Veliaj: “Pazari i Ri, projekt ikonë i Tiranës; krijojmë hapësira të reja publike për qytetarët”

526
Sigal

Gazeta Telegraf/

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori
i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, ndoqën
sot nga afër punimet që po kryhen për realizimin e projektit
të Pazarit të Ri, i cili synon rijetëzimin e gjithë zonës përreth. Teksa vlerësoi
ecurinë e punimeve, të cilat kanë shkuar sipas parashikimit, kryebashkiaku
Veliaj falenderoi Fondin Amerikano-Shqiptar për kontributin financiar, si dhe theksoi
se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër hapësirë të denjë, si për ata që
do bëjnë tregti, ashtu edhe për ata që gjatë pasdites do ta frekuentojnë atë
për të pushuar apo për të kaluar kohën e lirë.

 

“Kemi ecur jashtëzakonisht mirë me një nga projektet
ikonë të qytetit tonë, si projekti i Pazarit të Ri. Kemi hyrë në një fazë të re
të bashkëpunimit, ku nuk jemi aty thjesht për të kërkuar ndihmë, por si bashkëpunëtorë
dhe partnerë. Kjo do të thotë se Fondi Shqiptaro-Amerikan po financon pazarin
dhe tregun e fruta-perimeve dhe sheshin, Bashkia e Tiranës po bën tregun dhe markatën
e mishit dhe të peshkut, kurse qeveria qendrore me anë të FZHR-së, po na
ndihmon me fasadat dhe rritjen e vlerës së gjithë pronave përreth”, tha Veliaj.
Më tej, ai u shpreh besimplotë se brenda këtij viti do të përfundojë një pjesë
e këtij pazari, që ka të bëjë me tregun e fruta-perimeve dhe markatën e mishit
dhe të peshkut.

 

“Deri në fund të vitit do të përfundojmë tregun e
fruta-perimeve dhe tregun e mishit edhe të peshkut; deri në pranverë do të kemi
mbaruar fasadat për të krijuar një model se çfarë do të jetë Tirana e së
ardhmes, një hapësirë komunitare, ku edhe pse jemi shumë veta na duhet ta
ndajmë atë territor bashkë, një hapësirë ku kujdesemi sepse çdo kujdes ndaj
pronës publike është në thelb një rritje e vlerës së pronës private. Kjo besoj
jo vetëm për njësinë 2, që është zemra e Tiranës dhe kufiri mes njësisë 2 dhe 8,
por për gjithë Tiranën besoj që kjo do të jetë graviteti dhe epiqendra e jetës
publike në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Ai bëri të ditur se së bashku
me Fondin Amerikano-Shqiptar po punohet për të zbatuar në këtë pazar edhe një
mënyrë të re menaxhimi, e njohur edhe në vendet e tjera të botës.

 

“Ideja është që të gjithë ata që do të punojnë,
investojnë, do të shesin dhe do të blejnë, që do të banojnë këtu, do të jenë
gjithashtu edhe bashkëaksionerë të administrimit. Pra do të kemi një
administrim të përbashkët, si një zonë e zhvillimit të biznesit për të ofruar
një model të ri se si investimi ka jetë të gjatë falë një menaxhimi korrekt.
Jemi duke parë me Fondin Amerikan disa koncepte menaxhimi, një treg të ngjashëm
në Londër, disa tregje në vende të tjera, po marrim elementet më të mira,
sigurisht duke i përshtatur në kostumin e një mentaliteti shqiptar të operimit
në hapësirën publike”, theksoi Veliaj. Ai sqaroi edhe një herë se është menduar
që Pazari i Ri të jetë një hapësirë që të funksionojë 24 orë, ku paradite
fokusi më i madh të jetë tek çështjet e tregtisë dhe të pazarit dhe pasdite të
jetë kryesisht në çështje të kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe
aktivitete të tjera kulturore, siç mund të jenë shumë prej festave apo panaireve.

 

Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan
për Zhvillim, Michael Granoff theksoi se ky është një projekt dhe një shembull
jashtëzakonisht i mirë për të treguar se si puna në ekip mund të përmirësojë
jetën e qytetit dhe qytetarëve. “Siç e shihni, ky është një projekt mjaft
ambicioz, që ka mundësinë të transformojë, jo vetëm këtë zonë, por të fillojë
gjithashtu transformimin e gjithë qytetit të Tiranës. Është një projekt goxha i
madh, që askush nga ne nuk mund ta bënte vetëm dhe shembulli më i mirë që jep
ky projekt është bashkëpunimi dhe partneriteti i krijuar midis Bashkisë, ekipit
tonë dhe midis qeverisë qendrore, për të arritur një  përfundim dhe një rezultat sa më të mirë. Ky
nuk është vetëm një projekt publik, është një projekt i një partneriteti publik
dhe privat. Ideja është që të gjithë personat që jetojnë dhe punojnë këtu do të
jenë pronarë të kësaj hapësire”, tha Granoff.