Veliaj ironi me Bashën: Një parti që ka gjysmë milionë euro nga rusët, mund ta mbjellë edhe një pemë

25
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka komentuar edhe nismës për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja në kryeqytet dhe kritikat e opozitës.
Duke folur në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Veliaj deklaroi se ai i mirëpret kritikat, por kur ato vijnë nga një parti që e la Tiranën në rënie të lirë, nuk e merr dot seriozisht.
Kryebashkiaku Veliaj ironizoi kreun demokrat duke theksuar se një parti që ka gjysmë milionë euro nga rusët për të paguar për një fotografi, mund të mbjellë edhe një pemë.
“Tani unë e kuptoj të kritikohem nga dikush që kur menaxhoi bashkinë, ose ajo parti që menaxhoi bashkinë dhe e qau këtë punë, hajt mo, po e pranoj kritikën. Por nga një parti që në fakt Tiranën e la në rënie të lirë dhe nuk na prodhoi një pjesë të Tiranës për identitet, unë sinqerisht nuk e marr dot seriozisht, sidomos tani që ka problemet e tjera.
Një parti që ka gjysmë milionë euro nga rusët, të paguajë për një fotografi, mund ta mbjellë edhe një pemë, mund ta kapë edhe lopatën me dorë. Unë e kuptoj që t’i mund të kesh vërejtje si e bëj unë këtë punë, por mënyra më e mirë për ta bërë një vërejtje është për të thënë: Nuk mbillen pemët ashtu, ja ta tregoj unë si mbillen. Por e kam pak të vështirë të pranoj kritika nga këta që janë gjithologë dhe që nuk prekin punë me dorë”, deklaroi Veliaj.