Vasili: Shqipëria digjet, Edi Rama krihet dhe hap ekspozita

460
Sigal

Deklaratë për media e Kryetarit Të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë, jam sot në këtë komunikim së bashku, pikërisht në funksion të situatës më të fundit në politikën në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë, ndonëse Shqipëria është e mbërthyer nga bora, është në palcën e Dimrit, mijëra studentë janë në një revoltë plotësisht legjitime që ka ardhur pikërisht nga roli negativ, shumë destruktiv dhe aspak zgjidhës i Kryeministrit të Shqipërisë dhe megjithatë, pikërisht në valën e gjithë këtyre problemeve Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në Gjermani për ekspozitën e tij.

Ti Kryeministër që ndodhesh në Gjermani sot në ekspozitën e pikturës, në ekspozitën e punëve të tua, në ekspozitën e qefeve të tua, por pikërisht në Gjermani të gjithë e kanë të qartë dhe nuk kanë nevojë të shikojnë ekspozitat dhe pikturat e tua, pasi pikturën më të qartë për çfarë bën ti me qeverisjen tënde, atë për të cilën ti je ngarkuar nga populli që të bësh, ata e kanë shumë të qartë në librin “Partneri kriminal”. Në botimin e policisë gjermane ku pastrimi i parave rrëmbimi nga krimi i qeverisjes së vendit dhe kriminalizimi i çdo qelize të kësaj jete është një fakt publik. Libri “Partneri Kriminal është qartësisht një ekspozitë e hapur që tregon korrupsionin më të madh dhe më kriminal, i cili ka shoqëruar dhe po karakterizon vitet e qeverisjes së Rilindjes dhe nëpërmjet këtij libri të hapur, pra këtij libri të jashtëzakonshëm shqiptarët kuptojnë që varfëria e tyre është vepër direkte pikërisht e Kryeministrit të vendit.

Pikërisht për këtë arsye ti Kryeministër duhet të largohesh. Ti je Kryeministri i ekspozitave, ekspozitave të hapura me paratë lavatriçes së krimit, me paratë e pista, ato para të pista të paguajnë dhe tek ekspozitat, paguajnë që e  tërë familja jote me sojë e sorollop  të ndodhet aty edhe të gëzojë dhe të qetësohet dhe të zbavitët, ndërkohë që shqiptarët përplasen me borën dhe me kohën e keqe dhe ndërkohë që institucionet e qeverise gjermane kanë folur qartë dhe prerë. Dihet që krimi ka marrë me PPP, me koncesion qeverisjen dhe rendin, por i jemi mirënjohës qeverisë gjermane që i hoqi e i çori maskën dhe nëpërmjet këtij libri, këtyre 3 P-ve, pra PPP-ve që ka marrë krimi i shtoi dhe një P të katërt që është Partneri kriminal.

Kaq e tmerrshme është kjo situatë, saqë sot të gjithë institucionet tona në qoftë se duan të tregojnë një gram përgjegjshmëri, një gram reflektim, në qoftë se duan të vënë së pari njëherë të vetme të interesat e vendit mbi ato interesa të pista që drejtojnë ata, duhet që institucionet politike të vendit, institucionet mediatike të vendit, institucionet e rendit dhe sigurisë, institucionet bankare të flasin gjermanisht.

Pra, të flasin gjermanisht, të flasin me gjuhën që flet Gjermania për krimin, me gjuhën që Gjermania lufton krimin, me gjuhën që Gjermania lufton pastrimin e parave. Sepse pikërisht kjo gjuhë do të na çonte ne të kuptonim se pse pastrohen paratë dhe pse shkel Banka e Shqipërisë ligjet dhe rregullat për të licensuar një bankë siç është ABI BANK. Ndërkohë që detyra e vetme e Bankës së Shqipërisë ua kujtoj është: pikë për pikë në mënyrë që kërrkush edhe në median shqiptare apo edhe njerëzit që na dëgjojnë të mos mendojnë që ka një moment subjektiv apo që nuk përputhet me ligjin. Çfarë thotë ligji për Bankën?

Rregullorja e Bankës është që Banka e Shqipërisë vlerëson transparencën e strukturës së kapitalit aksioner të bankës duke analizuar faktet e mëposhtme. Cilat janë faktet që duhet të vlerësojë Banka e Shqipërisë? Së pari, strukturën e grupit të shoqërive të cilën aksioneri i propozuar është apo mund të jetë pjesë, marrëdhëniet e tij me shoqërinë që ka nën kontroll dhe e dyta, dhe më themelorja vlerëson burimin e krijimit të kapitalit dhe strukturën e tij.

Çfarë ka ndodhur me ABI BANK? ABI BANK është e përbërë nga shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale. Qytetarë çfarë garantojnë parajsat fiskale? Garantojnë lejimin e regjistrimit  të kompanive Offshore, të cilat janë dhe përbërëse të kësaj banke, ofrojnë sekret bankar duke mos kërkuar raportim mbi transaksionet financiare. Nuk japin apo shkëmbejnë informacion me vendet e tjera dhe lejojnë kompani guaskë, njëkohësisht lejojnë mbajtjen sekret të strukturës organizative të enteve ligjore, shoqërive tregtare, etj.

Pra, shumë qartë është shkelur në mënyrë të plotë dhe një bankë e ngritur në kushte të plota të mungesës së transparencës, të thyerjes flagrante të ligjit, krijon as më pak e as më shumë pasiguri për depozitat dhe depozituesit, pasi garanti i vetëm me ligj është Banka e Shqipërisë. Ajo pasi vlerëson gjithçka u thotë qytetarëve, po këtu kemi të bëjmë më një bankë serioze dhe të sigurtë, burimet financiare të saj janë ta pastra, të rregullta ashtu siç e kërkon edhe Manivali i Këshillit të Evropës për pastrimin e parave, ashtu siç e ka kërkuar edhe Bashkimi Europian në Tiranë ndërmjet ambasadorit Soreca në mënyrë të përsëritur.

Pra, në totalin e vet kjo bankë jo rastësisht, por në mënyrë të qëllimshme i ka devijuar, i është shmangur, i ka munguar detyrës në funksion të disa interesave, të cilët në çdo pikëpamje duke mos qenë transparente, sigurisht mbeten interesa të errëta dhe pikërisht për këtë punë, Gjermania të cilës i jemi shumë mirënjohës, pasi nuk është thjesht botimi i një libri, por është skaneri i kriminalizmit të shoqërisë shqiptare na bie në pëllëmbë të dorës se në çfarë rruge të tmerrshme ka hyrë jeta politike dhe jeta ekonomike e një vendi nëpërmjet kriminalizimeve dhe parave të pista. Dhe pikërisht kjo situatë, ku kemi kryeministre i cili hap ekspozita me parat e pista dhe me lavatriçen që ka krijuar,  rendi publik dhe mistria e brendshme mbyll sytë , prokuroria shqiptare nuk ekziston ndërkohë që faktet janë flagrante. Unë po i citoj, janë fakte shumë të thjeshta për çdo shqiptar, dhe ndërkohë qe operacionet e pastrimit të  parave janë haptas, e gjithë kjo mbyllje sysh, është pikërisht sepse tapat në sy, u a kanë vënë parat e pista, të cilat kanë mbushur edhe xhepat e shtetit. Prandaj përfundimisht edhe një herë, shteti shqiptar, prokuroria shqiptare, qeveria shqiptare, sistemi bankar shqiptar, të tëra organet ligj zbatuese, duhet të flasin gjermanisht. Pra në gjuhen e ligjit dhe në gjuhen e luftës pa kompromis me këtë fenomen, i cili po shkatërron shqiptarët dhe mund t’i ekspozojë në mënyre të menjëhershme në kolaps financiar, në tension publik, në tension të jashtëzakonshëm social, pasoja e së cilave duhet të bien të gjitha mbi popullin dhe mbi kërkënd tjetër, pasi që dihet që këta bashibozuk mund të marrin me vrap rrugët e të zhduken nga Shqipëria, pikërisht në ato parajsa fiskale ku ata kanë vendosur paratë.  Dhe ku besoj që nuk do të mungojnë dhe do të dalin dhe fakte të reja qe do ti provojnë këto, që do të jenë tronditëse dhe pikërisht për këtë arsye, është momenti që të zgjohemi sot dhe të shikojmë se si po na rrënojnë ekonominë e vendit, por edhe ekonominë familjare të gjithsecilit, e cila është pjesë e kësaj ekonomie kombëtare. Ju faleminderit të gjithëve.