Veliaj: “Kthyem një ‘minifshat’ në një nga lagjet më të mira të Tiranës; Fokusi ynë është puna”

659
Sigal

Përfundon rehabilitimi i bllokut të banimit prej 1.6 hektarësh në Njësinë 3

Blloku i banimit prej 1.6 hektarësh, i cili kufizohet nga Rr. “Endri Keko”, “Sadik Petrela” dhe lumi i Lanës në Njësinë 3, është shndërruar në një nga lagjet më të mira të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka përfunduar një nga investimet më të rëndësishme në këtë njësi, duke nxjerrë në dritë transformimin e madh që ka pësuar i gjithë blloku i banimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se, pas investimit, lagjja ka ndryshuar shumë. “Mbaj mend kur kemi qenë këtu, meraku i njerëzve ishte se jetonin në Tiranë, por nuk u dukej si Tiranë. Kishin lënë fshatin e tyre në Kolonjë, në Devoll ose fshatrat e largët të Korçës, dhe ishin kthyer në një minifshat që vetëm si lokacion ishte në Tiranë, kurse ujërat e zeza derdheshin në Lanë dhe ujin e mbushnin me kova. Për ndriçim nuk bëhej fjalë fare, ndërkohë sot kemi kaluar në ndriçim LED. Në fakt, është punuar më shumë nën tokë se mbi tokë. Ne shohim asfaltin dhe muret dekorative që i kanë kthyer nga shtëpi në proces legalizimi, në vila të legalizuara dhe të hipotekuara”, tha Veliaj.

Ai theksoi se edhe në këtë rast, Bashkia e Tiranës ka treguar se është e fokusuar vetëm te puna, pavarësisht faktit nëse ka pasur zgjedhje apo përpjekje të politikës për të penguar punimet. “Kemi treguar se vetëm kur fokusohemi te puna dhe problemet konkrete mund të kemi rezultat. Kemi sot përpjekje me protesta, me sherre, me grindje, me pengesa, të një pjese të politikës që mundohet të na fokusojë te problemet e tyre dhe te hallet që ata kanë. Ndërkohë, fokusi duhet të jenë te hallet, te problemet, që kanë njerëzit, te zgjidhjet që kërkojnë ata. Për të gjitha këto arsye, jam shumë krenar për të gjithë skuadrën që ka punuar e rehabilituar një bllok jashtëzakonisht problematik të Njësisë 3”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj nënvizoi se transformimi që ka pësuar kjo lagje do të vijojë edhe në zona të tjera të Njësisë 3, ndërsa u shpreh se Bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë periudhën e verës për të intensifikuar punimet në të gjitha projektet e saj. “Ky ndoshta nuk është qyteti më i ri në botë, por është qartazi lagjja më e re e kryeqytetit më entuziast në botë. Mezi pres që të njëjtin ndryshim që kemi parë këtu ta vazhdojmë në fazën e dytë, te “Sadik Petrela”, dhe më pas aksi kryesor “Xhanfize Keko”, ku po punohet. E vetmja porosi që kam është të shfrytëzojmë verën, ndërkohë që njerëzit janë me pushime, Tirana është pak më e lirë dhe rrugët kanë më pak trafik”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku tha se gjatë këtyre javëve do të bëhen edhe përgatitjet e fundit para se të nisë sezoni i ri i çerdheve dhe kopshteve, për t’i krijuar mundësi banorëve të lagjeve respektive dhe familjeve në pamundësi ekonomike apo ato që vijnë nga shtresat vulnerabile. “Dua të nisim përgatitjet për regjistrimet në kopshte dhe çerdhe. Kemi një kërkesë të jashtëzakonshme, por do të duhet të gjejmë balancën mes atyre që janë banorë dhe iu takon, por edhe atyre që janë në gjendje të ngushtë ekonomike që kërkojnë pak ndihmë apo ata që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian ose nga familje që kanë fëmijë me aftësi speciale që duan një vëmendje të veçantë”, deklaroi Veliaj.