Vazhdon bojkoti i Universiteteve/ Apeli i studentëve protestues: Na mbroni nga dhuna dhe shantazhet! Solidarizohen edhe pedagogët

454
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Denoncimi nga fakulteti i Juridikut: Peticioni për mësim është bërë nga FRESSH, të na bashkohen pedagogët

Protesta e studentëve tashmë prej një javë është bërë nëpër fakultetet e tyre duke u ngujuar. Universiteti më i fundit që ka vendosur që të ngujohet pas mbledhjes së këshillit studentor është ai i Korçës, “Fan Noli”. Sa i përket bojkotit të mësimit rreth 80% e studentëve janë pro tij, deri në zgjidhjen e kërkesave.

Studentët e Drejtësisë me 3 kërkesa për pedagogët: Na mbroni nga dhuna dhe shantazhet!

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, i janë drejtuar me një kërkesë trupës së pedagogëve. Tre kërkesat që parashtrojnë ata:

Së pari, kërkojnë mbrojtjen e tyre si akademikë dhe si prindër për të ndaluar dhunën e policisë së shtetit dhe asaj private ndaj studentëve protestues.

Së dyti, kërkojnë garanci që ndaj studentëve protestues nuk do të merren masa.

Dhe së treti, garanci se viti akademik nuk do të digjet. Kërkesa e studentëve mbyllet me thirrjen: “Na mbroni nga dhuna dhe shantazhet”! Studentët e Drejtësisë janë të parët që nisën ngujimin të enjten e 10 janarit. Është bërë publik një lajm se studentët e drejtësisë kanë nënshkruar një peticion ku kanë kërkuar mësim. Por, kjo gjë sipas studentëve, të cilët kanë që prej ditës së parë që janë në protestë dhe në ngujim, nuk është e vërtetë, pasi pa plotësimin e tetë pikave nuk ka mësim. Ky peticion është bërë nga anëtarët e FRESSH, të cilët në çdo moment janë munduar që të tentojnë e të fusin përçarje.

Pedagogët e Durrësit mbështesin protestën e studentëve

Pedagogët e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë dalë në mbrojtje të studentëve dhe kërkojnë shfuqizimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Në një deklaratë të fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit “Aleksandër Moisiu” thuhet se mbështesim plotësisht kërkesat e studentëve dhe lirinë tyre për të protestuar.