Veliaj në Petrelë: Kalaja, jo më kafeneja e ish-kryetarit të komunës

149
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar sot administratorin e kësaj njësie vendore, Sokol Kupi, ku një ndër porositë kryesore ishte bërja e një inventari për të gjithë nevojat që kjo zonë ka për investime dhe më pas do të pyetet komuniteti për nevojat prioritare.Gjatë këtij prezantimi, kryebashkiaku vuri theksin tek privatizimi i aseteve publike, që sipas tij, ka ardhur koha t’i jepet fund. 

“Në Petrelë do të fillojmë me lirimin e territorit të Kalasë. Nuk mund të kemi privatizim dhe kafeneizim të aseteve publike dhe monumenteve të kulturës. Kalaja e Petrelës është monument kulture dhe nuk mund të vazhdojë të jetë përjetësisht kafja e ish-kryetarit të komunës. Nëse nuk lirojmë dot Kalanë e Petrelës, është e kotë të përpiqemi të lirojmë trotuaret e Tiranës. Petrela dhe zonat përreth saj kane një potencial fantastik për turizmin”, u shpreh Veliaj.