Vasili: Rama dëshiron të zëvendësojë skenën e teatrit me ERTV-në

535
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, u shpreh se kryeministri ka pasur në mendje ta shndërrojë teatrin në një bingo dhe për këtë ka firmosur edhe dokumentet përkatës. “Si në asnjë vend në glob, përfshirë këtu edhe vendet e Afrikës së zezë, ai kërkon ta lërë kryeqytetin e Shqipërisë pa një teatër të vetëm. Pa një Teatër që të ketë, jo vetëm simbolikën, jo vetëm për të përçuar artin, por të ketë simbolikën e një kryeqyteti, i cili është vital, i cili e mbështet dhe dëshiron, jo vetëm të përcjellë kulturën dhe artin, por do ta shndërrojë atë në një qytet armik të artit”, tha Vasili. Ai kujtoi edhe historinë e famshme të kinemave të tij të dikurshme. “I intereson shumë mirë kulla, biznesi përkatës dhe absolutisht as trashëgimia e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer e artit shqiptar dhe as e ardhmja e tij. Mendojmë që ky kryeministër sot përfundimisht dha dhe një provë tjetër që është kundër shqiptarëve, por edhe kundër vetes, pasi rastësisht i përket dhe ai botës së artistëve, pavarësisht se është një artist i dështuar. E ndonëse ky është dhe kompleksi i urrejtjes që ai ka për artin në Shqipëri dhe ndaj njerëzve shumë të suksesshëm me të cilët Shqipëria krenohet dhe fjalën e tyre e dëgjon, e respekton dhe e do patjetër sepse është një fjalë që vjen nga zemra”, tha Vasili. Sipas tij, Rama është kundër fjalës së lirë, kundër atyre që me moshën e tyre dhe me eksperiencën 50-vjeçare dhanë dhe shpirtin në skenë. “Qeveria e kryeministrit kërkon të zëvendësojë skenën dhe veprat e pavdekshme të letërsisë botërore, të interpretuara nga këta njerëz të mrekullueshëm, me ERTV e tij. Pra ai është as më shumë e as më pak një korife i Sadam Hussein-it të djeshëm, i cili kërkon që njerëzit të dëgjojnë vetëm mashtrimet e tij, pasi arti i madh dhe fjala e lirë është pikërisht kundër mendjes së mbyllur dhe të errët që ekziston në trurin e këtij njeriu”, nënvizoi Vasili. Ai shtoi se LSI mbështet plotësisht gjithçka që artistët kërkojnë që të ketë një projekt dinjitoz për një Teatër Kombëtar, për një ndërtesë dhe infrastrukturë dinjitoze që të mos jetë asnjë centimetër më poshtë teatrove të vendeve fqinje, duke filluar nga Shkupi e të gjithë teatrove në rajon.
Sigal