“Vatra” përkujton revoltën e Qafë-Barit e Spaçit: As hebrenjtë nuk janë masakruar nga Nazistët si Shqiptarët

491
Sigal

Rrëfimi për ‘Zërin e Amerikës’ në prag të 35-vjetorit të revoltës në burgun e Qafë Barit, më 22 maj 1984

As hebrenjtë në kohën e nazizmit nuk janë trajtuar si shqiptarët në Spaç

Në prag të 35-vjetorit të revoltës në burgun e Qafë Barit, më 22 maj 1984, ku të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist, për herë të dytë pas kryengritjes në burgun e Spaçit, më 21 Maj 1973, organizata Vatra dhe aktivistë Shqiptaro-amerikanët kundër komunizmit përkujtuan revoltat e këtyre dy ish-burgjeve famëkeqe përmes një ceremonie të organizuar pranë memorialit për viktimat e komunizmit në Uashington. Pjesëmarrësit kërkuan më shumë vëmendje ndaj krimeve të komunizmit dhe bënë thirrje për ndëshkimin e tyre.

Revolta e 21 majit 1973

Bashkëvuajtësit e burgut të Spaçit dhe Qafë Barit, zgjodhën përmendoren kushtuar viktimave të komunizmit në Uashington për të kujtuar revoltën e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari që shihen si dy nga lëvizjet më të njohura kundër regjimit komunist. “Gjordeni e kishte mbiemrin. Kos Gjordeni. Ata e qëlluan që aty… Ai filloi bërtiti dhe atëherë u revoltuan të burgosurit që ishin në mensë. Hapën derën me forcë. U përleshën me policinë, e cila iku nga kampi”.

Rrëfimi i tmerrit

Naim Staravecka ka qenë i burgosur në Spaç nga viti 1979 deri në vitin 1983 për t’u transferuar më pas në burgun e Qafë Barit. Ai mban mbi supe shumë vuajtje dhe ka qenë dëshmitar i asaj revolte. “Me thënë të drejtën, unë sjell në kujtesë ata djem aq të rinj, dhe aq të mirë sa ishin që i pushkatuan dhe si u sollën me ta mizorisht. Një tmerr i vërtetë dhe mbas revoltës aty në kamp bëhej barbari e vërtetë. Nuk e di në janë trajtuar kështu izraelitët në kohën e gjermanëve”. “Nuk kemi shumë raste si ky”, thotë Lek Mirakaj, ku njerëzit të mbyllur brenda telave nën kamxhikun e policit, të ngrihen për të kërkuar liri dhe demokraci. Zoti Mirakaj kërkon më shumë vëmendje ndaj ngjarjeve të tilla që e nderojnë kombin shqiptar dhe flasin për shembullin e luftës për demokraci. “Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësuar të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”. Pëllumb Lamaj, organizatori kryesor i kësaj ceremonie i bën apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës dhe të dënojnë krimet e komunizmit. “Unë do t’i bëj thirrje institucioneve shqiptare, atyre që merren me historinë, me kulturën, t’i kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës. Është një periudhë 50-vjeçare, një periudhë që mbolli vetëm terror, mbolli vrasje, i ndau shqiptarët me luftën e klasave … dhe shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik do të thosha unë”. Gati tre dekada pas rrëzimit të regjimit komunist, krimeve të kryera gjatë asaj periudhe vazhdojnë të mos u kushtohet vëmendja dhe kujtesa që meritojnë.