Veliaj: “Për fëmijët ia vlen çdo investim; Tirana e së ardhmes do edhe një teatër të ri, do të bëhet”

481
Sigal

Bashkia e Tiranës mban fjalën, një tjetër kënd lojërash në Njësinë 8

Siç premtoi në zgjedhjet e 30 qershorit kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, këndet e lojërave dhe hapësirat çlodhëse për të gjitha grupmoshat po shtrihen në çdo lagje të qytetit. Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin e një tjetër hapësire në një nga lagjet më të vjetra në kryeqytet, pranë zonës së njohur si ish-Restorant Durrësi, duke ndërtuar një kënd të ri lojërash për më të vegjlit dhe vendosur stola e gjelbërim për më të rriturit.

Kryebashkiaku Veliaj inspektoi këndin e ri, ku shprehu angazhimin që edhe në këtë mandat të dytë do të vijojë puna me investime të tilla. “Aty ku vë dorë Bashkia e Tiranës, jo vetëm që del në dritë, jo vetëm që është bërë më e pastër, por vjen jeta. Kur kemi kaluar në këto lagje, thonë s’ka kalamaj, por kur ndërtohet një kënd lojërash, krejt papritur dalin me qindra fëmijë. Shumë hapësira më përpara kanë qenë të zaptuara, me ferra, ose me kioska. E di që për dikë që është mësuar t’i bjerë qylit 20-30 vjet, ndoshta nuk i vjen mirë kur ne ia pastrojmë, por ama duhet të kuptojmë që përfitojnë qindra e qindra familje dhe fëmijë. Kështu që, për fëmijët ia vlen çdo investim dhe çdo debat që mund të kemi për lirimin e një hapësire publike”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se është koha që qyteti të mendojë për fëmijët, të cilët janë garancia jonë që ky qytet do të ketë të ardhme. Kreu i Bashkisë deklaroi se fëmijët e kryeqytetit meritojnë jo vetëm rrugë e sheshe më të mira, por edhe një teatër të ri. Ndaj, Veliaj theksoi nevojën për ndërtimin e një godine të re. “Kjo është po ashtu e njëjta arsye pse edhe tek debati që kemi për investime në Tiranë, qoftë investimet në zgjerimin e bulevardit, qoftë zgjerimi i Lanës, bëhet për të krijuar Tiranën e të ardhmes. Tirana e së ardhmes nuk do vetëm rrugë, sheshe, asfalt, Tirana e së ardhmes do edhe kulturë. Kjo do të thotë që Tirana e së ardhmes do edhe një teatër të ri. Nuk mund t’ju themi fëmijëve që për nostalgjinë që kanë ca për tallashin, për shkrepëset, për algat dhe populitin e një teatri që është kthyer sot në një karakatinë, ju do vazhdoni të shkoni në kushte të tilla”, u shpreh Veliaj, teksa theksoi se brezi i ri nuk mund të mbetet peng i nostalgjive të së shkuarës.

“Ata meritojnë të kenë të njëjtin teatër, të njëjtën shkollë, të njëjtin kopësht, të njëjtën çerdhe, që ka dikush në Itali, që ka dikush në Greqi, në Austri, në Spanjë. Nëse nuk rritemi me këtë ambicie, do të vazhdojmë të ngelemi peng të nostalgjive. Njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për komunizmin, mund të kenë nostalgji për çudira që na kanë ndodhur në këtë vend, njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për pushtuesit, por ne nuk jemi peng i nostalgjisë. Ne jemi sot për një besëlidhje me të ardhmen, me rininë dhe me gjithë ata që do të jenë paja edhe garancia e Tiranës për nesër”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu vullnetin për ndërtimin e teatrit të ri, duke e cilësuar këtë angazhim si të panegociueshëm. “Teatri do të bëhet, ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm. Të gjithë ata që mundohen të bllokojnë këtë proces më kujtojnë se janë i njëjti grup që kanë qenë edhe tek lodrat te liqeni, edhe te Pazari i ri, edhe kur kemi ndërtuar shkollat, edhe kur ndërtuam bulevardin, edhe kur punuam për zgjatimin e Lanës, edhe kur bëmë Bulevardin e Kasharit. Pra, është i njëjti grup i cili shëtit dhe thotë mos prek këtë, mos prek atë”, deklaroi ai.

Veliaj deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe një referendum për atë që do të jetë Tirana e së nesërmes, ndërsa siguroi se premtimet do të mbahen përpara se të plotësohen katër vitet. “Të gjithë ata që kërkojnë një referendum, ne sapo bëmë një referendum, në datën 30 qershor. Edhe në lagje të tilla në atë referendum premtuam Teatrin, në atë referendum premtuam edhe stolat. Një nga arsyet pse kthehemi në këtë mikrohapësirë është sepse mbajtëm premtimin. Nuk do presim 4 vite me mbajt premtimet në këtë lagje, por as nuk do presim 4 vite me mbajt premtimet për Tiranën, siç është Teatri, siç është vazhdimi i Bulevardit deri në fund, siç është Unaza e Madhe, dhe siç është zgjatimi i Lanës në të dyja drejtimet, si në veri, si në jug, për t’u siguruar që Tirana e së nesërmes ka më shumë hapësirë, por ka edhe më shumë infrastrukturë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Teksa nënvizoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, Veliaj garantoi qytetarët e Tiranës se puna do të vijojë pavarësisht pakicave të zhurmshme që përpiqen të krijojnë pengesa. “Për parti të cilat vetëshpallin fitoren, nuk marrin pjesë në zgjedhje, vetë përjashtohen nga sistemi, dhe premtojnë gjëra që nuk do t’i realizojnë kurrë se nuk do zgjidhen kurrë, Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. I garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës që, siç nuk jemi tutur nga asnjë pakicë e zhurmshme këto katër vite që kaluan, as në katër vitet që do vijnë nuk do ketë asnjë hap prapa. Do të vazhdojmë me të pestin, për t’u siguruar që Tirana e së ardhmes ka edhe teatër, edhe shkolla, edhe kopshte, edhe çerdhe, edhe parqe, edhe terrene sportive”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Ervin Bushati falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që ka treguar në vazhdimësi për Njësinë 8, ndërsa theksoi se hapësira të tilla do të shtrihen në të gjithë qytetin. “Do të përpiqemi që në gjithë njësinë, në të gjithë Tiranën mundësisht, të ketë sa më shumë qendra të tilla sepse jo vetëm bëjnë qytetarët të ndihen më mirë, por edhe krijojnë komunitet, mësojmë si të rrimë, si të bashkëjetojmë, si të komunikojmë, si të duhemi dhe si të jetojmë më mirë me njëri-tjetrin. Shumë faleminderit kryetarit të bashkisë se ka bërë një punë shumë të mirë tek njësia 8”, deklaroi Bushati.

Sheshi i ri plotëson nevojat e të gjithë grupmoshave të komunitetit në zonë me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhëse për të rritur (stola, hije, sheshe). Ai është i shtrirë në dy hapësira me një sipërfaqe prej 380 m2.