Veliaj-Gjermeni: Pezullohen të gjitha lejet e ndërtimit, plan i ri për Tiranën

447
Pas zgjerimit me 24 herë në territor, Bashkia e Tiranës do të ketë një plan të ri zhvillimor vendor. Bëhet fjalë për një planë të mirëfilltë zhvillimi që vjen si një nevojë jo vetëm për shkak të rezervave që kanë ekzistuar për planin aktual si një plan klientelist, por edhe sepse Bashkia e re ka nevojë për një plan që trajton të gjitha zonat e Tiranës, që me ndarjen e re territoriale janë bërë pjesë e kësaj bashkie.
Për këtë qëllim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, kanë firmosur sot marrëveshjen e bashkëpunimit që do të sjellë hartimin e një plani të qëndrueshëm dhe që i përgjigjet këtij territori të ri.
Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se tashmë ka ardhur një erë e re e marrëdhënieve Bashki-Qeveri, produkt i së cilës do jetë dhe hartimi i këtij plani të ri zhvillimor. “Në fund të mandatit ne nuk duhet të mjaftohemi që të themi që i lamë Tiranës një vizion. Ne na duhet shumë më shpejt sesa fundi i mandatit të kemi një plan të zhvillimit të Tiranës dhe pastaj për pjesën tjetër të mandatit të vëmë në zbatim këtë plan”, u shpreh Veliaj.
Për rrjedhojë ai sqaroi se meqenëse plani ekzistues i trashëguar nga Bashkia e vjetër nuk do jetë më në fuqi, do të pezullohen edhe dhënia e të gjitha lejeve të ndërtimit, deri në përfundimin e planit të ri. “Nga sot, duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit t Tiranës, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, tha Veliaj.
Gjithashtu ai ka paralajmëruar se Inspektoriati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një verifikim të të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna deri më tani nga bashkia e mëparshme, për të parë ligjshmërinë e tyre. “Do bëjmë të gjithë verifikimin e ndërtimeve pa leje, shkeljet në urbanistikë apo edhe një audit të lejeve që janë dhënë, që parregullsitë trajtohen ligjërisht”, u shpreh Veliaj. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur gjithashtu se plani i ri do të jetë gati brenda vitit të parë të këtij mandati.
Sigal