Veliaj: Unioni i kryebashkiakëve shqiptarë, jo për nacionalizëm, por se si t’i shërbejmë më mirë shqiptarëve

470
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryebashkiaku Veliaj mirëpret krerët e bashkive nga Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva

Në prag të festave të Nëntorit, Tirana është kthyer në kryeqytetin e
shqiptarisë. Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ajo mikpriti sot 4
kryetarët e bashkive nga Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva, të cilat i
janë bashkuar të parat Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Ata u pritën në
një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të
cilin diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave
më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në qytetet ku
drejtojnë.

 

Më pas, 5 kryebashkiakët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi, ku
vlerësuan nismën për krijimin e Unionit dhe bashkëpunimin mes bashkive
shqiptare. Kryebashkiaku Veliaj, teksa falenderoi të ftuarit, theksoi se ky takim,
por edhe Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare, e cila zhvillohet gjatë
ditës së nesërme, do mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të
mira.

 

“Ky nuk është një projekt nacionalist, por është një projekt praktik, një
mënyrë fantastike që 5 bashkitë kryesore të mblidhen në Tiranë. Fati i
Shqipërisë është se rrethohet nga shqiptarë të tjerë, ndaj besoj se është shumë
e rëndësishme që të mësojmë nga njëri-tjetri. Ajo që po funksionon mirë në
Prishtinë, në Tetovë, në Ulqin ose në Preshevë; çfarë mund të mësojë prej tyre
Tirana, por edhe çfarë mund të japë në shkëmbim. Sot do të kemi një ditë
vizitash për të parë disa nga projektet në Tiranë, si sheshi “Skënderbej”,
këndi i lojërave te Liqeni, mënyra si po konceptojmë stadiumin e ri dhe shumë
prej projekteve gjigande të Tiranës, që do të shënjojnë kryeqytetin e shekullit
të ri”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ky është hapi i
parë i krijimit të rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të të gjitha
qyteteve të rajonit që drejtohen nga shqiptarët.

 

“Ky është vetëm fillimi! Duam që pas 5 bashkive kryesore, rrjeti të
zgjerohet në të gjitha bashkitë e komunat shqiptare në rajon. Besoj se si takim
i parë, kjo është vetëm një bërthamë themeluese e Unionit të Bashkive Shqiptare
në rajon, e cila do të pasohet në të gjitha bashkitë e komunat në vendet tona
dhe shumë shpejt do të botojmë edhe një agjendë, ku do të kemi të gjitha
aktivitetet dhe mbledhjet e tjera të Unionit, për të filluar më pas me projekte
konkrete. Unë besoj me gjithë zemër se ky është shekulli i shqiptarëve, i
shqiptarëve të mirë që punojnë dhe që kanë fokusin te puna dhe tek arritjet
konkrete”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

 

Rëndësinë e këtij rrjeti e vlerësoi edhe kryetarja e Komunës së Tetovës,
Teuta Arifi, e cila theksoi se ky takim i parë merr një vlerë edhe më të madhe
tashmë në prag të festës së Pavarësisë. “Mendoj se mënyra se si e kemi kuptuar
këtë ide dhe këtë nismë është në fakt ai patriotizmi modern, patriotizëm i cili
përveç elementit deklarativ, ka të bëjë me punën të cilën ne në baza ditore të
gjithë, kemi për detyrë ta bëjmë për vendet tona, qytetet tona. Logjika e
diskutimit për çështjet e përbashkëta, për sfidat ditore që i kalojnë qytetet
tona, të cilat në thelb janë qytete shqiptare, jo vetëm për nga numri i
popullatës, por edhe për nga fryma të cilën ato të gjitha si qytete
prezantojnë, në fakt na jep një detyrim të madh”, tha kryetarja e Komunës së
Tetovës, Teuta Arifi.

 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë për
konkretizimin e kësaj nisme, si dhe theksoi se takime të tilla i shërbejnë
drejtuesve të bashkive, por edhe stafeve të tyre drejtuese, për të vlerësuar
drejt problematikat me të cilat përballen sot qytetet shqiptare. “Problematika
e qyteteve shqiptare, pajtohem që është problematikë e veçantë, e cila na
detyron, na sfidon që të bashkëpunojmë, në mënyrë që këto çështje t’i
shkëmbejmë edhe si përvoja, edhe si zgjidhje, e pse jo, edhe nëse diçka ka që e
kemi provuar dhe s’ka ecur, t’i themi të tjerëve që mos e provoni, sepse kjo nuk
funksionon. Ky është vetëm takimi i parë, shpresoj që komunat e tjera sa më
shpejt të jemi nikoqirë të takimeve të radhës dhe të fillojmë dhe të shtojmë
komunat e tjera, që edhe ato të bëhen pjesë e këtij rrjeti”, tha Ahmeti.

 

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu ka vlerësuar punën që po bëhet në
Tiranë, duke theksuar nevojën që këto eksperienca pozitive të zbatohen edhe në
qytetet e tjera shqiptare. “Mua më gëzon fakti, me këto arritje që ka arritur
Tirana dhe të gjitha këto projekte që Erioni na ka treguar në pika të shkurtra
dhe besoj se çdo shqiptar kudo që është, do të mburret me këto arritje të cilat
janë posaçërisht në Shqipëri. Mendoj se këto eksperienca që do t’i shkëmbejmë
së bashku, do të na ndihmojnë edhe ne si kryetarë të komunave”, u shpreh Cungu.

 

Edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi shprehu kënaqësinë e
vendosjes së këtij bashkëpunimi mes komunave dhe bashkive shqiptare, duke
theksuar rëndësinë që ka ai, sidomos për komuna që ndjejnë edhe më shumë nevojën
e mbështetjes, siç është ajo e Preshevës. “Ka për t’i shërbyer sidomos komunave
tona, të cilat janë jashtë sistemit shtetëror shqiptar. Ne jemi të vetëdijshëm
që nëpërmjet këtij bashkëpunimi, jo vetëm që e ngremë nivelin e jetesës, ose
kualitetit të jetës në qytetet tona, në bashkitë tona, por sigurisht që është
një mesazh, të cilin ia japim të gjithë shqiptarëve, që nëpërmjet unifikimit
dhe bashkëpunimit konkret me qytetarët, mund të arrihet diçka shumë konkrete
dhe pozitive për të ardhmen e tyre dhe të krijojmë perspektivë për të jetuar në
këto vende”, tha Arifi.

 

Kryetarët e bashkive shqiptare të rajonit u pritën në një takim të veçantë
edhe nga kryetari i Këshillit të Bashkisë së Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili
theksoi qëllimin emancipues, modern e evropian të këtij Unioni, si dhe mundësinë
që ky bashkëpunim të shtrihet edhe ndërmjet këshillave bashkiak dhe komunal.
“Qëllimi është që shqiptarët në territorin e tyre të kenë cilësi jete më të
mirë. Projektet që Erioni po avancon në Tiranë, Shpendi në Prishtinë, Teuta në
Tetovë, Shqiprimi në Preshevë, Nazifi në Ulqin, do të kenë mundësi që të njihen
nga njëri-tjetri dhe pse jo, të replikohen në bashkitë apo komunat tuaja, si
një përqasje elementesh që rrisin cilësinë e jetës dhe na bëjnë të jetojmë më
mirë. Ne kemi të gjithë nevojë të përfitojmë nga eksperienca e njëri-tjetrit”,
tha Dalipi.

 

Më pas të 5 kryetarët e komunave dhe bashkive të rajonit kanë vizituar disa
nga kantieret kryesore të punës që janë hapur nga Bashkia e Tiranës, si ai i
transformimit të sheshit “Skënderbej”, ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare”,
si dhe morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të shpalljes së Pavarësisë së
Tiranës.

 

Më poshtë fjalimet e plota të mbajtura nga kryetarët e bashkive shqiptare
gjatë konferencës së sotme për shtyp:

 

Fjala e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

 

Shumë faleminderit që jeni këtu! Së pari, dua t’u uroj të gjithë qytetarëve
të Tiranës, gëzuar ditën e  ngritjes së
flamurit në Tiranë. Është sot 104 vjetori dhe ne do të gjejmë një moment gjatë
ditës, ku edhe do të nderojmë këtë moment historik për qytetin tonë tek parku
“Rinia”, aty ku është Monumenti i Pavarësisë, bashkë me familjet e atyre që
shpallën pavarësinë në Tiranë, 104 vite më parë. Në këtë prag festash, jam
shumë i lumtur që t’ju uroj mirëseardhjen katër miqve, katër kolegëve, katër
shqiptarëve të mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme të cilët qëllojnë që
ndajnë të njëjtin mision dhe të njëjtin pasion me mua si kryetar të bashkive
dhe komunave shqiptare në rajon.

 

Ky është takimi ynë i parë, ndaj edhe dua t’i uroj mirëseardhjen Teutës,
Shpendit, Nazifit e Shqiprimit në Tiranë, si takim i parë i rrjetit të komunave
dhe bashkive shqiptare në Ballkan. Ky nuk është një projekt nacionalist, siç
mund të komentohet nga dikush; ky në fakt është një projekt praktik, një mënyrë
fantastike që ne të jemi në Tiranë, 5 bashkitë kryesore. Fati i Shqipërisë
është se rrethohet nga shqiptarë të tjerë, ndaj dhe besoj se është shumë e
rëndësishme që ne të mësojmë nga njeri tjetri. Ajo që po funksionon mirë në
Prishtinë ose në Tetovë, ose në Ulqin, ose në Preshevë dhe çfarë Tirana mund të
mësojë, por edhe mund të japë në shkëmbim, ndaj sot, do të kemi një ditë
kryesisht vizitash në Tiranë, për të parë disa nga projektet aktive, siç është
sheshi “Skënderbej”, këndi i lojërave, mënyra se si po konceptojmë stadiumin e
ri dhe shumë prej projekteve gjigande të Tiranës që do të shënjojnë Tiranën e
këtij shekulli të ri.

 

Besoj gjithashtu, që do të kemi një mundësi fantastike nesër, ku do të
dëgjojmë nga secila prej bashkive dhe komunave shqiptare për praktikat e tyre
të mira dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre. Jam shumë krenar për punën
fantastike që bën Shpendi, Teuta, Nazifi, Shqiprimi, është një punë jo e lehtë,
është një punë jashtëzakonisht e vështirë, si puna e çdo kryetari bashkie e
komune, por unë besoj se kur jemi bashkë dhe kur kuptojmë që ndajmë të njëjtat
strese e vështirësi, besoj se mund të bëjmë një punë më të mirë. Ky është vetëm
fillimi, ne duam që pas këtyre 5 bashkive kryesore, rrjeti të zgjerohet në të
gjitha bashkitë e komunat shqiptare në rajon, por besoj si takim i parë, kjo
është vetëm një bërthamë themeluese e unionit të bashkive shqiptare në rajon, e
cila do të pasohet në të gjithë bashkitë e komunat që gjenden në të gjitha
vendet tona dhe shumë shpejt ne do të botojmë edhe një agjendë, ku do të kemi
të gjithë aktivitetet dhe të gjitha mbledhjet e tjera të unionit, për të
filluar më pas disa projekte konkrete.

 

Unë besoj me gjithë zemër që ky është shekulli i shqiptarëve dhe ky është
shekulli i shqiptarëve të mirë që punojnë dhe që kanë fokusin te puna dhe tek
arritjet konkrete. Secili prej nesh në qytetet tona, në secilin prej 5 shteteve
nga vijmë nuk jeton dot vetëm me slogane, sado slogane të fuqishme të jenë që
mund të na frymëzojnë. Jeta e përditshme nuk është një ndeshje futbolli dhe
entuziazmi që përshkuan disa nga momentet historike nuk është ajo që na
karakterizon çdo ditë dhe në çdo ditë ne përballemi në fakt me çështje si uji i
pijshëm, infrastruktura, ndriçimi, mbledhja e mbeturinave, transporti publik,
si hapësirat ku luajnë fëmijët, çerdhet, kopshtet, shkollat e këto janë disa nga
ato sfidat e përditshme që ne duhet të prekim. Dua t’ju uroj mirëseardhjen në
Tiranë katër kolegëve, vëllezërve, motrave, miqve tanë që punojnë pa u lodhur,
që kauzën e jetës së mirë të shqiptarëve nuk e trajtojnë vetëm në ditë festash
por si një sfidë të përditshme për t’ u shërbyer shqiptarëve kudo që janë me
respekt dhe me dinjitetin që ata meritojnë.

 

Dua që në këtë moment të parë, (ne do të shihemi shpesh në këtë fundjavë)
t’u jap një mundësi që edhe ata të bëjnë një përshëndetje dhe të keni edhe një
urim prej tyre për Pavarësinë e Tiranës dhe ngritjen e Flamurit dhe çfarë
pritshmërish kemi nga ky takim! Dua të ndiheni si në shtëpi, Tirana është
shtëpia e të gjithë shqiptarëve, kryesisht edhe shtëpia juaj si kolegë të mi
dhe për çdo lloj ndihme dhe asistence që Tirana mund të japë në fuqizimin dhe
suksesin tuaj, ju lutem të kuptoni që suksesi juaj është edhe suksesi ynë dhe
kjo është anasjelltas edhe për ne! Mirë se erdhët në Tiranë dhe dua të filloj
duke respektuar të vetmen zonjë që kemi këtu sot, Teutën, pastaj Shpendin,
Nazifin dhe më pas Shqiprimin!