Vasili: Prokuroria të nisë menjëherë hetimin për ministrin e Brendshëm, gjuhë urrejtje ndaj qytetarëve

130

Deklaratë e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetarë!
Shqipëria dhe shqiptarët kanë përjetuar një nga momentet më të vështira në jetën e tyre në këtë dhjetëvjeçar të fundit dhe janë përballur, pa asnjë diskutim, me një katastrofë natyrore të dimensioneve të jashtëzakonshme dhe tragjike.
Humbja e jetës të qytetarëve, të 51 prej tyre, lëndimet e jashtëzakonshme dhe shkatërrimet e ndodhura në një zonë në shtrirje tepër të gjerë, sigurisht kanë përvijuar një pamje, të cilën askush nuk do donte ta shikonte kurrë.
Në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe emergjente, përgjegjshmëria e lartë, solidariteti i lartë, sakrificat, durimi dhe njëkohësisht bërja njësh me hallet e jashtëzakonshme e tmerrshme të mijëra qytetarëve, të cilët brenda pak minutave iu është shkatërruar jeta e tyre, pasi një pjesë e tyre kanë humbur të dashurit e tyre, një pjesë e tyre kanë humbur pasuritë e tyre të bëra me mund e me gjak, me sakrifica pafund, sigurisht i vë të gjithë përpara një ndjenjë reflektimi të thellë dhe përgjegjësie të lartë si asnjë herë më parë.
Megjithatë, në këtë situatë pa asnjë diskutim që aktori kryesor, institucional, kushtetues dhe në raportin e tij me qytetarin është, mbetet pa asnjë diskutim qeveria e Shqipërisë. Megjithatë të nderuar qytetarë, sjellja e qeverisë në raport me këtë fatkeqësi dhe katastrofë është sigurisht një sjellje që shqiptarët s’do donin ta shikonin sepse shqiptarët do donin të shikonin përulësi, fjalën e ngrohtë dhe dëshirën e jashtëzakonshme për të sakrifikuar dhe për të bërë gjithçka, por dhe sigurisht që presin siguri të mëdha nga qeveria për të ardhmen, për banesën e tyre dhe për rrezikun e jetës së tyre.
Megjithatë, ju ftoj të ndjekim pak sekonda një video ku demonstrohen sjelljet, fjala, qëndrimet shtetërore të Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, në raport me banorët e një nga qarqeve, në të cilat është shpallur fatkeqësia natyrore siç është qarku i Lezhës.
Ju ftoj ta ndjekim videon dhe rikthehemi sërish.
(VIDEO)
Të nderuar qytetarë, besoj që asnjë nga ju, jo nga qytetarët vëllezërit tanë, të cilët po përballen me këtë fatkeqësi të jashtëzakonshme, por dhe të tërë qytetarët shqiptarë, të cilët nuk janë pjesë e fatkeqësisë pasi zonat e tyre nuk janë prekur, nuk munden kurrën e kurrës të dëgjojnë një ministër i cili i thotë qytetarëve që janë përballur dhe janë viktima të tragjedisë që nuk ju kam asnjë borxh. Ministri me gojën plot iu thotë në mënyrë të përsëritur që nuk ju kam asnjë borxh. Pra ministri nuk i ka asnjë borxh qytetarëve për të cilët ka përgjegjësi publike dhe kushtetuese që të marrë përgjegjësi për ta. Pra të likuidojë, të bëjë gjithçka për borxhin që qeveria ka kundrejt qytetarëve. Me parat që qytetarët paguajnë qeverinë. Ndaj gjithçkaje që qytetarët duan që kjo qeveri të jetë në këmbë e t’iu shërbejë atyre. Por, sigurisht në këtë pjesë kemi atë që është raporti i zakonshëm që ky ministër ka pasur më qytetarët. Një raport armiqësor, raport të egër. Ju e dini që ai nuk ka hezituar të helmojë më gaz helmues fëmijë, të moshuar, pjesëmarrës në demonstrata, jo pjesmarrës në demonstrata, njerëz që qëndronin të qetë në rrugë, pra ky ministër është një ministër që i urren shqiptarët. Por mund ta kursente urrejtjen në këto ditë shumë të rënda fatkeqësie dhe të bëhej pak më i përgjegjshëm. Pak më njeri. Megjithatë, kjo është një çështje e qartë e raportit të tij moral me qytetarët. Çështja është më serioze, është shumë e rëndë me raportin e tij me ligjin. Prokuroria shqiptare është shumë vonë sot. Kur unë jam duke komunikuar këtu me ju të dashur qytetarë, pasi që dje duhet të kishte filluar çështjen penale ndaj një ministri i cili imponon ekspertët, teknikët, të thonë fjalën e tyre me siguri e t’u japin siguri qytetarëve që nëse kthehen në banesat e tyre nuk kanë rrezik për jetën e tyre, është shume qartë për këdo që një banesë e pa verifikuar mirë, një shkollë e pa verifikuar mirë, një ambient publik i pa verifikuar mirë do të thotë më pas humbje jete ashtu siç rezultoi dhe në tërmetin tragjik dhe të tmerrshëm të 26 nëntorit.
Ky ministër imponon pa pasur asnjë një tagër, as shtetëror, as profesional dhe të asnjë lloji tjetër zërin dhe ekspertizën teknike, e cila është e vetmja ajo që mund të marri përsipër me ligj një përgjegjësi të tillë dhe iu jep të kuptohet që nuk i duhet fare, që është ky që bën edhe ekspertin, që bën edhe inxhinierin e ndërtimit, që bën edhe arkitektin, që bën edhe urbanistin, por në dëm të kujt?
Në dëm të qytetarëve të cilët do të duhet të hynin pastaj me fjalën e papërgjegjshme të këtij ministri në shkelje flagrante me ligjin dhe të hynin në banesa të pasigurta të cilat mund të ishin burim i viktimave të tjera dhe i një dhimbjeje shumë të thellë dhe të madhe për ata vetë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.
Sot është koha që ligji të flasë, prokuroria nuk mund të hesht më, prokuroria nuk mund të vazhdoj më të jetë bashkë përgjegjëse dhe të shikojë sjellje, qëndrime, veprime në terren, anti-shtetërore, antiligjore, të bërë nga anëtarë të qeverisë duke u dhënë imunitet atyre në raport me rrezikun e jashtëzakonshëm që i shkaktohet qytetarëve për shkak të sjelljeve të tyre.
Sot është koha e reflektimeve të mëdha, solidaritetit të jashtëzakonshëm, afërsisë së jashtëzakonshme dhe fuqisë së veprimit të ligjit mbi këdo i cili ka përgjegjësi konkrete për situatën, për parandalimin e situatës, çështje të cilat do t’i rimarrim në ditët dhe javët që vijnë, por në rastin e këtij ministri do të fillonte hapin e parë për t’u dhënë të kuptojnë qytetarëve që një ministër i cili i thotë publikisht që nuk i ka asnjë borxh atyre dhe që njëherazi u kërkon ai në shkelje të ligjit të hyjnë në banesa të pasigurta, të provuara që janë të pasigurta, për këto Prokuroria është shumë vonë.
Prokuroria duhet të kishte filluar hetimin dhe ndjekjen penale që dje për këtë ministër, megjithatë, populli thotë më mirë vonë se kurrë të mos vazhdojë të thellohet në papërgjegjshmëri dhe të tregojë fuqinë dhe detyrimin që ka para qytetarëve. Bashkëfajësia është një faj nga i cili nuk shpëton dot askush. Ju faleminderit të gjithëve.