Vasili: Shteti ka zgjedhur dorëzimin e plotë përpara krimit dhe kriminelëve

417
Sigal

Deklarata për media, Petrit Vasili

Qytetarët shqiptarë janë të shokuar nga ngjarja që ndodhi në aeroportin e Rinasit, ku një grup kriminal demonstroi qartë me veprimet e tij që siguria në këtë aeroport është zero, roli i shtetit në garantimin e kësaj sigurie është sigurisht zero dhe reagimi i shtetit sërish zero. Reflektimi i shtetit pas ngjarjeve të përsëritura herë pas herë, njëra më e rëndë se tjetra në aeroportin e Rinasit, ka sjellë që të kishim një ngjarje akoma më të rëndë sesa të tjerat. Pra në vend të reflektimit shteti ka zgjedhur dorëzimin e plotë të tij dhe të interesave të tij krimit dhe kriminelëve.

Qytetarët janë ndjerë dje, por vazhdojnë të përjetojnë të njëjtën gjë edhe sot dhe në vazhdimësi, pra ndihen gjithmonë e më të rrezikuar. Ndihen më të rrezikuar dhe pikërisht ku? Në atë pjesë dhe atë pikë të vendit, në atë pikë të territorit që është aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, ku parametrat e tij të sigurisë duhet të ishin absolutisht maksimale dhe të pa diskutueshme. Aeroporti është porta e hyrjes në Shqipëri. Është vendi ku vijnë që të vizitojnë Shqipërinë personalitetet më të rëndësishme të botës. Njëherazi mundësi për transportimin e vlerave monetare të rëndësishme dhe shumë elementëve të tjerë. Dhe mbi të gjitha duhet të garantonte sigurinë absolute, qetësinë maksimale dhe provën që Shqipëria dhe shteti i saj është një vend serioz që di të garantojë maksimumin e sigurisë në ato institucione dhe në ato pika, ku kjo garanci duhet të jetë e pa diskutueshme.

Imazhi i Shqipërisë dje ka pësuar një goditje të pariparueshme. E gjithë media shqiptare dhe ajo botërore, jo vetëm ka reflektuar me shumë shqetësim ngjarjen e djeshme, por ka demonstruar qartë edhe njëherë se kjo është një ngjarje shumë e rëndë sepse është shumë herë e përsëritur dhe ku në vend të reflektimit shteti shqiptar, tashmë i mbaruar dhe i kapur nga Rilindja. Rendi po shkon keq e më keq. Dhe në vend të reflektimit shteti po shkon te heqja e garancive dhe përgjegjësive, duke treguar qartazi që siguria e vendit është në dorë të Zotit, apo më mirë të themi në dorë të kriminelëve, po kurrsesi në dorë të shtetit, i cili ka detyrën e vetme tua bëjë jetën e lehtë dhe jo të vështirë atyre.

Vendimi i marrë nga kompania austriake “Austrian Airlines”, për të mos transportuar më ngarkesa me vlera monetare, është një vendim i paprecedentë. Ky vendim i drejtë po ekspozon Shqipërinë si një vend me siguri zero.

Të nderuar qytetarë,

Të gjithë ju e keni pritur që dikush të shkarkohej, dikush të pezullohej nga detyra, dikush të arrestohej në vend pse i ka munguar detyrës. Por ju sot nuk keni asnjë zyrtar të shtetit, i cili të ngarkohet me përgjegjësi nga ligji, që të jetë përpara drejtësisë dhe të ndalohet. Përkundrazi, shikoni qindra forca policie që ndalojnë qytetarë të thjeshtë, qoftë tek Unaza e Re, qoftë tek Bregu i Lumit. Qytetarët në mënyrë të pa mëshirshme edhe rrihen. Tregohet një egërsi dhe një mizori shumë e madhe ndaj tyre. Ndërsa siç e shikoni, janë të pafuqishëm, të pazotë, të dorëzuar përpara 4 kriminelëve, të cilët bëjnë çfarë duan në aeroportin ndërkombëtar të vendit, në vendin e sigurisë më të lartë. Pra, ja u përsëris qytetarëve, asnjë shkarkim, asnjë pezullim, asnjë arrestim nga përgjegjësit e kësaj pune. Ka përgjegjësi Policia e Shtetit, ka përgjegjësi Aviacioni Civil i Republikës, ka përgjegjësi shërbimet informative të vendit, kanë përgjegjësi të gjithë aktorët, të cilët kanë garancinë e sigurisë dhe kurrkush nuk përgjigjet. Dhe kush do përgjigjet? Qytetarët pyesin, unë pyes, kush do përgjigjet? Kush e ka këtë përgjegjësi? Por kjo qeveri, ditët e së cilës kanë mbaruar, ka vetëm një përgjigje: kështu ndodh në të gjithë botën.

Departamenti Amerikan i Shtetit na paralajmëroi qartë dhe na tha që Shqipëria është bërë një bazë për aksionet e krimit të organizuar edhe për Amerikën, për Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe pë Europën. Kjo ishte një provë tjetër që krimi i organizuar bën ç’të dojë dhe përderisa rrezja e veprimit të tij shkon deri larg, në Amerikë dhe në Amerikën Latine, mendoni se sa e thjesht dhe sa e lehtë është të bëjë çtë dojë në një Shqipëri ku shteti është dorëzuar tërësisht para tij. Praktikisht kjo qeveri e ka dorëzuar shtetin te krimi, kështu që është e qartë që Kryepërgjegjësi i saj, i cili nuk ka folur deri më sot, sepse nuk ka se çfarë të flasë, sepse nuk ka mundësi dhe guxim shtetëror dhe kushtetues që të marrë përgjegjësi të rreptë përpara përgjegjësve që duhet të ishin për sigurinë e vendit, për një ngjarje të përsëritur e të përsëritur, që përfundimisht i vuri damkën Shqipërisë përpara opinionit ndërkombëtar, për një shtet inekzistent dhe të dorëzuar. Dhe sigurisht qytetarët, kaq të pasigurt nuk e ndjejnë më Shqipërinë si shtëpinë e tyre, por si një Shqipëri të huaj ku ndodhen të pasigurt edhe duke qenë të hipur në avion, pasi ju e dini që pasagjerët e avionit janë ndalur për orë e orë të tëra për të bërë të gjitha verifikimet, gjoja shumë të sofistikuara, ndërkohë që kriminelët kishin marrë paratë, ishin zhdukur, dhe si përherë gjurmët e tyre humbasin.

Pra përfundimisht e kam përsëritur dhe e përsëris, që çdo ditë që ky kryeministër dhe kjo qeveri  qëndrojnë në ato karrige dhe marrin përgjegjësinë për ta lënë vendin në dorë të Zotit dhe në dorë të kriminelëve, është sigurisht një ditë e zezë për shqiptarët. Po ja u përsëris dhe atyre që qeverisin, është një ditë akoma edhe më e zezë dhe më e rëndë për ta, pasi për të gjitha këto faje shumë të rënda, përpara vendit dhe përpara ndërgjegjes së çdo qytetari, dhe përgjigja do jetë shumë e rreptë dhe kurrkush nuk do t’i falë.