Veliaj: “Në mandatin e dytë do të bëjmë edhe 50 kënde të tjera; Të mirëmbajmë investimet e realizuara”

414
Sigal

Bashkia e Tiranës mban fjalën, fëmijët tek blloku i ambasadave me kënd të ri lojërash

Pas rehabilitimit të bllokut të banimit, komuniteti pranë zonës së Ambasadave ka edhe një kënd të ri lojërash, të cilin Bashkia e Tiranës e ndërtoi pas një kërkesë të hershme të fëmijëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi këndin e ri në Njësinë 7, një hapësirë fantastike që plotëson nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhëse për të rriturit.

 

“Jam shumë i lumtur që kemi krijuar një hapësirë fantastike, pas urbanizimit të gjithë zonës. Jemi pas bllokut të Ambasadave, zonë e cila u rehabilitua vjet, kur morën edhe një kërkesë nga fëmijët, që siç ka ambjente për të rritur, të ketë ambjente edhe për fëmijët. Jam i lumtur që kemi këndin e 50 të lojërave; tani kemi dy kënde në Njësinë 7”, tha Veliaj.

Ai siguroi se edhe në mandatin e dytë, një nga prioritetet do të jetë ndërtimi i këndeve të reja. Brenda katër viteve të ardhshme Tiranës do t’i shtohen edhe 50 të tjerë. “Mbaj mend që kur filluam këtë punë para katër vitesh, kontrasti midis rrugës së Ambasadave dhe këtij vendi ishte Shqipëria e viteve ’90; pra, jashtë shtetit ishte rruga andej, kurse Kandahari dhe gjithë çudirat e Shqipërisë së tranzicionit ishin pas murit të ambasadave. Fakti që sot kemi një sipërfaqe publike të rehabilituar, fakti që pas urbanizimit të zonës kanë ardhur edhe këndet e lodrave, na frymëzon shumë që në mandatin tjetër të bëjmë edhe 50 kënde të tjera”, u shpreh ai.

 

Veliaj kërkoi prej banorëve të bllokut të pallateve që të mirëmbajnë investimet e kryera, duke krijuar mundësi për të vijuar me investime të tjera. “Duam shumë që të mirëmbahen, ndaj u kam kërkuar banorëve, ndërlidhësve të komunitetit, që të hedhin një sy. Ne nuk mund t’i vëmë policë çdo investimi në Tiranë. Kjo kërkon mirëkuptim; shumica e banorëve janë të rregullt, do mundohemi që të disiplinojmë edhe të tjerët që e mbajnë mend Shqipërinë e viteve ’90, që ishte një rrumpallë, ku ti mund ta parkosh makinën tënde me targa angleze ku të duash, diçka që nuk do të ndodhte në Angli, por mendon se Shqipëria nuk ka ndryshuar. Lajmi i mirë është që Shqipëria, Tirana kanë ndryshuar, njerëzit sot sillen si evropianë, nuk ndotin, nuk bërtasin, nuk urinojnë në publik, nuk pështyjnë”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se ndërtimi i këtyre këndeve të lojërave dhe i terreneve sportive do sjellë edhe një brez të ri më të mirë e që di të luajë në skuadër. “Duam që edhe të mësuarit se si të luajmë, si të ndërtojmë skuadër, të mësojmë të humbasim, të të fitojmë, pra t’i marrim këto parime që fëmijë, që kur të rriten, të jenë tamam qytetarë. Sot kemi të rritur në politikë që s’pranojnë dot humbjen, s’pranojnë dot rezultatin, garën dhe një ndër arsyet vjen se kanë pasur fëmijëri që s’kanë mësuar të luajnë në skuadër. Nëse ua mësojmë këto parime fëmijëve që në këtë moshë, atëherë besoj se kemi bërë diçka realisht me vlerë”, deklaroi Veliaj.

Në katër vjeçarin e parë, Bashkia e Tiranës i kushtoi një vëmendje të shtuar fëmijëve të qytetit, duke ndërtuar 50 kënde lojërash në disa lagje. Projekti i “100 lagjeve”, që do të zbatohet në mandatin e dytë, synon transformimin e 100 lagjeve të Tiranës në mjedise e hapësira komunitare.