Vendi drejt përplasjes civile/ Shqipëria në prag-zgjedhjeje me modelin Erdogan dhe Putin në qeverisje, duke zhvilluar zgjedhje pa opozitë dhe me një polici që arreston qytetarët pse respektojnë ligjin

460
Sigal

Tym dhe flakë mbrëmë në Kavajë, Shqipëria drejt luftës në zgjedhjet e 30 qershorit?

Shqipëria në pragzgjedhjeve me modelin Erdogan dhe Putin në qeverisje

 

Dje morën një ikonë se çfarë do të ndodhë në 30 qershor, nëse do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Mbrëmë në Kavajë, ndodhi përplasja e madhe fizike e protestuesve që dolën nëpër rrugë pranë ambienteve të KZAZ-së numër 42 dhe kërkuan largimin e materialeve zgjedhore. Ndërkohë që forca të shumta të policisë, edhe FNSH, mbronin KZAZ dhe përdorën kundër protestuesve sprajt dhe gaz lotsjellës, për të shpërndarë protestuesit. Protestuesit iu kundërpërgjigjën, duke hedhur ujë nga zjarrfikëse. Çfarë ndodhi mbrëmë në qytetin e Kavajës, ngre shumë pikëpyetje: Ky kaos ngre një pikëpyetje shumë të madhe se si do të shkojë kryeministri Rama në zgjedhje më 30 qershor i vetëm pa opozitën? Kujt do t’i shërbejnë këto zgjedhje përmes dhunës dhe përplasjeve sociale?

Tension, përplasje dhe flakë në disa qytete, Shqipëria drejt luftës!

Dje kryeministri Rama njoftoi se sot Kuvendi do të diskutojë projektligjin e qeverisë për të dënuar me 10 vite izolim në Shqipëri, pra ndalim të qarkullojnë në BE dhe në SHBA të gjithë ata që do të pengojnë zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Madje Komisioni Parlamentar i Ligjeve e ka miratuar këtë projektligj me procedurën e emergjencës. Mirëpo, edhe dje situate është tensionuar në disa qytete dhe po përshkallëzohet në përplasje të forta mes policisë dhe përfaqësuesve të opozitës dhe qytetarëve. Kryebashkiakët që përfaqësojnë opozitës, kanë bërë thirrje për lirimin e KZAZ-ve, duke zbatuar dekretin e Presidentit Meta, i cili anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit. Ndërsa KQZ i ka konsideruar këto deklarata të paligjshme. Mes kësaj përplasje të fortë institucionale, por edhe me përplasjet që po vijojnë në terren, qeveria, me në krye Edi Ramën, duket e vendosur të marshojë drejt zgjedhjeve të 30 Qershorit.

KAMËZ

Paraditen e djeshme, pati përplasje të forta në Kamëz, ku policia përdori gaz lotjesllës për të shpërndarë turmën e personave që kërkonin të hynin në KZAZ. Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, duket një turmë mjaft e revoltuar, që kërkon të hyjnë në ambientet e shkollës ku ndodhen materialet zgjedhore.

TROPOJË

Fillimisht përplasjet nisën në Tropojë, ku qytetarë kanë hequr materialet zgjedhore në KZAZ-në nr.9. Ata kanë thyer xhamat dhe dyert e objektit dhe në fund kanë mundur të largojnë materialet zgjedhore.

SHKODËR

Pasditen e pardjeshme, pati përplasje të forta edhe në qytetin e Shkodrës, mes policisë dhe qytetarëve, ku shkollës “Shejnaze Juka”, u tentua t’i vihej flaka dhe njëkohësisht u thyen disa xhama. Protestuesit kanë kërkuar të shkatërrojnë materialet zgjedhore.

BURREL

Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Edhe në këtë bashki, kërkohej lirimi i ambienteve zgjedhore. Raportohet se ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ-në nr. 16. Edhe në këtë rast, policia ka përdorur gaz lotsjellës.

KUKËS

Një përplasje e ashpër ka ndodhur edhe në qytetin e Kukësit mes banorëve dhe policisë. Qytetarët kërkojnë largimin e KZAZ-së që ndodhet në palestrën e gjimnazit “Havzi Nela”. Policia nën drejtimin e kreut të saj, Pashk Laska është vënë në mbrojtje të KZAZ-së, duke hedhur edhe gaz lotsjellës.

POGRADEC DHE BILISHT

Pogradeci, është qytetit i radhës ku shënohen përplasje mes policisë dhe mbështetësve të PD. Përplasja ka ndodhur në qendrën e votimit nr 70 në Bilisht. Pogradeci është bashkia e radhës e drejtuar nga PD ku janë shënuar incidente.

KLOS

Në Klos janë djegur materialet zgjedhore. Pas situatës së tensionuar, mbështetës të opozitës kanë arritur të nxjerrin jashtë KZAZ 17 materialet zgjedhore, duke i vënë më pas flakën.

BERAT

Situatë e tensionuar është regjistruar edhe në në KZAZ Nr.64 në Berat. Përplasje janë shënuar ndërsa mbështetës të opozitës kanë tentuar të thyejnë kordonin e policisë për të hyrë brenda ambienteve të KZAZ nr. 64, e cila ndodhet brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës në Berat. Në mbështetje të forcave të Rendit, në Berat kanë zbarkuar edhe punonjës të FNSH.

Vorë

Policia mbyll brenda KZAZ-së disa nga mbështetësit e opozitës. Ata kishin hyrë disa momente më parë me dhunë në ambientet e brendshme të godinës. Situata ka qenë shumë e nxehtë në këtë zone, edhe për shkak se Vora është konsideruar një nga bastionet e të djathtëve.