Veliaj apo Klosi në finish përballë Kosovës ose Bogdanit për kryebashkiakun e Tiranës

459
Kryetarët e PS-së dhe PD-së janë në një siklet të madh për zgjedhjet e 21 qershorit, ngaqë ende nuk kanë arritur të sheshojnë mosmarrëveshjet e fundit, që kanë me aletët e tyre, qoftë edhe pse janë në dilemë për të dhënë mandatin e kandidaturave për kryebashkiakun e Tiranës, ngaqë duan jo vetëm të ruajnë ekuilibrat brenda partisë, por edhe të kenë garancinë absolute, se kandidati do të fitojë. Të mërkurën pritet që e Majta të zyrtarizojnë kandidatët e saj për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ndërkohë, partitë politike kanë kohë deri në fundjavë për t’u regjistruar pranë KQZ-së, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Dilema e Ramës: Veliaj apo Klosi?
Edi Rama kohë më parë, ka deklaruar publikisht, se Erion Veliaj nuk do të ishte kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. “Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë… Mund t’u them se Erion Veliaj do të jetë ministër deri në fund të mandatit”. Madje, edhe në asamblenë e PS-së për Tiranën, 3 emra dolën kandidatë për Tiranën: Klosi, Majko dhe Nikolla, plus Albana Dhimitri, që u shtua listës nga Shoqëria Civile. Emri i Veliaj u shtua në listë, më shumë me të thëna, që çuditërisht, dikush anonim i përhapi, por që mbizotëroi mbi opinionet dhe rregullat e strukturave të PS-së. Bledi Klosi gëzon një mbështetje edhe në bazën e PS-së, veçanërisht në atë të Tiranës, ndërsa Veliaj dihet që është i përzgjedhuri i Ramës që nga koha kur drejtonte “Mjaft” apo edhe më vonë “G 99”, por që nuk gjen asgjëkundi përkrahje në PS, në bazë. Megjithatë, Rama po i mban pezull që të dy dhe po luan me ta deri në momentin e fundit, deri në perversitet. Burime të besueshme për gazetën “Telegraf” brenda qeverisë konfirmuan se Rama i ka kërkuar Veliajt të mbajë një profil të ulët gjatë këtyre muajve, pikërisht sepse ai mund të jetë kandidati për Bashkinë e Tiranës dhe tjetra, Rama, do ta shpallë kandidaturën e Veliaj, në finish të afatit, për arësye që të mos i japë shumë kohë opozitës, që ta kritikojë.
Nëse është Veliaj, përballë do ketë Bogdanin. Nëse është Klosi, përballë do jetë Kosova
Mund të duket paradoksale, por është realitet që kandidatura e PS-së për kryebashkiakun e Tiranës, do të përcaktojë edhe kandidatin nga PD-ja. Sipas burimeve konfidenciale të gazetës “Telegraf”, PD-ja dhe Basha presin të dinë se cili do të jetë kandidati i PS-së, që të mandatojnë edhe ata kandidatin e tyre për kryebashkiakun e Tiranës. Kjo është një taktikë e studiuar politike e PD-së dhe e Bashës, pasi nëse Veliaj do të jetë kandidati i Ramës, (që ka shumë mundësi), atëhere përballë tij do të vendoset kandidatura e Gert Bogdanit, një deputet i ri, por me profil politik shumë pozitiv në publik, madje, është shumë vështirë që edhe kundërshtari të gjejë sadopak pretekst për ta kritikuar. Bogdani deri tani, me kontributin e vet politik në PD, ka arritur që të gëzojë simpatinë, jo vetëm të udhëheqjes së re të PD-së e të ish kryeministrit Berisha, por edhe të PD-së në bazë, e sidomos në rininë demokratike, ku është edhe kryetari i këtij forumi rinor. Nëse PS-ja do të vendosë kandidaturën e Klosit, për të siguruar mbështetjen e plotë të bazës së PS-së, atëhere PD-ja mendon që të mbështetë kandidaturën e Halim Kosovës, duke patur parasysh përvojën e madhe, reputacionin që gëzon Kosova, qoftë si mjek, por edhe si politikan, për të balancuar kësisoj Bledi Klosin.
Kandidaturat e konfirmuara
Në disa bashki ka ende pikëpyetje për kandidatin final, por së paku në bashkitë e mëdha emrat janë përcaktuar. Në Shkodër u zyrtarizua gjatë një takimi me strukturat nga vetë kryeministri Edi Rama, emri i Keti Bazhdarit. Në Korçë do të rikandidojë Sotiraq Filo, sikurse edhe Vangjush Dako në Durrës. Në Elbasan Qazim Sejdini. Bashkia e madhe e Vlorës ku kryeson listën e deputetëve vetë Edi Rama, është ende në dilemë mes prefektes aktuale Etjona Hoxha, mjekut Dritan Leli dhe kreut të Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshani. Në Fier mendohet Armando Subashi. Në Burrel preferohet Adelina Farrici. Në Lezhë, LSI ka vendosur të rikandidojë Viktor Tushën për një mandat të 3-të, ndërsa në Kukës Hasan Halili. Bashkia e Beratit do t’i besohet kandidimit të Petrit Sinës, Gjirokastra ka Zamira Ramin, aktualisht Prefekte e qytetit. Peqini, Rrogozhina dhe Konispoli duket se do t’i lihen partisë më të re të koalcionit të majtë, PDIU-së së Shpëtim Idrizit, që duket se po e sheh veten të përçarë pas vendimit për t’u rreshtuar në krah të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Megjithatë mësohet se PDIU vazhdon të ketë ambicie edhe për Bashkinë e Patosit. Aleanca me PBDNJ-në e Vangjel Dules për 21 qershorin ende nuk është sigluar. Burime nga PBDNJ-ja i konfirmuan gazetës “Telegraf” se mbeten në pritje të thirrjes në negociata nga PS-ja, e cila i ka ofruar si zona të lira dy bashki” atë të Finiqit dhe Dropullit, të dyja njësi me shumicë minoritare, por PBDNJ-së ka këmbëngulur edhe marrjen e Himarës. Edi Rama i ka ofruar FRD-së bashkinë e Kamzës dhe Sali Shehu është kandidati për të Majtën. 
PD në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve për 61 bashki
Partia Demokratike është në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve për 61 bashkitë e vendit. Pasi degët dorëzuan në bazë propozimet për kandidatë, selia blu ka nisur një fazë intensive të testimit të kandidatëve. Bashkia e Durrësit është ajo që në fakt demokatët janë me mjaft dilema për vendimmarrjen e tyre, pasi kërkohet më ngulm nga aleati republikan, ku tashmë ka shpallur kandidaturën Agron Duka, ndërsa vetë demorkatët po testojnë Arqile Gorenë, Ardian Mukën. Për Shkodrën, gara është përqëndruar mes deputetes Voltana Ademi, dhe Sokol Ramadanit. Në Lezhë, gara është përqëndruar mes Fran Frrokajt dhe Pashk Gjonit. Për bashkinë e Kukësit, kandidojnë Bashkim Shehu dhe Arif Rexhamti. Për Bashkinë e Vlorës, kryesisë së Partisë Demokratike do t’i duhet të përzgjedhë mes kryetarit të PD-së së këtij qarku Moisi Meminaj dhe Genci Beromema. Në Fier kandiojnë Dritan Petova, Kozma Dashi, dhe Leonidha Çobo. Në Korçë kandiat potencial janë Andrea Mano dhe Ledina Aliolli. Në Elbasan Ardian Turku dhe Eugen Isaji. Në Berat, Lefter Maliqi, Shkelqim Hysaj dhe Xhevahir Ngjeqari. Mjaft të vështira negociata PD-jai ka dhe me Demokristianët, që kanë propozuar kandidatë për Bakshkinë e Pukes, Lezhës, Mirditës e Laçit. 
FRD Shkodër rebelohet kundër paktit Rama-Topi 
Ndryshe nga qendra, dega e Frymës së re Demokratike në Shkodër nuk pajtohet me idenë e një kualicioni me Partinë Socialiste. Nënkryetarja e FRD-së Shkodër, Alma Puka, tha për mediat se duhet më shumë kohë për të vendosur rreth kualicionit, kjo duke u bazuar në të mirën dhe interesin e vendit, e veçanërisht qarkut të Shkodrës. Përpara disa muajsh kreu i FRD- së, Bamir Topi, në një takim në Shkodër kishte deklaruar se Fatlum Nurja do të jetë kandidati i kësaj force politike për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 21 qershorit. Por një kualicion mes FRD dhe PS, dikton nevojën e mbështetjes së kësaj force politike për Keti Bazhdarin dhe shmangien e çdo alternative tjetër. Zëra brenda FRD-së në Shkodër janë kundër këtij opsioni,ndërsa mbështesin Nurjen për kandidat në kryeqendrën e veriut.
Sigal