Vasilika Hysi:“Me paratë e taksapaguesve, nuk paguhen shërbime sociale, por bëhet makijazhi i qeverisë”

456
Sigal

 INTERVISTA/Vasilika Hysi, deputete e PS-së: “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është në mëshirë të fatit ”

Bëhemi përditë dëshmitarë okularë të përkëmbjes të së drejtave të fëmijëve, por në të shumtat e rasteve, ose heshtim, ose dëftohemi shpërfillës. Shumë-shumë, mund të reagojmë, kur pasojat e këtij derivati shoqëror, shfaqen paskëtaj, në formën më të skajshme. Me dhunën e kriminalitetin e të rinjve, e cila ka rritje shqetësuese. Mjaftohemi, të marrim masa parandaluese, duke ushtruar mbi të rinjtë keqbërës, gjithë ashpërsinë ligjore, duke menduar se kriminaliteti do të  luftohet po me dhunë. Nuk duam të analizojmë shkaqet e fenomenit shoqëror, çfarë i detyron këta të rinj të bëhen mbartës të kriminalitetit? Pikërisht, përshkelja e të drejtave të Fëmijëve, mosintegrimi i tyre, janë shkaqet e para që fëmijët, që në adoleshentë, të kenë prirjen të bëhen pre e  krimit. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysa, si një eksperte ligjore, në intervistën për “Telegraf”, duke analizuar fenomenin shoqëror të Mbrojtjes të së drejtave të Fëmijëve, parashtron edhe detyrimet që kemi, për të dhënë një zgjidhje, para se të jetë vonë.

 – Zonja Hysi, ku fillon shkelja e të drejtave të Fëmijëve?

– Para disa ditës disa prindër fëmijës të një shkolle 9 vjeçare, në fshatin Lalm, komuna Vaqarr, më shprehen një shqetësim për drejtorin dhe mësuesin e kësaj shkolle, i cili vjen i pirë në shkollë, përdor fjalë fyese dhe kërcënuese për fëmijët dhe u tregon atyre forcën, sesi mund t’ia “presë zverkun fëmijës si zogut të  pulës”. Kur dikush e ngre zërin për t’u ankuar, shpesh ata, që janë përgjegjës, justifikohen se raste të tilla edhe mund të ketë, por janë sporadike. Në fakt, raste të tilla edhe me të rënda se këto  janë kronika e zezë e këtij fenomeni shoqëror.

A është i plotë kuadri ligjor i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri?

– Shqipëria ka marrë angazhime në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Plot, 20 vjet më parë, Shqipëria ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe me pas dy protokollet shtesë të saja. Ndërkohë, ne do të ratifikojmë një tjetër protokoll të Konventës “Për procedurat e komunikimit”,  i cili do të krijojë një mundësi më shumë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe adresimin e tyre. Protokolli do të mundësojë të drejtën e komunikimit për viktimat, kur një fëmijë, ose grup fëmijësh, janë viktima të shkeljes së të drejtave të parashikuara nga konventa.

– Iniciativa e kujt është ky ratifikim i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës?

– Ky projektligj nuk është shprehje e dëshirës së qeverisë dhe as e planifikuar prej saj për t’u miratuar. Një gjë e tillë thuhet qartazi në relacion shoqërues të projektligjit, ku nënvizohet ky fakt dhe theksohet se, ratifikimi i tij është kërkuar nga Sekretariati i Kombeve të Bashkuara. Shumë konventa ratifikohen jo se vlerësohet të nevojshme nga qeveria shqiptare, por thjesht që të tregojmë se ne jemi më afër Europës, por në fakt, thjesht bëjmë një përmbushje detyrimi për të miratuar ligje dhe bërë raportime, pa pasur përmirësime në fushën e caktuar.

– Cila është gjendja e të drejtave të fëmijëve sot në Shqipëri?

Fëmijët përballen me probleme ekonomike, sociale, me varfëri të tejskajshme, me braktisje të shkollës. Një në dy fëmijë dhunohet fizikisht, në një tre fëmijë dhunohet psikologjikisht. Dhuna në shkollë është rritur. Dhunohen fëmijët mes tyre dhe nga të rritur, por dhunohen edhe nga mësuesit. Gjendja e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, sidomos e fëmijëve që vijnë nga familje me probleme ekonomike dhe sociale, e fëmijëve në vështirësi dhe atyre të rrugës kërkon një qasje të re.

– Ku mund të ndikojë për të mirë ky ratifikim i protokollit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve?

– Është e dobishëm për të mundësuar që fëmijët e dhunës në familje dhe në shoqëri ta denoncojnë atë. Si mund të përdorë fëmija procedurat e komunikimit, kur mësuesit që duhet ta mësojnë dhe edukojnë atë nuk e njohin modelin e komunikimit, por edhe e keqedukojnë dhe dhunojnë atë? Ratifikimi i këtij projektligji duhet të shoqërohet me masa të gjithanshme sociale dhe ekonomike dhe edukimin e fëmijëve dhe shoqërisë për të mos heshtur, por denoncuar atë. Studimi kombëtar i dhunës në familje, i kryer nga INSTAT në 2009 tregon se % e atyre raportojnë dhunën dhe marrin mbështetje është shumë e ulët. Fëmijët nuk kërkojnë ndihmë jashtë familjes, përveçse prindërve dhe gjyshërve. Si mund të adresojnë ankimet e tyre në Komitetin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, një fëmijë që nuk ka bukë të hajë, nuk ka arsim, nuk ka dije, nuk ka mundësi të mbrohet me avokat!? Fëmijët nuk janë vetëm viktima të krimit, por nga viti në vit, numri i tyre si autorë të krimeve rritet. Treguesit zyrtarë janë teje shqetësues me shqetësuese është realiteti i përditshëm. Rreth 10% e autorëve të krimeve janë të mitur, ndërkohë që 7-8% e të dënuarve janë të mitur.  Shumica prej tyre janë viktima të neglizhencës dhe moskujdesit në familje dhe në shoqëri dhe bien viktima të sistemit të drejtësisë.

Sa i respektueshëm është parimi i interesit më të lartë të fëmijës?

– Ky parim nuk respektohet dhe për shumë punonjës të administratës publike dhe sistemit të drejtësisë. Shumë prej elementëve të këtij parimi nuk njihet, ose edhe nëse njihet, punonjësit e policisë, prokurorët dhe gjyqtarët nuk e zbatojnë, pasi nuk ekzistojnë mundësitë praktike të zbatimit të tyre.  Parlamenti ka miratuar shume ligje, mes tyre ligji për mbrojtjen e fëmijëve që dikton ngritjen e mekanizmave brendshëm të mbrojtjes së fëmijëve së fëmijëve, por këto të fundit nuk funksionojnë, përveçse në letër.

– Sa janë realisht mundësitë e integrimit të fëmijëve?

Mundësitë e integrimit të fëmijëve janë të pakta, Nuk ka një shkollë edukimi dhe ose rientegrimi social, por vetëm burgje dhe burgje të reja. Numri i qendrave ditore sociale  janë shumë të pakta dhe në kushte të mjerueshme, për shkak të mungesës së fondeve.

– Aktualisht, në çfarë nivel zbatimi është mbrojtja ligjore e fëmijëve?

– Aksesi në shërbimet sociale, ligjore, psikologjike dhe mjekësore të fëmijëve në vështirësi dhe viktimave të krimit në shoqëri është i pamundur për shumicën e fëmijëve. Mbrojtja ligjore për fëmijët në nevojë është jo profesionale dhe eficente. Sot, shumica e personave në fëmijë, përfshirë edhe fëmijë, nuk kanë mundësi të shtrojnë të drejtën e tyre pasi padia e tyre duhet të sigurohet paraprakisht duke bërë pagesën e një shume të konsiderueshme të të hollave.

– Cili është roli i organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve?

– Edhe ky sektor sot po lëngon me shumë se asnjëherë tjetër. Ai vuan klientelizmin, mungesën e mbështetjes me fonde, krijimin e kushteve me infrastrukturë për shërbime sociale.  Edhe në këtë fushë ka nevojë për një qasje tjetër të institucioneve shtetërore ndaj shoqërisë civile dhe organizatave, që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë.

– Sipas jush, cilat janë nevojat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve?

– Fëmijët dhe familjet e tyre kanë nevojë për mbështetje për një mirëqenie ekonomike dhe sociale. Prindërit e fëmijëve kanë nevojë për punësim dhe jo për lëmosha të ofrimit nga ndihma ekonomike. Fëmijët kanë nevojë të arsimohen, duke u mundësuar akses real dhe mbështetje për arsimim. Fëmijët dhe familjet me probleme sociale kanë nevojë për mbështetje duke ndërhyrje të menjëhershme mes shërbimeve sociale dhe psikologjike. Fëmijët në rrezik kanë nevojë për përkujdesin e shërbimeve sociale dhe jo për neglizhencë dhe të mbyllet pas hekurave dhe qelive të ftohta të burgjeve. Fëmijët kanë nevojë të dëgjohen dhe të marrin pjesë në vendimmarrje dhe jo të dhunohen në familje dhe aq më keq në shkollë.

– Faleminderit!