Vasili: Shteti veprime kriminale ndaj protestuesve, prokuroria të veprojë!

62

Ish-ministri Petri Vasili përmes një deklarate për mediat ka dënuar aksionet e ndërmarra deri më tani nga Policia e Shtetit lidhur me disa nga protestuesit që morën pjesë në protestën e opozitës gjatë ditës së shtunë. Ai ka denoncuar veprimet kriminale të shtetit që sipas ish-ministrit janë të patolerueshme në një vend demokratik.

Të nderuar qytetarë. Jemi sërish në këtë komunikim së bashku për të ndarë të vërtetat e mëdha, të cilat kanë shoqëruar dhe shoqërojnë situatën në Shqipëri, ku shteti ka vendosur në mënyrë përfundimtare të jetë armik me qytetarët dhe në asnjë rast mik dhe mbështetës i tyre. Lidhur me të vërteta e tjera që kanë pasuar mitingun e jashtëzakonshëm për nga dimensioni dhe mesazhi i opozitës, i cili me të drejtë është quajtur nga të gjitha mediat ndërkombëtare, si mitingu më i madh opozitar në të gjithë Ballkanin, për fat të keq shteti u soll sërish si një shtet gangsterësh dhe paturpërsisht mashtroi gjerësisht opinionin publik për të vërtetat e mitingut, ku opozita dha provën e pjekurisë, maturisë, forcës dhe vetëpërmbajtjes.

Nga ana tjetër pati një shtet ku histeria e mbajtjes së karriges së pushtetit të Kryeministrit, e bëri atë që të dhunojë qytetarët dhe çdo normë demokratike. Së pari, sot e kësaj dite nuk ka asnjë hetim, asnjë të dhënë mbi aktin terrorist dhe kriminal të djegies së automjetit të paidentifikuar mu në mes të demonstruesve, i cili mund të rrezikonte jetën e qindra demonstruesve. Një akt kriminal i pashembullt në historinë e pluralizmit, i zhvilluar në një ambient të errët, në një rrugë së cilës iu hoq ndriçimi nga qeveria, nga të gjithë ata që administrojnë shtetin, duke krijuar të gjitha premisat për të realizuar një provokim kriminal dhe terrorist në mes të Tiranës.

Sot e kësaj dite nuk zbardhet përse u mbajt në errësirë i gjithë sheshi i protestës, ndërkohë që policia çirrej në mënyrë histerike, kërkonte mbarëvajtjen e protestës, krijoi premisën themelore që protesta të provokohej, pavarësisht se opozita nuk u provokua. Kush ishte pronari i automjetit? Kush ishin autorët? Kush ishin ata që tentuan të digjnin dhe kioskën afër automjetit? Përse nuk ka hetim? Përse nuk ka të dyshuar? Përse nuk ka të ndaluar? Pyetje të mëdha, të cilave asnjërave nuk u përgjigjen, përveçse mashtrimeve pa fund të Ministrisë së Brendshme. Së dyti është pretenduar gjerazi nga policia për gjoja dëmtime të forcave të rendit nga demonstruesit. Jo opozita, Avokati i Popullit ka bërë verifikimet në spitalet e vendit dhe këta policë të dëmtuar rëndë, nuk ekzistojnë, nuk gjendeshin në asnjë spital.

Si politikan, si përfaqësues i LSI-së dhe si mjek u shpjegoj qytetarëve, nuk ka njw i dëmtuar rëndë i cili gjendet në spitalet e vendi. Vetëm një kriminel në rast së është dëmtuar rëndë u shkëputet apo u shmanget spitaleve, një anëtar i forcave të sigurisë një polic, sigurisht do të jetë atje deri në marrjen e trajtimit të plotë mjekësor, sigurinë e tij në 24 orë ndjekje dhe pastaj do të dali nga spitali.

Asnjë i vetëm nuk është gjetur nga një institucion publik i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, që është Avokati i Popullit. Përkundrazi çfarë është gjetur, dhe do ti lutesha kamerave të regjistrojë, ta fokusojnë, është gjetur protestues me pranga të lidhur tek krevati, një foto e turpit e pashlyeshme në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjatë. Edhe kriminelëve më të mëdhenj në dhomat e spitaleve u sigurohet ruajtja e tyre tek dera e dhomës dhe të tërë kushtet e sigurisë, por asnjëherë të prangosur në krevatin e tyre. Kjo flet qartë, cili ka qenë qëndrimi dhe cila ka qenë dhuna me të cilën janë përballur protestuesit, pa akuza, të rrëmbyer, në mes të natës, vetëm me fjalë goje, pra një shtet gangsterësh që rrëmben njerëzit në mes të rrugës. Vazhdojmë më tej, dhuna nuk ka kursyer as gazetarët.

Pse nuk i ka kursyer? Është tmerri nga fjala dhe nga e vërteta, nga raportimi i së vërtetës, nuk ka kursyer as gazetarët. Raportohet nga rrjeti investigativ BIRN, aq më shumë raportohet nga Avokati i Popullit. Po aq më shumë akoma raportohet nga këto foto që flasin vetë, ku kjo është një gazetare, e cila ka përballuar sikur se mjaft kolegë të tjerë, foto të cilat nuk i kemi ashtu siç ka përballuar Erion Skendaj i News 24 në një protestë të mëparshme. Kanë përballuar bombat që u hidhen të këmbët, ujin me presion që u përplaset në fytyrë, gazin lotsjellës e të tjerë. Janë goditur gazetarët në një moment kur sheshi përballë ka qenë krejtësisht i boshatisur, ku ka pasur vetëm dhunë ndaj tyre dhe klithmat histerike të policisë në megafonin e saj, që kishin synimin e vetëm të eksitonte njerëzit.

Si ka vazhduar më tej dhuna? Dhuna nuk ka kushtuar as njerëzit e ndershëm. Dje ua kam bërë publike, po ua bëj sërish që qytetarët të mos ta harrojnë kurrë. Kjo i pret nga ky shtet gangsterësh. Ky është Arben Dajçi, një fotograf i ndershëm, i cili ka profesion të tijin fotografinë. Dhe është dhunuar me gjak, jo me atë gjakun imagjinar që pretendon policia. Pse e urren të vërtetën? E urren të vërtetën. Po kështu u dhunua në turp të Zotit në ambientet e Parlamenti të Shqipërisë, gazetari Salianji. U shty nga forcat e Gardës, që shoqërojnë Prokuroren e vendit, institucioni i drejtësisë, që duhet të jetë ai garanti kur fjala e lirë shkelet. Bashkë me të tjerët që i rrëmbyen dorën .

Pra lufta dhe dhuna ndaj të vërtetave të mëdha është lajtmotivi i këtij shteti. Sot e kësaj dite Prokuroria hesht. Prokuroria vazhdon të bëhet palë me krimin shtetëror. Po e lajmërojmë edhe Prokurorinë, sikurse Ministrinë e Brendshme, të cilët nuk kanë mundësi të zbulojnë kriminelët që vodhën 10 milion euro në mes të Rinasit, ku nuk ka asnjë të ndaluar. Po i paralajmëroj sërish Prokurorinë dhe Policinë, që nuk ndal dot asnjë nga kusarët e Unazës së Re, që nuk ndal dot asnjë nga ata që hodhën gaz lotsjellës në banesat e Bregut të Lumit, të një vendi i cili gangsterizmi shtetëror e ka kthyer në institucion. Po  i paralajmëroj dhe njëherë.

Mandatet e tyre janë shumë të shkurtra në kohë. Jeta është shumë e gjatë. Dimensioni i demokracisë, i forcës së popullit, nuk ndalet dot as nga këta zvarranikë pushteti dhe as nga këta shërbëtorë të verbër, duke filluar nga Ministri i Brendshëm, tashmë i përfshirë në këto vepra të rënda kriminale të policisë që udhëheq vetë, të cilët ka marrë përsipër t’i justifikojë vetë bashkë me ministrin e tij. Dhe po kështu dhe Prokuroria bashkëfajtore që hesht. Kjo është një llogari e hapur me qytetarët, publike, jo vetëm me qytetarët, jo vetëm me mediat, jo vetëm me të vërtetën por dhe me ligjin. Kjo llogari do të lahet deri në fund. Kjo është një llogari e hapur me çdo shqiptar. Dhe provat janë të hekurta, të pakundërshtueshme dhe të pafalshme. Ta kujtojnë dhe njëherë të gjithë, të pafalshme, nuk do të amnistohen kurrë.

PROMOTED CONTENT

Mgid