Vdekja e minatorit, PD: Rama ka braktisur minatorët, nuk gjen kohë as për ngushëllime

481
Partia Demokratike me anë të një deklarate për mediat ka shprehur keqardhjen e saj për vdekjen e minatorit Mehmet Dardha sot në Bulqizë dhe ngushëllon familjarët e tij. Më tej PD ka akuzuar edhe kryeministrin e vendit, Edi Rama se i ka braktisur minatorët, duke mos gjetur as kohë për t’i shprehur ngushëllime familjarëve për fatkeqësinë. 
“Ne duam të denoncojmë sot neglizhencën dhe braktisjen totale nga qeveria të minatorëve, kësaj kategorie në risk të vazhdueshëm që punojnë në kushte shpesh ekstreme për të mbajtur familjet e tyre. Prej dy vitesh, numri i minatorëve që kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës ka arritur në nivele të frikshme, dhe megjithëse ngjarjet e rënda po përsëriten, qeveria dhe Edi Rama vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie, mungesë masash për siguri e kushte të mira pune, duke i lënë minatorët në harresë.
Ngjarja dramatike dhe qëndrimet e qeverisë po vërtetojnë hipokrizinë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, të cilët kur ishin në opozitë nxitonin të përfitonin politikisht për çdo vdekje minatori dhe përbetoheshin se ata do ta ndryshonin gjendjen e tyre. Sot ka përkeqësim, dhe për dy vite ka 23 jetë të humbura nëpër galeri, më shumë se në dy dekada sëbashku, dhe Edi Rama nuk gjen asnjë minutë kohë as për të shprehur ngushëllime. Edi Rama mashtroi minatorët dhe i shfrytëzoi edhe ata si shumë të tjerë, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. Sot, ai nuk do tia dijë se çfarë ndodh as nën tokë dhe as mbi tokë me qytetarët e vendit”, përfundon deklarat e PD-së.
Sigal