Vasili: Tryeza e ekspertëve ka ende për të dhënë para se të ndërhyjë politika

441
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se tryeza e ekspertëve të thirrur për reformën në drejtësi ka ende se çfarë të prodhojë, para se fjala t’i kalojë politikës. “Duhet të jenë ekspertët ata që të na thonë kur nuk mund të vazhdojnë më tej”, tha Vasili gjatë një bisede me gazetarët. Ndërkohë që opozita dhe Ministri i Drejtësisë Manjani kërkojnë që dialogu për reformën në drejtësi të kalojë nga nivel ekspertësh në atë politik, Petrit Vasili mendon se tryeza në të cilën po punohet aktualisht ka ende çfarë të ofrojë. Në kushtet kur opozita nuk paraqiti ekspertët e saj në tryezë, deri sa të zgjidhet ngërci i vendimmarrjes me 3/5 – që sipas demokratëve i mundëson mazhorancës kapjen e sistemit të drejtësisë – n/kryetari i LSI nuk beson se selia blu do të bojkotojë tryezën. Në këtë tryezë, Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga LSI, përfaqësohet me dy ekspertë, një prej të cilëve demokrati Ilir Rusmali. Një zgjedhje kjo që sipas Vasilit nuk tregon një afrim të juristit të njohur të PD-së me partinë e Ilir Metës.
I pyetur mbi ndryshimet e përfolura në Qeveri në këtë fillim viti, Petrit Vasili ngriti supet duke theksuar se nuk kishte informacion.
Ekspertët e PD bojkotojnë tryezën për Reformën në Drejtësi
Ekspertët e Partisë Demokratike nuk kanë marrë pjesë në takimin për reformën në drejtësi dhe mbledhja nuk është zhvuilluar. Bëhet e ditur se ngërçi mes palëve ka ngecur tek mekanizmi se me çfarë shumice zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias thotë se ekziston rreziku që kur mazhoranca zotëron 3/5 e Parlamentit ajo të çimentojë ndikimin e saj tek drejtësia. Demokratët propozojnë shumicën e 2/3-ve, gjë që s’është pranuar nga ekspertët e nivelit të lartë. Dhe në këtë pikë eskpertët e opozitës kërkuan zgjidhje në nivel politik. Pas mbledhjes së të martës kjo kërkesë u bë publike. Ekspertët demokratë do të vazhdojnë të mos shkojnë në asnjë mbledhje të nivelit teknik, derisa mazhoranca të pranojë se çështjet e ndryshimeve kushtetuese zgjidhen me konsesus politik. Dhe demokratët nuk janë të vetmit, që kërkojnë zgjidhje politike. Ministri i Drejtësisë dhe drejtuesi i LSI, Ylli Manjani, me herët sesa opozita e bëri të qartë opinionin e vet të martën. Gjatë 24 orëve të fundit nga socialistët nuk ka patur asnjë reagim për këtë kërkesë që vjen nga PD dhe nga Ministri i Drejtësisë. Ndërkaq një javë më parë kryeministrit Rama tha se reforma u takon ekspertëve.
Sigal