Vasili: Qeveria mashtroi publikisht mbi shpenzimet e Shqipërisë për NATO-n. Kërkesat e partnerëve

513
Rama mashtroi publikisht mbi shpenzimet e Shqipërisë për NATO-n

Petrit Vasili, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI denoncon kryeministrin se gënjeu në Gjermani
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili deklaroi dje se kryeministri Edi Rama ka gënjyer në Gjermani, kur u pyet për shpenzimet e Shqipërisë për NATO-n. Vasili thotë se Rama tha se Shqipëria shpenzon 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO, por kjo nuk është e vërtetë.
Deklarata e plotë:
Jam sot përpara jush, jo vetëm me një shqetësim të lartë politik, por me indinjatë të thellë lidhur me rolin shumë negativ të kryeministrit të vendit të Edi Rama lidhur me çështjet e mbrojtjes së vendit, të ushtrisë së Shqipërisë dhe të raportit të Shqipërisë me NATO-n. Absolutisht në mënyrë të padiskutueshme, raporti dhe orientimi euroatlantik i Shqipërisë është një orientim i pandryshueshëm dhe një nga arritjet më madhore të politikës shqiptare. Por, njëkohësisht, dhe një investim madhor për sigurinë e vendit dhe për raportin e tij ndërkombëtar. Prania jonë në NATO është e lidhur me kushte të domosdoshme dhe të pakapërcyeshme, të cilat ne kemi detyrim ti zbatojmë për të qenë pjesë e kësaj aleance, dhe njëherazi pse jo përfitues të mbështetjes së saj shumë të rëndësishme dhe shumë të fuqishme botërore. Konkretisht, Edi Rama në Gjermani, pak ditë më parë në datën 26 prill 2018, i pyetur nga mediat gjermane lidhur me NATO-n, i pyetur saktësisht po në lidhje me shpenzimin e 2% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe për ndërtimin e një ushtrie evropiane, është pyetja, Edi Rama kryeministri i Shqipërisë përgjigjet: Ne tashmë shpenzojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO. Kjo është përgjigja e Edi Ramës. Po ua përsëris, Edi Rama thotë: Ne tashmë prodhojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO. Pyetja ime është: Kjo përgjigje, ky mashtrim shumë i rëndë publik është vazhdimi i strategjisë anti-euroatlantike të Edi Ramës, apo në rastin më të mirë është një dalje nga kontrolli i sistemit psikik dhe i manisë për t’u kthyer në një gënjeshtar global, që e bën të deklarojë?! Publiku i gjerë do të pyesë përse i bëj këto deklarime kaq të rënda? Jo më larg se sa 10 ditë më parë, në 16 prill, pra 10 ditë përpara se Edi Rama të deklarojë, në takimin nëpërmjet Olta Xhaçkës, Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mattis, Mattis deklaron: Të gjithë tregojnë se Shqipëria është e përgatitur për të luajtur një rol në Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe angazhimi juaj, – i thotë zonjës Xhaçka, për të shtuar buxhetin e Mbrojtjes në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2024, pra nuk e thotë që e ke realizuar, por I thotë deri në vitin 2024. Çfarë thotë Ministrja e Mbrojtjes, dhe sa është buxheti i mbrojtjes, ai buxhet në të cilin është futur spitali i Traumës, helikopterët dhe çfarë nuk kanë futur. Materiali është marrë, as më shumë e as më pak, nga Webi i Ministrisë së Mbrojtjes, nuk është material I opozitës. Dhe thuhet: projektbuxheti- në momentin kur paraqitej projektbuxheti I vitit 2018, pra ky buxhet që kemi në fuqi, ka një rritje të ndjeshme me vitin e kaluar, duke arritur në vlerën 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas Ministres Xhaçka. 1.2%!! Tani unë e di që kryeministri I Shqipërisë shkollën e dini, si e ka, e ka me probleme, 1.2-shin e lexon për 2-sh, do të thotë që shikon atë dyshin në fund dhe thotë e kemi 2%. 1.2% thotë Ministrja e tij. Dhe çfarë thoshte gjithashtu Ministrja po ku prezantonte projektbuxhetin: Shqipëria ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i Mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë në vlerën 2%. Këtë e thotë Ministrja e Mbrojtjes. Ndërkohë që kryeministri, po ja u kujtoj prapë, të mos e harroni asnjëherë, thotë Edi Rama: Ne tashmë shpenzojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Nato. Ministrja e tij thotë 1.2% dhe kemi marrë përsipër në Samitin e Uellsit ta çojmë në 2% në vitin 2024 dhe njëkohësisht kemi dakordësuar me Ministrinë e Financave një plan për rritjen e buxhetit të Mbrojtjes deri në vitin 2024. Dua këtu t’ju kujtoj, për të hedhur dritë mbi strategjinë e errët për të dëmtuar euroatlantizmin shqiptar, që Presidenti i SHBA-ve, Trump, dy herë radhazi, kur i drejtohej Kongresit në 1 Mars 2017 thoshte: Partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare, dhe tani bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar ta bëjnë pikërisht këtë. Po përsëri Presidenti Trump thotë në 25 Maj 2017, kur inaugurohej selia e re e NATO-s. “Këto shqetësime të thella janë të njëjta arsye përse kam qenë i drejtpërdrejtë me Sekretarin Stoltenberg, duke thënë se anëtarët e NATO-s, duhet të kontribuojnë më në fund për përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare”. Pra nëpërmjet një individi që drejton Shqipërinë, që për një aleancë strategjike të jashtëzakonshme për nga rëndësia e saj siç është NATO, deklaron pa ju dridhur syri fare, se ne tashmë shpenzojmë 2% të buxhetit për NATO-n, kjo e dhënë për NTV-në gjermane, ja ku është e zbardhur, 2%, Ministrja e tij pranon që shpenzojmë 1.2% dhe Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Mbrojtjen thotë që 2% do të arrihet vetëm në vitin 2024, po të kishte një minimum respekti, jo për shqiptarët, por për veten e tij, i zënë në flagrancë, në këtë mashtrim të tillë publik, ku strategjia e errët dhe padija bëhen bashkë, më e pakta duhet të kishte dhënë dorëheqjen pa ja kërkuar kurrkush, vetëm duke e konstatuar vetë. Por pozicioni i gënjeshtarit global është një lajm i zi për shqiptarët, por edhe për kryeministrin vetë, i cili ka marrë përsipër të hyjë në këtë rrugë të errët, për të nxjerrë Shqipërinë nga shinat e integrimit euroatlantik. Pasi me drogë dhe trafiqe pengoi dhe po pengon rëndë integrimin evropian, se ato po na pengojnë për t’u hapur negociatat.

Nga ana tjetër, gënjen partnerët tanë, deri përtej oqeanit, Presidentin Trump, Sekretarin e Shtetit të Mbrojtjes, publikun gjerman, publikun e gjerë evropian, që me deklaratat e tij thotë i kemi 2%, dhe me gjithë këto deklarime të rënda, shqiptarët duhet të kuptojnë më së fundi qartë, se kush është kryeministri i rrezikshëm i tyre, qoftë në pikëpamje të moralit, qoftë në pikëpamje të politikës që bën, qoftë në pikëpamje të padijes së tij ekstreme.
Sigal