Veliaj: “4 zgjidhje konkrete për të pastrehët, vitin tjetër 1500 kredi të buta”

98

Bashkia e Tiranës 1 milionë euro kredi të buta për të
pastrehët, marrëveshje me ndërtuesit për banesa sociale

 

Gazeta Telegraf/

Në Ditën Ndërkombëtare të Habitatit, Bashkia e Tiranës prezantoi disa nga
skemat me anë të të cilave synohet t’i jepet zgjidhje problemit të strehimit në
kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në
Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Strehimi për të gjithë”, e organizuar nga
Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me Fondacionin “Housing Europe”
dhe Entin Kombëtar të Banesave, theksoi seriozitetin me të cilin bashkia po e
trajton problemin e strehimit në Tiranë, duke u përpjekur që nevoja për
zhvillim urban të mos cenojë nevojën për strehim.

Për këtë qëllim, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se krahas punës për
transformimin e qytetit, bashkia ka menduar disa zgjidhje që do të zbusin
çështjen e strehimit. Një nga zgjidhjet e para është ajo ku bashkia ofron
asetet e saj, si troje apo ndërtesa jofunksionale, në mënyrë që investitorët
priv
at të ndërtojnë banesa sociale. “Po shohim disa
mundësi, si për shembull ideja për një marrëdhënie partneriteti publik-privat,
ku nëse bashkia ofron një terren të lirë, pa kosto, në një nga pronat e saj,
për të parë interesin e biznesit për të ndërtuar me kosto të ulët banesa
sociale”, u shpreh Veliaj. Por, kjo sipas tij, nuk duhet parë si zgjidhje
parësore, pasi krijon edhe efekte negative në jetën sociale të këtyre banorëve.

“Për ne është sfidë jashtëzakonisht e madhe çështja e “getozimit”. A
mjafton vetëm të ndërtosh një lagje të tërë, ku ti thua këto janë projektet
tona të banesave sociale dhe praktikisht, krijon një geto ku stacioni i
autobusi të shkollës identifikohet me banesa sociale? Besoj se një zgjidhje e
tillë ishte e mirë për krizat emergjente, por në plan afatgjatë, krijimi i
getove të tilla nuk është ide e mirë”, shtoi Veliaj. Ndaj ai theksoi se Bashkia
e Tiranës po sheh zgjidhje të tjera, si bashkëpunimi me ndërtuesit, të cilët
kundrejt një bonusi nga bashkia të mund të vënë në dispozicion apartamente me
kosto sociale për të pastrehët.

 

“Në planin e ri urbanistik kemi parashikuar që ndërtuesit dhe zhvilluesit
të kenë një bonus mbi zhvillimin e tyre; pra, një marrëveshje me bashkinë që
një përqindje të apartamenteve t’ia japin asaj për fondin e banesave sociale.
Kjo do të mundësonte që familje të tilla të ishin në çdo fillim të qytetit dhe
jo vetëm në një enklavë ose në një geto sociale, vetëm për banesat sociale”,
tha kryebashkiaku. Një tjetër zgjidhje që i vjen në ndihmë problemit të
strehimit, sipas Veliajt, janë edhe kreditë e buta që bashkia do të ofrojë me
buxhetin e vitit të ardhshëm.
 

 “Në buxhetin e vitit tjetër do të parashikojmë rreth 1 milion dollarë për
të zbutur kreditë për familjet e reja që duan të blejnë shtëpi. Llogaria jonë
tregon se me 1 milion dollarë mund të zbusim 1500-2200 kredi, në varësi të
kërkesës për sipërfaqe që do të kenë familjet aplikuese”, theksoi Veliaj. Kjo,
sipas tij, do të ketë jo vetëm efekte në çështjen e strehimit, por edhe në disa
komponentë të tjerë siç janë, gjenerimi i sistemit bankar dhe atij të ndërtimit
me afro 60 milionë euro. “Çfarë nënkupton kjo? Së pari, që disa qindra familje
do të bëhen me shtëpi. Së dyti, që sektori i ndërtimit do të ketë një zhdërvjelltësim.
Së treti, nga statistikat, çdo punë në ndërtim krijon 2 punë të tjera në
industrinë mbështetëse ndaj sektorit të ndërtimit”, tha Veliaj.

 Ai përmendi edhe mundësinë që ka krijuar qeveria italiane nëpërmjet
programit të konvertimit të borxhit për të krijuar mundësi për strehimin e
familjeve rome. “Më vjen mirë që kemi një projekt konkret. Qeveria italiane na
ka akorduar një fond nëpërmjet projektit IADSA, për të strehuar në banesa
dinjitoze një pjesë të komunitetit rom e egjiptian, të cilët janë zhvendosur
nga rrugët dhe akset që po ndërtohen”, shtoi Veliaj. Ai përsëriti edhe njëherë
nevojën për të qenë më efiçent në administrimin e fondeve që lëvrohen kryesisht
për komunitetin rom dhe egjiptian.