Veliaj në Bërzhitë: Ndërtojmë një shkollë te re dhe transport publik me standarde

461
Një shkollë e re 9-vjeçare dhe mbulim i plotë me transport publik, ishin dy nga premtimet e kandidatit të koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, për banorët e Bërzhitës, e cila pas 21 qershorit do të jetë pjesë e bashkisë së kryeqytetit. Në prezantimin e programit të tij për këtë zonë, Veliaj deklaroi se e votuar numrin 6 në datën 21 qershor, qytetarët e Tiranës do të votojnë për një kryetar bashkie që shkon në punë dhe i rri punës te koka.
“Ashtu siç bëmë në Krrabë apo në Baldushk, dua t’ju propozoj një kontratë me 8 pika konkrete se çfarë do të bëjë koalicioni ynë në krye të Bashkisë së Tiranës për komunën e Bërzhitës. Gjëja e parë, do ta mbulojmë Bërzhitën me transport publik sepse sot është e pafalshme që dikush që banon në Bërzhitë duhet të paguajë një faturë të kripur për të zbritur deri në Tiranë. Do të kemi një linjë transporti për Bërzhitën, ku çdo qytetar i Tiranës, nuk ka rëndësi nëse jeton në Krrabë, në Bërzhitë, në Baldushk, Petrelë apo në Farkë, apo në çdo lagje të re të Tiranës, do të trajtohet njësoj me respekt, nga i njëjti shërbim me standarde” deklaroi Veliaj.
Ai premtoi se pas 21 qershorit, bashkia do të përfundojë ujësjellësin në Ibën e Sipërme, te Kafja e Xhafës dhe në Dobresh. “Është viti 2015 dhe lagje të tëra të Tiranës janë pa ujë. Çfarë bëri kryetari i komunës, përveçse vodhi për vete? Pse nuk i solli ujë Bërzhitës? Tirana pa ujë, Bërzhita pa ujë! Ata në drejtim të paditur, ne në drejtimin e duhur për t’i sjellë ujë Tiranës dhe Bërzhitës”, u shpreh Veliaj. Mandej, ai shtoi se do të kryejë investime në infrastrukturën e zonës. “Për të gjithë ata që banojnë në Pashkashesh dhe në Kllojkë e dinë se rruga është një skandal i vërtetë. Ne nuk mund të kemi zona të izoluara, ku nuk shkon dot një ambulancë, zjarrfikëset, ku askush nuk shkon dot në shkollë apo në punë. Ndaj me votën e 21 qershorit ne do të përfundojmë rrugën Pashkashesh-Kllojkë, që këto dy fshatra të mos kenë më problem lidhje me komunikimin”, tha kandidati Veliaj. 
Gjithashtu, ai premtoi ndërtimin e një shkolle të re 9-vjeçare, duke qenë se zona ka probleme me mbipopullimin e klasave, njësoj si në Tiranë. “Imagjinoni dot që nxënësit e shkollës “Kosova” shkojnë te Liceu dhe nxënësit e Bërzhitës shkojnë te shkolla “Kosova”. Kjo është arsyeja pse në Bërzhitë ne do të ndërtojmë një shkollë tjetër 9-vjeçare, që të kemi mundësi të sistemojmë të gjithë nxënësit e zonës, pa u detyruar që të dynden në shkollat e Tiranës, aty ku tashmë situata është kritike, e ku rrinë nga 3-4 veta në bankë, 60 vetë në klasë”, tha Veliaj. Sipas tij, kjo është arsyeja pse me votën e 21 qershorit edhe banorët e Bërzhitës do të votojnë drejtimin e duhur për të ndërtuar shkollën e re.
Programi për Bërzhitën
1. Mbulimi i Bërzhitës me linja Transporti Publik;
2. Rikonstruktojmë digën e Skurranës për të furnizuar me ujë për vaditje fshatrat Ibë e Poshtme, Pëllumbas, Dobresh dhe Bërzhitë.
3. Pastrimi i kanaleve vaditëse në Kllojkë dhe Pëllumbas;
4. Përfundimi i ujësjellësit në Ibë të Sipërme dhe në Dobresh;
5. Përfundimi i rrugës Pashkashesh-Kllojkë;
6. Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare Mihajas;
7. Ndërtimi i një Qendre Shëndetësore në Mihajas;
8. Hapja e rrugës 3.5 Km që lidh fshatrat Mihajas-Lugë-Shalqizë-Kus me rrugën nacionale.
Sigal