“Vatra”: Mosmirënjohje ndaj SHBA dhe mesazh i rrezikshëm

526
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” deklaroi se ka ndjekur me një interes të lartë çështjen e transferimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem dhe ka mbështetur qëndrimin e Presidentit Trump pa asnjë rezervë. Federata “Vatra”, mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB. “Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë”, theksohet në një deklaratë nga Nju-Jorku. Aty nënvizohet se votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”. “Parë në zhvillimet më të fundit të diplomacisë amerikane, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, vota e Qeverisë Shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata ‘Vatra’ si një Akt Antikombëtar. Duke përfituar nga ky moment krycial i diplomacisë botërore, ‘Vatra’ shpreh publikisht mbështetjen më të thellë për Presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për të rritur autoritetin e SHBA në botë. Gjithashtu, Federata Panshqiptare Vatra vlerëson jashtëzakonisht prezantimin tejet profesional dhe mbrojtjen dinjitoze të kësaj nisme në OKB nga ambasadorja, Niki R. Halej”, nënvizon “Vatra”. Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, si organizatë shekullore dhe më e madhja e diasporës shqiptare rikonfirmoi qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. “Vatra” i bëri thirrje ndërgjegjes shqiptare kudo në botë që në këto momente delikate të rrisë dashurinë dhe besimin tek SHBA, si vendi më mik i kombit tonë. “Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po ndjek me vëmendje situatën dhe do të paraqesë shqetësimin e saj në instancat më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksohet në deklaratën e firmosur nga Presidenti i “Vatra”-s, Dritan Mishto.
Sigal