Vazhdon “beteja” mes komunistëve dhe ballistëve për 29 Nëntorin

498
Sigal

Sot, 68-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë

Dje maxhoranca bëri homazhe dhe përkujtoi Luftën Nacional Çlirimtare në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, duke mos dashur që të njohë 29 Nëntorin, si datën e çlirimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, socialistët dhe të majtët do ta festojnë sot. Pra, vazhdon kështu debati më shumë se 70- vjeçar dhe ndasitë politike mbi 29 Nëntorin. Gazeta “Telegraf” me këtë rast, ka intervistuar krerët e dy partive politike që kanë qenë protagoniste në LNÇL dhe  që i kanë rezistuar kohës deri tani, Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar. Flasin për “Telegraf”, Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i KQ të PPSH dhe me Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi.

__________________________________________________________________

Intervistë me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH,  Muharrem Xhafën

DITA QË I RIKTHEU SHQIPËRISË LIRINË DHE PAVARËSINË E VËRTETË

-Profesor, çfarë është dhe çfarë përfaqëson 29 nëntori 1944 për popullin shqiptar?

-29 nëntori 1944 është një ditë e madhe, është dita e fitores së LANÇ-it, është festa e çlirimit të atdheut. Më 29 nëntor 1944,Ushtria jonë Nacionalçlirimtare, pas një lufte të gjatë heroike, duke çliruar dhe qytetin e fundit, Shkodrën, ia doli të çlironte të gjithë territorin e vendit nga pushtuesit nazistë dhe të kurorëzonte kështu me fitoren e plotë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe revolucionin popullor. Në këtë ditë atdheu ynë u çlirua një herë e përgjithmonë prej pushtuesve të huaj, u rrëzuan nga pushteti feudalët e borgjezia vendëse, iu mbyllën dyert çdo depërtimi e ndërhyrje të fuqive imperialiste në punët e popullit e të shtetit të ri shqiptar dhe populli, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste me Enver Hoxhën në krye, u bë zot i fateve të veta, siguroi lirinë dhe pavarësinë kombëtare, hyri në rrugën e ndërtimit të shoqërisë socialiste.

-Pas përmbysjes së socializmit ka pasur kontestime e debate për datën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, që janë shoqëruar dhe me ndryshimin e qëndrimit për njohjen zyrtare të 29 Nëntorit 1944 si dita e çlirimit të Atdheut! Cili është qëndrimi juaj?

-Po, por kush e ka bërë një gjë të tillë? Partia e Punës e Shqipërisë, komunistët shqiptarë, të gjithë partizanët e ndershëm të LANÇ-it, në fakt i tërë populli ynë dhe pushteti i tij popullor, nuk kanë pasur mëdyshje për datën e çlirimit të Atdheut dhe për rolin e vlerat e LANÇ-it.                Sa për një kujtesë, deri në fillimin e viteve ’90, 29 nëntori 1944 njihej dhe festohej nga populli si data historike e çlirimit të Atdheut dhe si dita e festës së çlirimit të tij dhe e fitores së revolucionit popullor në Shqipëri. Duke filluar nga kjo kohë, për disa vite si datë e çlirimit të Atdheut u imponua dhe u njoh zyrtarisht nga shteti 28 nëntori 1944. Ky shndërrim dhe ndryshim i turpshëm u bë nga politika antikomuniste e borgjezisë shqiptare në pushtet. Por është për të ardhur keq që e majta në Shqipëri ende ka frikë të flasë për të vërtetën e LANÇ-it, për vlerat dhe për madhështinë e fitores së saj. Ajo, në ndryshim nga simotra e saj e djathtë, edhe pse e pranon LANÇ-in, edhe pse e vlerëson atë, edhe pse bën jo pak veprimtari në nderim të dëshmorëve të Atdheut e të gjakut të derdhur për liri, ajo sërish nuk e ka kurajon të thotë publikisht se këtë Luftë e organizoi, e udhëhoqi dhe e çoi në fitore Partia Komuniste e Shqipërisë me udhëheqësin e vet në krye, Komandantin e Përgjithshëm të saj, Enver Hoxhën. Po kështu, ndonëse socialistët nuk mungojnë të thonë se e duan dhe e respektojnë LANÇ-in, por ama pa udhëheqësin e saj politik dhe pa Komandantin e saj të madh, Enver Hoxhën?! Si t’ia vësh emrin kësaj? Për një parti të madhe si PS-ja dhe për origjinën e saj, kjo është e pafalshme. Merita për këtë, në radhë të parë e mbi të gjitha, i përket PKSH dhe udhëheqësit të saj, Komandantit të Përgjithshëm të LANÇ-it, Enver Hoxhës.

-Në 100 vjetorin e Pavarësisë 29 Nëntori 1944 thuajse nuk është përmendur. Përse kështu?

-Saktë! Në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, shteti dhe organizmat e tij nuk thanë ndonjë fjalë të mirë për LANÇ-in e 29 Nëntorin 1944, përkundrazi i kanë anatemuar ato bashkë me epokën e socializmit, siç kanë derdhur vrer të zi ndaj Enver Hoxhës e veprës së tij. LANÇ-in e kanë quajtur luftë civile, luftë vëllavrasëse, lojë të jugosllavëve, është derdhur mbi të një urrejtje patologjike, një vandalizëm i tipit mesjetar, i cili u përplas me tërbim në këta mbi 20 vjet mbi lapidarë e monumente, mbi simbole të LANÇ-it. Përbën një paradoks të pështirë fakti që, ndërsa mbi LANÇ-in e socializmin hidhet baltë, kolaboracionistët, ballistët, zogistët dhe forca të tjera të këtij lloji rehabilitohen, dekorohen, glorifikohen, tradhtia cilësohet atdhetarizëm, krimi virtyt! Kur ia do puna, pushtetit i borgjezisë nuk ngurron të hedhë dhe ndonjë fjalë “të mirë” për partizanët, për dëshmorët dhe për vetë LANÇ-in, por me qëllim për të vënë në dukje e për të ngritur vlerat e kolaboracionistëve e të reaksionit, për të justifikuar nderet, dekoratat, shpërblimet për krerët ballistë e zogistë dhe të parisë së bajraktarëve kolaboracionistë.

-A mund të bëhet ndonjë krahasim midis Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës!

-Jo! Ahmet Zogu nuk mund të krahasohet me Enver Hoxhën, sepse ata nuk kanë të bëjnë me njeri-tjetrin. E tha bukur akademiku i madh Rexhep Qosja : Zogu është një despot oriental, tradhtar i vendit të tij, ndërsa Enver Hoxha është ndërtues i një shteti bashkëkohor. Sado ta zbukurojnë dhe me çfarëdo boje që ta lyejnë, Enver Hoxhës nuk i bën dot hije as Ahmet Zogu e as zogjtë e tjerë rreth mbretit. Në historinë e kombit shqiptar, askush tjetër nuk i ka dhënë vendit të vet sa Enver Hoxha. Figura e këtij burri të madh shteti dhe udhëheqësi komunist të përmasave botërore  nuk ka nevojë për ofiqe e monumente, veprën e tij nuk mund ta çmojnë as bijtë e atyre që u përmbysën me revolucion dhe as sharlatanët e socializmit, që i thurnin hosanara sa ishte gjallë. Nderin këtij burri të kombit me përmasa të tilla ia bën populli ynë i thjeshtë, ia bëjnë komunistët e vërtetë, ia bëjnë shqiptarët në trojet e veta amtare dhe në diasporë, ia jep fitorja e LANÇ-it, që i riktheu Shqipërisë Pavarësinë e ndërprerë nga pushtuesit e huaj, ia jep vepra 50-vjeçare e socializmit, gati e gjatë sa gjysma e 100-vjetëve të jetës së Pavarësisë së atdheut, e cila i dha  vendit tonë zhvillim të gjithanshëm bashkëkohor dhe dinjitet të njohur ndërkombëtarisht. As kjo nuk duhet harruar. Rroftë 29 Nëntori! Lavdi dëshmorëve të Atdheut!

__________________________________________________________________

Flet Adriatik Alimadhi, Kryetar i Partisë BK

29 NËNTORI ËSHTË DITA E PUSHTIMIT TË SHQIPËRISË NGA KOMUNISTËT

– Zoti Alimadhi, ju e njihni 29 Nëntorin si ditën e çlirimit të Shqipërisë?

– Ne, ballistët, 29 Nëntorin e 1944-s, e njohim si ditën e pushtimit të Shqipërisë nga komunistët. Ndaj nuk e kemi festuar dhe nuk do ta festojmë asnjëherë. Komunistët ishin ata që shkaktuan luftën vëllavrasëse, midis shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, ne nderojmë dhe vlerësojmë luftën e patriotëve shqiptarë, që luftuan kundër pushtuesve. Pa asnjë mëdyshje ballistët me në krye gjeniun e kombit, Mit’hat Frashërin, ishin njerëzit me vizion të qartë, atdhetarët e vërtetë, pasi ata e kuptuan të parët gjëmën e madhe që po i kanosej Shqipërisë. Ndaj edhe sot ë kësaj dite Balli Kombëtar, duke ecur në gjurmët e Mit’hat Frashërit dhe patriotëve të vërtetë, vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim ndaj komunistëve. Komunizmi ishte tragjedia më e madhe që ka njohur kombi shqiptar.

– Cilët ishin sipas jush, pushtuesit e Shqipërisë, në Luftën e Dytë Botërore?

– Nga 7 prilli e deri në 1942, kur filloi lufta nacionalçlirimtare e komunistëve, në Shqipëri, pushtuesit i luftuan nacionalistët shqiptarë. Mujo Ulqinaku, i cili i luftoi me armë pushtuesit italianë, ishte një nacionalist shqiptar, nuk ishte komunist, por që më vonë, komunistët na e morën si dëshmorin e tyre.

– Mujo Ulqinaku, në histori, është dëshmori i Shqipërisë dhe jo pronë partiake e ideologjike, apo jo?

– Komunistët e quajnë si dëshmorin e tyre. Komunistët pastaj, luftuan kundër ballistëve, vranë e pushkatuan shumë nacionalistë, si kundërshtarë të ideve të tyre. Pra shkaktuan një luftë të vërtetë vëllavrasëse që do të ngelet një njollë turpi për ta në jetë të jetëve.

– Po ballistët, a luftuan kundër pushtuesve të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore?

– Po gjermanët nuk ishin pushtues, ata kishin ardhur në Shqipëri, që të çlironin Shqipërinë nga komunistët. Sot, Shqipëria, a nuk ka aleatin më të madh në BE, gjermanët?

– Po nazistët gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, nuk kanë asnjë lidhje me shtetin e sotëm gjerman dhe aleancat me nazistët nuk mund t’i njehsojnë me aleancat e sotme politike. Duhet bërë një dallim i qartë mes nazistëve dhe gjermanëve të sotëm, apo jo?

– Gjermanët në Shqipëri erdhën transit dhe nuk do të kishin vrarë asnjë, po të mos i kishin luftuar komunistët. Balli Kombëtar, që vjen nga fryma e Lidhjes së Lezhës dhe nga Lidhja e Prizrenit,  nuk u pajtua me idetë komuniste, prandaj edhe Mit’hat Frashëri shkruante: “Lufta nacionalçlirimtare është një ide komuniste dhe mos u besoni kurrë komunistëve”. Askush nuk mund ta mohojë atdhetarizmin e ballistëve dhe sakrificat e mëdha që ata kanë bërë për Shqipërinë. Mendoni që gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri është bërë një masakër e paparë mbi ballistët dhe pinjollët e tyre. Pse? Sepse ata donin Shqipërinë pa komunistët, ata donin dhe duan Shqipërinë etnike, Shqipërinë e vërtetë. A nuk mbetet kjo Shqipëri etnike një ëndërr edhe sot e kësaj dite. Ja për të gjitha këto, mendoj që 29 Nëntori nuk duhet festuar dhe nderuar. Ne, ballistët nuk lëkundemi nga ky qëndrim dhe do të vazhdojmë të denoncojmë gjithë mashtrimet e komunistëve që për turpin e tyre, i vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.