Vatikani: Kujdes! Shqipëria në prag të kaosit

488
Sigal

Gazeta zyrtare e Vatikanit, “L’Osservatore Romano”, i ka dedikuar një artikull situatës politike në Shqipëri. Sipas gazetës, situata në vendin tonë po shoqërohet dita-ditës me tensione gjithnjë e në rritje dhe me rrezikun e një vale të re eksodi të qytetarëve. “L’Osservatorio Romano” thotë se, megjithëse situata nuk ka krahasim me 97-n, mbetet i lartë rreziku se, nëse do të vijojë të mos garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, “do të përballemi me një tjetër ‘Rasti Shqipëria’, që vjen së bashku me rrezikun e një vale emigrimi, të ngjashme me atë të viteve ’90.”

Pjesë nga shkrimi i “L’Osservatore Romano”

Vazhdojnë protestat kundër qeverisë. Një tjetër manifestim me mijëra pjesëmarrës u zhvillua në kryeqytetin shqiptar, para selisë së Parlamentit. Manifestimet po mbahen me nismën e Partisë Demokratike, formacion opozitar i qendrës së djathtë, i udhëhequr nga Lulzim Basha, tashmë figura-simbol e protestave që prej javësh po vlojnë në Tiranë. Duke denoncuar kthimin e Shqipërisë në stadin e varfërisë, Basha ka kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga socialisti Edi Rama, i akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar; largim që do t’i mundësonte vendit te shkonte ne zgjedhjeve të parakohshme. Në mbrojtje të selisë së parlamentit ishin angazhuar rreth 700 forca policore. Gjatë tubimeve të mëparshme, protestat u shndërruan herë pas here edhe në përplasje të dhunshme, çka solli që policia të përdorte gazin lotsjellës dhe makinat e ujit për të zmbrapsur protestuesit që kërkonin të hynin në selinë e parlamentit apo në atë të qeverisë. Nga ana e saj, qeveria vijon të këmbëngulë se sjellja e opozitës është një pretekst për të vështirësuar çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vendim i planifikuar për t’u marrë qershorin e ardhshëm. Ekziston rreziku që Shqipëria të shihet sërish nga komuniteti ndërkombëtar me syrin mosbesues që shpesh e ka klasifikuar vendin ballkanik si të dhunshëm dhe të paaftë të vendosë drejtësi e të ndjekë politikat e duhura sociale. Gjithsesi, situata e brendshme është ndryshe nga 1997-a, kur pas një vale protestash të forta, vendi u zhyt në anarki. Sot populli shqiptar po tregon maturi dhe duket se vendi ka nxjerrë mësimet e duhura nga historia. Por prapëseprapë mbetet droja se, nëse do të vijojë të mos garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, do të përballemi me një tjetër “Rasti Shqipëria”, që vjen së bashku me rrezikun e një vale emigrimi të ngjashme me atë të viteve ’90.