Veliaj u cakton detyrat 24 administratorëve: Në fund dua inventar për situatën

447
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte sot në një takim me 24 administratorët e njësive në Tiranë për tu bërë një trajnim në lidhje me shërbimet publike. Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se gushti do të jetë muaji i pastrimit dhe me 4 shtator ky aksion do të kulmojë. Kryebashkiaku i ka kërkuar vartësve të tij që të lëvizin me autobusë për të parë dhe prekur nga afër problemet e qytetarëve, ndërkohë që kërkoi vijimin e aksionit të pastrimit të rrugëve. Në fund të procesit ka kërkuar që çdo administrator të përpilojë inventarët për zonat që kanë nën përgjegjësi. “Gushti do të jetë muaji i pastrimit dhe me 4 shtator do të ketë një aksion të madh në të gjithë kryeqytetin. Ju kërkoj që të mbani shënim për çdo parregullsi që shikoni. Pyesni qytetarët për shërbimet dhe kujdesuni për shqetësimet e tyre! Në letra Tirana ishte e pastër dhe çdo gjë shkonte në rregull, por realiteti është krejt ndryshe. Ju duhet të lëvizni vetë nëpër autobusë, për të parë nga afër situatën dhe shërbimet publike që u bëhen qytetarëve. Mos harroni njerëzit dhe çdo gjë nën moton “kontrollo dhe beso”, në ato institucione ku kryhen shërbimet! Unë do të jem sot në Vaqarr për të parë nga afër aksionin”, tha Veliaj.
Sigal