Vasili: Pse hesht Vlahutin për asgjësimin e ONM

441
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, kritikoi qëndrimet e ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, duke e ftuar të reagojë edhe për mosmarrjen parasysh të vlerësimeve të ONM-së për anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Kush dhe çfarë….e pengon zj.Vlahutin të flasë për asgjësimin e ONM? Vlahutin ndërsa jep opinione për strategjinë e zgjerimit të paraqitur në Bruksel thotë: “Fatkeqësi që nuk pati dakordësi për KLGJ dhe KLP”. Çfarë dakordësie pret Vlahutin? Dakordësi me shkeljen e Kushtetutës dhe ligjit. Pra shkatërrim të reformës në drejtësi, e cila themelin e saj ka zbatimin e ligjit”, u shpreh Vasili. Sipas tij, çdo gjë që tha ONM, që përfaqëson BE dhe SHBA edhe në Kushtetutë, u hodh poshtë nga maxhoranca e kryeministrit. “Zj.Vlahutin, a duhet të biem dakord me asgjësimin e ONM dhe të votojmë kandidatët e përjashtuar nga ONM? Kush dhe çfarë ju pengon të flisni qartë, pasi fjalët klishe dhe pa përmbajtje po e shkatërrojnë reformën në drejtësi. Çdo kërkesë ndaj opozitës për reformën në drejtësi është moralisht e pabazë, politikisht pa përmbajtje dhe juridikisht antiligj e antikushtetutë. Opozita do të mbështesë e do të votojë pa hezitim çdo kandidat që respekton ligjin dhe opinionin e ONM”, u shpreh Vasili. Sipas tij, mazhoranca po e dhunon hapur edhe ligjin, edhe ONM. “Në qoftë se Vlahutin është dakord me këtë që mazhoranca bën le ta thotë qartë, ndryshe çdo thirrje ndaj opozitës është thjesht alibi për antireformën që zbatohet në drejtësi”, tha Vasili.
Sigal