ne koncesionet e tij duke ia dhënë këto klanit të tij të ngushtë. Cili është komenti tuaj për këtë?
Për mua nuk ka politikë më shkatërruese se politika liberale e partneritetit publik privat! Kjo do të thotë të ngushtosh fushën e publikes duke i dhënë oksigjen privates. Parimisht jam kundër këtij modeli. Por sikundër ju a thashë më parë, populli mbahet sa më larg këtyre proceseve dhe askush nuk e pyet. Dhe kjo bëhet pikërisht për këtë qëllim: njerëzit të mos e kuptojnë kurrë se ku shkojnë paratë e tyre!

Ja pra, a nuk do të thotë kjo që populli duhet të protestojë për ta rrëzuar Ramën e për ti hapur rrugë një qeverisje më të mirë?
Shumë mirë! Të supozojmë se e rrëzuam Ramën, po çfarë fitoi populli? Një Ramë tjetër do të vijë në drejtim. Jo! Vazhdoj të jem e bindur që kjo elitë duhet asgjësuar tërësisht. Ndaj le ta lemë të zhgërryhet në baltovinën që kanë krijuar e të mos lejojmë të na mbysin ne në të! 

Partia Demokratike duket se po përgatitet për një mosbindje të madhe civile. Si e gjykoni këtë lëvizje të sajën?
Pak më parë ju thashë se po bie sipari një tragjikomedie politike 27 vjeçare. Ndoshta ka ardhur koha qe partitë e mëdha që kanë luajtur politikën të shkrihen dhe forca të reja politike të krijohen. Berisha e ka hedhur partinë demokratike drejt një stuhie që vetë e ka provokuar e ku mezi po pret që rrufeja e parë të djegë ndonjë degë pemë për të filluar stuhinë. Sot Partia Demokratike është në ditën e saj më të keqe; pa mbështetje popullore e pa mbështetje ndërkombëtare! Po mbase është më mirë kështu. Partia demokratike po prek fundin për ti dhënë ndoshta një ringritje një modeli tjetër, jo si ky i sotmi. Partitë kanë nevojë për frymë dhe demokraci që ta përcjellin në jetën politike. Këto parti realisht kanë vdekur. Nuk e shikoni se mbi kë mbështetet sot Basha? Po Ramën e shikoni mbi kë mbështetet? Mos shikoni çadrën apo sheshet që mbushen diku me para e diku me detyrim. Ndaj nuk e mendoj se partia demokratike do gjejë mbështetje në popull për këtë mosbindje.

Ju folet pak më lartë për barazinë. Çfarë kuptoni me këtë?
Ne nuk jemi të lirë. Mbase tingëllon pak egër, por nuk jemi. Ne kemi lirinë për të votuar, por jo lirinë për të zgjedhur. Ne jemi të detyruar të zgjedhim atë çka na servirin “njëshat” e politikës. Detyrohemi të zgjedhim. Ne kemi lirinë për të folur, por jo për të ndryshuar. Ne kemi lirinë për të vdekur, por jo për të jetuar. Ne nuk kemi asnjë grimcë barazie. Ne nuk jemi të barabartë në kushte, në pushtet, në mundësi, para ligjit. Ne nuk jemi askund të barabartë. Dhe kjo është shumë e rëndë. Pabarazia e ka çuar gjithnjë historinë në revolucione. Pasioni për barazinë duhet të jetë forca jonë e përbashkët e luftës sonë ndaj kësaj klase politike. Nuk kam qenë asnjë herë me mendimin e atyre njerëzve që mendojnë se bota ka shkuar përpara nga elitat politike. Unë besoj se elitat politike kanë përfituar nga epokat që kanë sjellë popujt. Unë besoj se barazia në të gjithë gamën e vet duhet të jetë motoja jonë e bashkimit për veten dhe për vendin. Dhe për të mos më definuar si “komuniste” po ju them se për mua, liria është shteti, ndërsa barazia është raporti mes njerëzve. Liria nëse nuk më shërben për të plotësuar nevojat e mia, nuk ka ç’më duhet.

Cili mendoni se do te jete roli i ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës në Shqipëri?
Ne jemi mësuar ti shohim zgjidhjet nga të huajt. Por realisht zgjidhjet gjithnjë ja kemi dhënë në “alla shqiptarçe”. Edhe këtë radhë kështu do të ndodhë. Dhe të jeni të sigurt që ndërkombëtarët do pranojnë zgjidhjet tona! Kështu kanë bërë gjithmonë. Kështu do vazhdojnë të bëjnë për aq kohë sa këto zgjidhje nuk dëmtojnë interesat e tyre. Megjithatë në këtë botë globale pa një dakordancë me faktorin ndërkombëtarë zor se mund të ketë stabilitet politik.

Në këtë klimë politike mendoni ju se do të zgjidhet presidenti i Republikës?
Në Shqipëri sa herë u pëlqen politikës së ditës të ndryshojë sistemin e ndryshon. Në vend që politika të modifikojë sjelljen e saj politike mbi bazën e sistemit kushtetues, bën të kundërtën ndryshon Kushtetutën! Unë e kam thënë edhe më parë kjo klasë politike ka denigruar institucionet tona e i ka kthyer në qesharake. Cilido mund të pretendojë për President, për ministër për deputet, sepse këtë e ka në dorë “kryetari” i partisë. Ai bën pazaret e rastit. Nuk mund të bëjmë të gjithë detyrën e presidentit. Mos të na gënjejë mëndja! Sepse kjo është ajo që do elita liberale, ta shndërrojë institucionin e presidentit në një institucion kukull sikundër ka ka shndërruar. Unë ruaj ende shumë respekt për z Moisiu kur ai ishte President! Por politikës aktuale nuk i intereson sot një president me integritet. I Intereson një president që të mbyllë pazaret. Kjo do të ndodhë me siguri! Propozimet për president nga populli janë flluska në ujë që përdoren për të na hedhur hi syve. Nuk ka më kohë!

Esmeralda PIRRA
Sigal