Vatikani i zhgënjyer: Shqipëria pa ambasador

675
Sigal

Dje ishte 25-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes
Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Pas dhjetëra viteve vuajtjesh dhe
përndjekjesh ndaj klerit katolik, nga sundimi komunist, më 1991 u rivendosën
marrëdhëniet në rang ambasadori mes Tiranës zyrtare dhe Vatikanit. Por 25 vjet
pas rivënies së marrëdhënieve zyrtare, Selia e Shenjtë, nëpërmjet organit të
saj zyrtar, “Radio Vatikanit”, shpreh zhgënjimin që përfaqësimi i Shqipërisë në
Vatikan nuk është në nivelin e duhur diplomatik. “Në 25 vjetorin e
marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë,
Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është pa ambasador”. Kështu shprehet
sektori shqip pranë organit zyrtar të Selisë së Shenjtë, “Radio Vatikanit”, në
një qëndrim editorial në 25 – vjetorin e marrëdhënieve Vatikan – Shqipëri.
Sipas “Radio Vatikanit”, i fundit ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së
Shenjtë është larguar në Nëntor të 2013. Dhe prej gati tre vjetësh, kjo
ambasadë drejtohet me të ngarkuar me punë, në disproporcion të plotë me
përfaqësimin e Vatikanit në Shqipëri, që ka qenë gjithnjë në rang ambasadori.
Aktualisht, në krye të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është
Visar Zhiti, në pozicionin e të ngarkuarit me punë. Ky i fundit e mori këtë
detyrë pasi nuk u dekretua më herët si ambasador nga Presidenti i Republikës.
Kisha Katolike në Shqipëri e kundërshtoi fort kandidaturën e Zhitit si
ambasador, duke bërë madje një deklaratë të fortë publike kundër tij. Pas këtij
qëndrimi të Kishës Katolike në Shqipëri, edhe Presidenti i Republikës nuk e
dekretoi z. Zhiti si ambasador. Por, pavarësisht këtyre, qeveria vendosi ta
dërgojë z. Zhiti si të ngarkuar me punë, duke i lënë sot e kësaj dite
marrëdhëniet me Vatikanin jo në nivelin e duhur të përfaqësimit.