Veliaj takime në njësinë 7: Do ndërhyjmë për lirimin e hapësirave publike

482
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi pasditen e sotme administratoren e Njësisë 7, Gjinovefa Kadria, nga ku edhe paralajmëroi nisjen e tre aksioneve për lirimin e trotuareve, shesheve dhe vendeve të parkimit në Tiranë. Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e Njësisë 7, Veliaj kërkoi nga drejtuesja e kësaj njësie që të mbajë hapin e bashkisë qendrore për të gjitha emergjencat e këtyre ditëve, siç është pastrimi i Tiranës. I shoqëruar nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalpi, kryebashkiaku Veliaj kërkoi që administratorët të ndjekin hap pas hapi gjithë aksionin për pastrimin e qytetit. “Secili prej jush duhet të jetë syri dhe veshi ynë në terren për të inspektuar kompanitë e pastrimit, në mënyrë që ato të kryejnë mirë pastrimin e territorit”, deklaroi Veliaj. Krahas aksionit të pastrimit të qytetit nga mbeturinat, kryetari i Bashkisë së Tiranës paralajmëroi nisjen e tre aksioneve të tjera për lirimin e trotuareve, shesheve dhe vendeve të parkimit. “Historia e zënies së hapësirave publike me mjete rrethanore, copa betoni, kangjella, vazo dhe objekte të tjera, do të marrë fund. Dua që edhe për këto tre aksione të jemi në gatishmëri të plotë”, deklaroi Veliaj. Ai kërkoi nga drejtuesit e njësisë bashkiake që t’i koordinojnë pushimet për më vonë deri sa të kalohet faza e emergjencës dhe të rikuperohet dinjiteti minimal i shërbimeve publike.
Ai tha se do t’u kërkojë të gjithë administratorëve që të bëjnë një program pune për inspektimin e të gjitha punimeve që do bëhet në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor që nis në shtator. “Duam gjithashtu, që në bashkëpunim me administratorët, të kemi një grafik për inspektimin e çdo shkolle, kopshti dhe çerdheje, për t’u siguruar që mesi i shtatorit t’i gjejë këto institucionet në një situatë shumë më dinjitoze”, u shpreh Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi bërjen e një inventari për të gjitha asetet publike të zonës dhe siguroi administratoren e Njësisë 7 se do të ketë bashkëpunimin e plotë të Policisë Bashkiake në mbrojtjen e pronës publike. “Kam shumë pritshmëri të larta dhe duhet të jeni ju të parët që na njoftoni për çdo ndërtim pa leje dhe çdo objekt që nuk respekton kriteret”, tha ai.  Kryebashkiaku i Tiranës ka preferuar të përdorë linjën e transportit publik për të shkuar nga zyra e tij në Njësinë 7, duke inspektuar në këtë mënyrë edhe linjën e autobusit Kinostudio – Kombinat. Pas prezantimit të administratores të Njësisë 7, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi edhe punimet në shkollën “Dhora Leka” për përgatitjen e institucioneve arsimore për vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku u informua mbi ecurinë e punimeve për t’u siguruar që tranzicioni të mos ndihet në shërbimet që i ofrohen publikut.  “Puna po vazhdon pa ndërprerje. U japim garanci të gjithë prindërve të Tiranës se në çdo shkollë, kopsht a çerdhe, që është nën administrimin e bashkisë, nga ana infrastrukturës, puna vazhdon normalisht”, deklaroi Veliaj. Ai siguroi se nuk do të ketë asnjë ditë ndërprerje, dhe prindërit do të gjejnë shkolla, kopshte dhe çerdhe me mjete dhe standarde dinjitoze. “Ndaj, do t’i kërkoj administratorëve të njësive që të vazhdojnë punën me ritmin e këtyre ditëve, që të sigurohemi se nuk mungon asgjë për më të vegjlit e qytetit”, përfundoi Veliaj.
Sigal