Vazhdon mbjellja e pemëve, Veliaj: Do thyejmë rekordin

760
Ka vazhduar edhe ditën e djeshme aksioni i Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 mijë pemëve deri më 21 mars. Këtij aksioni vazhdojnë t’i bashkuan njerëz të artit, kulturës e sportit, ashtu si edhe qytetarë të thjeshtë. Gjatë ditëve të aksionit, kryebashkiaku Erion Veliaj ka vlerësuar donatorët që kontribuan për pemët dhe ka theksuar se me ritmin me të cilin po ecën ky aksion, rekordi i 100 mijë pemëve mund të arrihet edhe para datës 21 mars. “Ky është kampionati më i madh i gjelbërimit që po zhvillohet në Tiranë. Jemi shumë pranë rekordit tonë të 100 mijë pemëve deri në 21 mars”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se selvitë që po mbillen përgjatë Unazës do të krijojnë një brez të parë me pemë, që i jep kësaj rruge jo vetëm gjelbërim, por edhe e zbukuron nga ana estetike. “Po vijojmë me ‘qëndismën’ e gjithë Unazës jugore të Tiranës, në pjesën më të madhe të saj duke mbjellë selvi, meqenëse është edhe një pemë që jo vetëm prodhon oksigjen, por edhe dekorative”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku veçoi se pjesëmarrja e njerëzve publikë në këtë aksion është një motivim shumë i madh për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të japin ndihmën e tyre në këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. “Secili prej nesh, në politikë, në sport, në media, në biznes ka edhe një mision që është përtej punës së vet, që është misioni i të qenit një qytetar i mirë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë ato biznese, që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në këtë aksion në të mirë të qytetit. “Unë besoj që një qytetar i mirë nuk është qytetar part – time, është qytetar me kohë të plotë; pra, sa herë ka nevojë qyteti, i përgjigjet thirrjes dhe ata i janë përgjigjur thirrjes sonë. Të gjithë donatorëve që na kanë mbështetur në këto kohë, i falënderoj me shumë respekt, sepse e di që në një vend ku sport nuk është palestra ose peshëngritja, por cinizmi, ironia, parodia, përqeshja, do kurajë qytetare që të thuash jo, unë zgjedh të bëj këtë sportin tjetër që është sporti qytetar, angazhimi, përfshirja dhe mbjellja e pemëve në këtë rast apo aksione të tjera në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.
Sigal