Vasilika Hysi nënkryetare e Parlamentit: Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të mëdha të LANÇ-it

591
Sigal

Me rastin e 76-vjetorit të Konferencës së Pezës, nënkryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në ceremoninë e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme historike, që shënon bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë. Peza është pa asnjë dyshim vendi më i përshtatshëm dhe më i bukur për të revokuar e kremtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për luftëtarët e lirisë, që këtu në Pezë ndërtuan themelet e unitetit e të bashkimit të shqiptarëve “Pa dallim klase, feje, krahine dhe ideje”, duke u mbështetur në devizën e rilindësve “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Për Pezën që u bë streha, gjeneratori dhe emblema e këtij bashkimi. Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të mëdha të Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ajo krijoi bashkimin më të fuqishëm të shqiptarëve në të gjithë historinë e tyre. Ky bashkim u bë faktori vendimtar i fitores mbi okupatorët e bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë përulemi me respekt për të nderuar protagonistët dhe pjesëmarrësit e kësaj Konference për vizionin e tyre largpamës, treguar 76 vjet më parë. Peza na frymëzon për të bërë punë edhe më të mira për Shqipërinë. Por Peza na qorton kur interesat politike i vëmë përmbi interesin kombëtar. Dhe interesi ynë më i madh kombëtar në ditët e sotme është ta bëjmë Shqipërinë politikisht dhe juridikisht ashtu siç është në frymën dhe shpirtin e çdo shqiptari: Një Shqipëri evropiane, anëtare të Bashkimit Evropian, familjes më të madhe demokratike të botës së sotme, me mbi gjysmë miliardë banorë.