Vasilika Hysi: “Akti Normativ ka përputhshmërinë me Kushtetutën”

449
Sigal

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila  është relatorja e Aktit Normativ, i cili u miratua në Komisionin e Ligjeve, me gjithë bojkotin e opozitës së Djathtë, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse Akti Normativ i KM-së, ka përputhshmëri me Kushtetutën për të shtyrë 6 muaj një ligj i cili është votuar 3 muaj më parë me konsensus të gjerë. Ky Akt Normativ, sipas zonjës Hysi, duhet të miratohet vetëm me shumicë të cilësuar, në seancën plenare të Kuvendit, këtë të enjte, që të marrë fuqinë e ligjit.

– Pse Kuvendi duhet të vlerësojë  kushtetueshmërinë e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit?

– Para kalimit në Aktin Normativ në seancë plenare, Komisioni i Ligjeve shqyrton praninë ose jo të elementëve të përcaktuara shprehimisht për Aktin Normativ në fuqinë e ligjit në Kushtetutë, si edhe pajtueshmërinë e përmbajtjes së tij me Kushtetutën dhe ligjet e tjera në fuqi. Ndaj, në shqyrtimin e Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, ne duhet të vlerësojmë nëse janë plotësuar kriteret formale dhe substanciale të Aktit Normativ dhe mënyrën e miratimit të tij, me shumicë ë thjeshtë, apo të cilësuar.

– Nxjerra e Aktit Normativ, për të shtyrë ligjin “Për nëpunësin civil” ka ngjallur polemika nga opozita. Cilat janë kriteret që Këshilli i Ministrave duhet të respektojë në nxjerrjen e Aktit Normativ?

Neni 101 i Kushtetutës parashikon disa kritere që KM duhet të respektojë në nxjerrjen e Aktit Normativ, që janë: Nevoja dhe urgjenca, marrja e masave të përkohshme, miratimi në Kuvend brenda 45 ditëve.

– Atëherë,  sa janë të vlerësueshme kritere, në këtë Akt Normativ, që shtyn për 6 muaj ligjin “Për nëpunësin civil”?

– Nevoja dhe urgjenca për të ndërhyrë ne ligjin 152/2013 është i justifikuar nga KM-ja, me pazbatueshmërinë e tij, së pari,  për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit.. Sipas nenit 69 të ligjit “Për Nëpunësin Civil”, shumë aspekte të zbatimit të tij, u lanë që të rregullohen me akte nënligjore, të cilat në rastin konkret, parashikohen në 30 nene të ligjit. Pa u miratuar këto akte, të paktën 30 nene të këtij ligji janë të pazbatueshëm.

Së dyti, për nevojën e organizimit institucional, për efektet  financiare të ligjit mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare dhe kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore, sipas procesit legjislativ. Zbatimi i ligjit të ri krijon pasoja financiare për buxhetin e shtetit, pasoja që nuk janë parashikuar në ligjin 119/2012 “Për Buxhetin e vitit 2013”. Nevoja e këtij akti justifikohet nga KM-ja me argumente bindës si, rritja e numrit të nëpunësve civilë (3 herë), reforma strukturore e paraqitur në programin e qeverisë së re, mbështetja financiare e nevojshme për Shkollën e Administratës Publike, etj, sjellin  ndikime financiare, por kërkojnë akte nënligjore të reja, por që ende nuk janë miratuar.

– Si argumentohet përmbajtja e Aktit Normativ me  përputhshmërinë me Kushtetutën?

–  Akti Normativ, i organizuar në 3 nene, garanton  bazën ligjore për veprimtarinë e institucioneve shtetërore, në rregullimin e marrëdhënieve të punës të nëpunësve civilë, duke mos lejuar boshllëk legjislativ, i jep kohë KM-së, që të përgatisë buxhetin, infrastrukturën dhe mjetet financiare për ASPA-n, fondet për pagat e reja të nëpunësve civilë që fitojnë këtë status, e të miratojë  aktet normative nënligjore për zbatimin e ligjit dhe respekton kriteret kushtetuese të nenit 101.

– A mund të ndryshohet ligji i miratuar me shumicë të cilësuar me Akt Normativ dhe Akti Normativ, me çfarë shumice duhet miratuar në Kuvend?

–  Miratimi i Aktit Normativ me fuqinë e ligjit, të nxjerrë nga qeveria dhe dhënia fuqi të mëtejshme atij nuk mund të bëhet ndryshe, veçse me anë të një norme që ka të njëjtat vlera, pra me ligj. Ky është kriteri i parë që duhet vlerësuar. Ligji “Për nëpunësin civil” është miratuar me shumicë të cilësuar dhe si i tillë, mund të ndryshohet vetëm me një ligj, po të të njëjtit rang, çka nënkupton respektimin e kuorumit të miratimit me 3/5. Pra, Kuvendi duhet ta miratojë Aktin Normativ vetëm me shumicë të cilësuar.

Ja pse Akt Normativ dhe jo ligj, “Për nëpunësin civil”

-Pse këto ndryshimet  që ju përmendët, nuk bëhen me ligj, por i bëni me Akt Normativ?

– Urgjenca e ndërhyrjeve ligjore me Akt Normativ, përcaktohet për shkak të efekteve të menjëhershme që do të shkaktonte mosndërhyrja në fushën e marrëdhënieve të shërbimit civil, pas bllokimit dhe vakumit që do të krijohej, nëse ligji fillonte efektet e tij që në 1 tetor 2013. Duke mbajtur parasysh momentin e konstituimit të Kuvendit dhe Rregulloren e Kuvendit, procedurat parlamentare nuk mundësonin rregullimin e duhur ligjor në kohë. Urgjenca e nxjerrjes së Aktit, qëndron nëse mbajmë parasysh, se, sipas nenit 69, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, projektligji nuk futet në kalendarin e punimeve pa kaluar të paktën 2 javë nga momenti i paraqitjes së tij. Procedurialisht, do të duhej që p/ligji të diskutohet nëpër komisione, pastaj të votohet në seancë. Si edhe t’i dërgohet Presidentit për shpallje. Më pas, duhet që të botohet në “Fletoren Zyrtare”. Dhe të kalojë të paktën edhe një periudhë tjetër 15-ditore që ndryshimet e propozuara, të hyjnë në fuqi. Pamundësia e zbatimit të procedurës së përshpejtuar për miratimin e ndryshimeve argumentohet me faktin se neni 81/2 i Kushtetutës ndalin miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjeve të miratuara me votim të cilësuar.  Gjithashtu, nevoja dhe urgjenca justifikohet edhe me faktin se jo vetëm ndryshimi i afatit të efekteve të ligjit, por edhe qartësimi i lënies në fuqi të ligjit 8549/11.11.1999, nuk mund të bëhet, pasi ligji 151/2013, të ketë hyrë në fuqi, pasi kjo do të cenonte sigurinë juridike dhe të drejtën kushtetuese për punë.

 

Deputetët e PS-së, Fino dhe Qefalia kërkojnë sqarime nga ministrat për Aktin Normativ

 Deputetët e opozitës së Djathtë munguan nga shqyrtimi i Aktit Normativ në Komisionin e Ligjeve, duke bojkotuar deri tani punimet në të gjitha komisionet parlamentare, pikërisht, për shkak të këtij Akti Normativ të nxjerrë nga qeveria e Ramës, i cili shtyn hyrjen në fuqi, për 6 muaj të ligjit “Për Nëpunësin Civil”.

Deputeti Fino: “Na garanton dot qeveria, që pas 6 muajsh ky ligj do të jetë i Zbatueshëm?”

Deputeti Bashkim Fino, i cili i përket gardës së vjetër në PS, madje është një ndër ish-kryeministrat, që ende është aktiv në politikë, ngriti 2 pyetje drejtuar ministrave Celibashi, i cili është ministër për Marrëdhëniet me Kuvendin dhe ministres Harito, e cila është ministre për Administratën Publike. Pyetja e parë e deputetit Fino ishte të mësonte nëse qeveria që shkoi kishte përgatitur aktet nënligjore të ligjit “Për nëpunësin civil” dhe pyetja e dytë ishte, nëse  qeveria do të mundet që pas 6 muajsh ta bëjë të zbatueshëm ligjin, se, sikurse u shpreh Fino: “Mos na vini sërish në Kuvend dhe na kërkoni sërish të shtyjmë afatin e hyrjes në fuqi të ligjit”.  Ministrja Harito, u përgjigj që qeveria e shkuar nuk ka përgatitur asnjë akt nënligjor dhe se 6 muaj janë të mjaftueshme për qeverinë e re, që të përgatitë gjithçka, që ligji të jetë i zbatueshëm.

Deputeti Qefalia: “A i keni pyetur organizmat ndërkombëtare, që të shtyni për 6 muaj këtë ligj”

Deputeti Xhemal Qefalia pyeti ministrat, nëse i kanë pyetur organizmat ndërkombëtarë, që kishin monitoruar këtë ligj, nëse duhet të shtynin për 6 muaj hyrjen në fuqi. Ministrja Harito tha se, këto organizma ndërkombëtarë, kishin propozuar fillimisht qeverisë, që të shtynte afatin e hyrjes në fuqi të ligjit, që të përgatitë aktet nënligjore, për ta bërë të zbatueshëm ligjin.