Veliaj me votuesit për herë të parë: “Një elefant përtac e zgjojnë nga gjumi vetëm 1 milion të rinj”

40
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ftoi sot të rinjve që votojnë për herë të parë, që në 21 qershor ta përdorin me zgjuarsi forcën e votës dhe të votojnë drejtimin e duhur. Në takimin e zhvilluar në oborrin e selisë së Partisë Socialiste me votuesit për herë të parë, kandidati i majtë tha se përmes votës secili prej nesh ka e në dorë ta zgjojë nga gjumi 4 vjeçar Bashkinë e Tiranës.
“Kur njerëzit po përmendin një bashki që ka kaq kohë që fle gjumë, një elefant të madh përtac që fle gjumë, ka vetëm një mënyrë sesi mund të zgjohet. 1 milionë të rinj që bëhen bashkë në një qytet me 1 milion banorë dhe që e zgjojnë nga gjumi këtë elefant përtac. Unë besoj se kjo është fabula më e bukur e asaj që duam të bëjmë”, u tha Veliaj të rinjve. Ai solli në vëmendje se së bashku me shumë vullnetarë të rinj, ekipi i tij arriti të dokumentonte çdo problematikë të Tiranës. Kandidati i majtë theksoi në këtë fushatë u prekën gjërat konkrete me të cilat merret bashkia, me ndriçimin e qytetit, pastrimin e tij, ngrohjen e kopshteve dhe shkollave, shtrimin e rrugëve, standardet dhe higjienën në tregjet tona.
“Për herë të parë, në vend që të kishim një program dhe të bënim premtime për tramvajin dhe qilima fluturues, vendosëm të hartonim 24 programe për secilën njësi, sepse unë besoj se në fund të ditës njerëzve u intereson jeta e tyre, lagja e tyre, hallet e tyre”, theksoi Veliaj. Nga ana tjetër, ai tha se kundërshtarët nxorrën disa të rinj që të sajojnë dhe të shpifin për situata që nuk ekzistojnë. Ndaj, Veliaj theksoi se duke fituar bindshëm më 21 qershor do të zhduket edhe kultura që të rinjtë ndërsehen mes tyre për të larë hesapet e disa pleqve të politikës.
Më tej, Veliaj u tha të rinjve se për herë të parë do të shkojnë më datën 21 qershor për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes së Republikës së Shqipërisë. “Atë ditë jemi të gjithë barabartë dhe të gjithë kemi një votë, vetëm një votë. Ndaj dhe unë dua t’ju inkurajoj që këtë forcë ta përdorni me zgjuarsi. Qyteti ynë, Republika jonë, në një farë mënyre është si një grupim aksionerësh. Bashkia e re e Tiranës ka 1 milionë aksionarë, të gjithë banorët kanë aksionet e tyre dhe si një bord aksionerësh, secili me votën e vet, vendos drejtimin që kjo sipërmarrje do të ndërmarrë më datën 21 qershor”, tha ai.
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës u rrëfeu të rinjve se votën e tij të parë në vitin 2000 e ka hedhur për Edi Ramën. Ai tha se në një farë mënyre edhe vota e tij bëri një diferencë për Tiranën e viteve 2000. “Arsyeja pse e mbaj mend është se vota ime vlejti për të sjellë atë ndryshim në Tiranë. Nëse kam një inkurajim për t’ju dhënë është që ta bëni votën të vlejë. Në këtë mbledhje të aksionerëve të Tiranës, ku ftoheni të merrni pjesë për herë të parë, siguroheni që jepni peshën tuaj, jepni vlerësimin tuaj, jepni mendimin tuaj, për të thënë si e doni drejtimin e ri të Tiranës”, deklaroi Veliaj. 
Një tjetër arsye, që sipas kandidatit të majtë, vota ka shumë vlerë është edhe ajo çfarë ndodhi në vitin 2011. “Ne fituam me 10 vota. Secili prej nesh ishte një nga ato 10 votat e fundit. Unë besoj se për katër ditë kemi një shans fantastik që edhe të vendosim drejtësi për ato 10 vota që transformuan vullnetin e qytetarëve. Nëse dikush ka dyshim dhe thotë a vlen realisht vota ime, ajo që ndodhi në 2011 është përgjigja më e saktë. Vlen sepse një votë bën diferencën”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se në 21 qershor të rinjtë kanë mundësi të mabjnë një qëndrim për premtimet që nuk u mbajtën në këto 4 vjet.