Veliaj takim me shoqërinë civile për të nënshkruar një kontratë sociale

442
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar Bashkie në Tiranë, Erion Veliaj, ka realizuar sot një takim me shoqërinë civile për të biseduar për realizimin e një kontrate sociale.
Në fokus të këtij takimi ka qenë bashkëpunimi me të rinjtë dhe ofrimi i sa më shumë mundësive për ta. Sa i takon zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, kandidati i majtë ka zhvilluar forume publike me të rinjtë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, dhe për të prezantuar programin e tij për kryeqytetin dhe pikat e planit që përfshijnë këtë kategori.
“Besoj se gjërat bëhen më mirë kur njerëzit bëhen pjesë e diçkaje, sesa kur rrinë e komentojnë si spektatorë. Unë jam pro nxitjes dhe përfshirjes së të rinjve në projekte të ndryshme. Ne kemi bërë një kontratë specifike për grupet e interesit për secilën njësi. Do të ofrojmë më shumë mundësi për të rinj, punësimin e tyre dhe bashkëpunimin me ta. Një pjesë e fondit do të shkojë për punësimin e të rinjve. Do të bashkëpunojmë me bizneset që punësojnë të rinjtë”, tha Veliaj.
Kandidati i majtë tha se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës do të krijojnë një fond të nxitjes së punësimit, me në fokus të rinjtë. “Ne do të kemi një fond të nxitjes së punësimit ekskluziv për bashkinë. Ashtu siç kemi vepruar me fondin e punësimit në qeveri. Ata që kanë një diplomë master, kryesisht në urbanistikë, inxhinieri, infrastrukturë, do të gjejnë edhe veten e tyre në këtë treg pune dhe pjesë të projektit. Për këtë do të përdorim fondin e punësimit. Edhe në bashkitë e reja po kërkohen më shumë profesionistë. Ndaj i them të rinjve, që të synojnë studimet dhe diplomimin në ato fusha me interes për tregun e punës”, vijoi Veliaj.
Duke u ndalur tek karta e studentit, Veliaj tha se brenda vitit t parë të qeverisjes së bashkisë do ta bëjë atë të aksesueshme për studentët. “Për kartën e studentit kemi bërë një propozim, për emetimin e saj në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Do të përfshijë aksesin në kinema, teatër, biblioteka, transportin publik. Bashkia është treguar e paaftë në 4 vite për emetuar kartën e studentit. Besoj se kam treguar se di të menaxhoj një operacion të tillë të ngjashëm. Më vjen keq që politika nuk e ka lejuar të bëhet një gjë e tillë që është kaq e lehtë për t’u bërë”, tha Veliaj.
Sigal