Veliaj në Baldushk: Transport urban për të lidhur zonën me Tiranën

45
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ishte sot padite në Baldushk ku ka prezantuar programin e tij, duke u ndalur konkretisht në projektet për këtë zonë.
Veliaj nuk i ka kursyer akuzat për qeverisjen lokale të Baldushkut si dhe të Bashkisë së Tiranës, duke i quajtur të dështuara. Ai premtoi transportin urban për të lidhur këtë zonë më shpejt me Tiranën, si dhe ujë të pijshëm dhe projekte të shumta në insfrastrukturë.
“Surpriza më e bukur, entuziazmi i jashtëzakonshëm. Baldushku është gati të shkojë në drejtimin e duhur. Jemi vetëm 12 ditë larg nga dita e fitores. Baldushku është një nga 24 lagjet e reja të Tiranës dhe ne do të fitojmë në Baldushk si në të gjithë Tiranën, 24 me 0. Sepse njerëzit duan ndryshim. PD e ka patur shansin ti shërbejë Baldushkut dhe Tiranës por dështoi”, deklaroi Veliaj.
Ai u tha banorëve të Baldushkut se të gjitha partitë, duke përmendur ato të koalicionit ASHE, janë bërë bashkë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.
“Kjo është arsyeja pse PS, LSI, FRD, PDIU, të gjithë partitë e shqiptarëve janë bërë bashkë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. Aleanca jonë është aq e madhe sa edhe të djathtët do vijnë të votojnë në drejtimin e duhur sepse duan ndryshim. Duam që në 4 vitet e ardhshme të mbulojmë Baldushkun me linjën e transportit publik, që banorëve ti shërbehet me dinjitet. Jemi në vitin 2015 dhe Baldushku dhe Tirana që rrethohen nga uji është pa ujë. SHQUP-i e kishte mundësinë por nuk bëri asgjë, ndaj ata do të shkojnë në shtëpi dhe ju në drejtimin e duhur. Baldushkut ja duan gjelat e detit, por kur vjen puna për ti shërbyer rrinë si gjelat mbi pleh. Nuk duam njerëz që rrinë si gjela, duam njerëz që punojnë”, u shpreh Veliaj.