Vazhdojnë skandalet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

763
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Cilat janë interesat e mospublikimit të emrave e bizneseve dhe pronarëve, që tregtojnë ushqime të helmuara?

Njerëzit helmohen nga ushqimet, ndërsa AKU vetëmburret me histori suksesi, sekuestron 8 litra qumësht dhe 9 copë biskota…

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është katandisur si polici bashkiake, që përditë publikon buletine sekuestrimi mallrash ushqimore. Dje, konkretisht, AKU, publikon “suksesin e radhës” “Sekuestron” 8 litra qumësht, 9 copë biskota, 20 copë patatina, 95 litra lëngje… dhe sipas AKU-së, kjo është sasia e sekuestruar e produkteve ushqimore të treguara në kushte jo sigurta higjienike.

AKU, katandiset si polici bashkiake, vetëm sekuestron mallra…

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se ka evidentuar tre subjekte Lushnjë, Gramsh dhe Kukës të cilët kryenin veprimtari në kundërshtim të plotë me ligjin e sigurisë ushqimore. Për sa më sipër, ndaj subjekteve është marrë masë administrative gjobë si dhe konfiskim e asgjësim të produkteve ushqimore. Kjo është e tërë historia e suksesit të djeshëm të AKU, e cila vetëpranon, që vepron si një polici bashkiake, e cila vetëm sekuestron mallra. AKU nuk përmend se cilët janë bizneset që, sipas AKU, kryejnë veprimtari të plotë me ligjin e sigurisë ushqimore. AKU nuk publikon cilat masa të sigurisë ushqimore u cenuan? Për sa kohë kryej kjo veprimtari? AKU si institucion monitorues, përse nuk e kishte parandaluar këtë veprimtari, sepse ka një ushtri të tërë me inspektorë nëpër rrethe dhe qarqe? Çfarë është AKU? Polici Bashkiake, që vetëm sekuestron dhe vendos gjoba? Po bizneset, që ushtrojnë veprimtari, duke mos zbatuar fare sigurinë ushqimore dhe AKU nuk mundet t’i kontrollojë, sa janë? Sa rrezikohet shëndeti publik nga këto veprimtari që shkelin e nuk respektojnë sigurinë ushqimore?

Qindra ton mish importi nga Brazili të infektuara, por nuk publikohet asnjë emër biznesi, pronari

Pardje, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një kontejner me ngarkesë rreth 27 ton mish (fileto pule) që vinte nga Brazili dhe pas analizimit të mostrave kanë rezultuar me prezencë salmonele. Para disa muajsh AKU sekuestroi edhe dhjetëra kontejnerë me qindra ton mish të infektuar me salmonelë, të importuara po nga Brazili. Por AKU as atëherë, as tani, nuk publikoi emrat e bizneseve dhe emrat e pronarëve të këtyre bizneseve. AKU nuk bëri të qartë analizat, dhe nuk dha sqarime, salmonela ishte marrë gjatë transportit? Tonelatat e mishit u importuan me salmonelë, që nga Brazili? Nëse është kjo e fundit, atëherë, a u denoncuan në prokurori pronarët, që blejnë në Brazil mish të infektuar sa më lirë dhe e tregtojnë në Shqipëri, për të rritur fitimet maksimale? Pyesim AKU: Është i njëjti biznes, i njëjti pronar që importon nga Brazili edhe mishin edhe pulat me salmonelë? Përse nuk e publikon? Gjobat e AKU-së, nuk e dëmtojnë biznesin, por, nëse bëhet publik emri i biznesit, që importon mish të infektuar me salmonelë, atëherë konsumatorët duhet ta bojkotojnë.

Ish-ministri Panariti për gazetën “Telegraf”: Duhet të publikohen emrat e bizneseve dhe pronarëve

-Prof. Panariti, a duhet të publikohen emrat e bizneseve të cilat importojnë dhe tregtojnë produkte të infektuara, të dëmshme për shëndetin publik?

– Unë u kam kërkuar institucioneve përkatëse që kanë zbuluar praninë e e bakterit të rrezikshëm të salmonelës, janë të detyruar edhe me ligj të bëjnë të bëjnë një raport analitik të detyruar për rezultatin, tipin, llojin e salmonelës, nga është zbuluar, sasinë e infektuar, sepse këto tregues e bëjnë serioze. Nëse ky raport nuk ekziston, atëherë mund të ekzistojë edhe dyshimi i arsyeshëm që mund të ketë edhe spekulim të dyshimtë, që mund të nxjerrë një prodhues nga tregu. Këtu tek ne kemi një mungesë totale të transparencës, e kjo bën të dyshojmë, plus që krijon edhe një panik të madh, njerëzit janë të shqetësuar. Plus që ka edhe implikime ligjore. Mundet që subjekti që është nën akuzë, të hap një proces gjyqësor. Institucioni monitorues duhet të ketë përgatitur shumë mirë dokumentacionin teknik, subjekti të bëhet i ditur publikisht, sepse, kur këto elementë mungojë, krijojnë dyshime për abuzime dhe spekulime për qëllime të caktuara.

– A është i mjaftueshëm justifikimi nga autoritetet shtetërore, që nuk publikojnë emra të bizneseve dhe të pronarëve, sepse është hera e parë, e nuk duan të prishin imazhin e bizneseve?

– Në rast se del një kampion i ndotur, kjo nuk ka të bëjë me imazhin e biznesit. Konsumatori nuk ushqehet me imazhin e biznesit, por ushqehet me produktin që tregton ky biznes. Mund të kërkojmë edhe një referencë të institucioneve ndërkombëtare, po qe se ka përplasje. Këto janë edhe prova ligjore. Ky nuk është vetëm proces analitik, por është edhe proces ligjor.

– Pse mungojnë referencat nga institucionet shtetërore, se këto sasi ushqimesh të sekuestruara nga importi, ku janë ndotur nga sëmundjet: Në vendin e blerjes, gjatë transportit?

– Kjo mbetet për t’u vërtetuar nga specialistët e fushës, e kërkon analiza të thelluara dhe serioze. Ka ndotës, që dihet se janë tipikë të origjinës, ka tipa salmonelash, që janë tipike të stallës. Analiza duhet të përcaktojë edhe origjinën e infeksionit. Nëse janë infeksione në stallë, jo akuzon vendin e origjinës. Nëse infeksioni ndodh gjatë transportit, përgjegjësinë e mban transportuesi. Prandaj unë kam insistuar që raporti analitik, i dalë nga AKU nga instituti i Sigurisë Ushqimore, duhet të jetë shumë i detajuar. Pa këto tregues, ne mund të futemi në të dhëna spekulative, të cilat mund të mos jenë as të vërteta.