Vasili prezanton ndryshimet për projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”

514
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z,. Petrit Vasili ka prezantuar në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”. Duke shpjeguar risitë e kësaj nisme të grupit parlamentar të LSI-së, z. Vasili tha se qëllimi i këtij projektligjit është përfshirja e konceptit të “vlerësimit të alternativës” në aktin bazë që rregullon kompetencat e autoriteteve kontraktuese për të hyrë në marrëveshje koncesionesh sie dhe përfshirja e aktorëve të tjerë në dhënien e këtij vlerësimi.
“Nisma ka rrjedhur për disa arsye parimore. Së pari qëllimi më i mirë dhe kryesorë i saj është për të shtuar dhe maksimizuar transparencën në të gjithë procesin e partneriteti publik privat. Së dyti për të mundësuar që leverdishmëria, pra dobishmëria e tij në çdo rast ku ai aplikohet është e qartë dhe evidente, e kuptueshme dhe për opinionin e tërë publik i cili do të jetë më tej përfituesi përkatës i shërbimeve”, – tha z. Vasili, teksa risolli në vëmendje çështjen “Panama Papers”, duke theksuar se ky proces kërkon më shumë transparencë.
“Nën dritën e ngjarjeve më të fundit, siç qe fenomeni mbarë botëror tashmë i pagëzuar me emrin ‘Panama Papers’, transparencë e madhe, e plotë, maksimale dhe pa ekuivoke, evidenton qartë në procesin e përzgjedhjes, në partneritete publike dhe private, kompanitë, raportet që kompanitë kanë me fiskun, raportet që ata kanë me veprimtaritë e paligjshme, por edhe mundësinë që ato të penetrojnë në sistemin publik shtetëror nëpërmjet koncesioneve. Thënë ndryshe, partneritete publike private, duke mundësuar risqe të mëdha, por duke bërë gjithashtu pis procesin dhe të ardhmen e tij. Pra të gjitha këto elemente themelore ishin dhe mbeten një shtysë kryesore”,- shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së.
Më tej, z. Vasili deklaroi se institucionet më të rëndësishme financiare si FMN dhe BB kanë shprehur preokupacion për këto praktika dhe kanë evidentuar që transparenca është ajo që duhet të na udhëheqë.
“E fundit por jo më pak e rëndësishme është që të gjitha institucionet më të rëndësishme financiare që asistojnë vendin, më së pari FMN por edhe BB i janë kthyer e rikthyer me preokupacion kësaj praktike dhe kanë evidentuar që transparenca, një studim i plotë në mënyrë të veçantë i udhëhequr nga Ministria e Financave i fizibilitetit dhe bindja e plotë që kjo është zgjidhja më e mirë në çdo rast se sa format e tjera e përdorura më parë, janë ato që do të na udhëheqin. Kanë qenë pra preokupacion të vazhdueshme të rimarra nga të gjithë misionet përkatëse të këtyre organizmave të cilat duhet ta pranojmë, janë partnerët tanë kyç në pikëpamjet financiare, qoftë në vlerësimin financiar të ekonomisë por njëkohësisht edhe në atë që ekonomitë tjera shikojnë tek vendi ynë, duke marrë referim pikërisht relacionet e tyre. Dhe përsa i takon këtyre përfundimeve, edhe në raportin e fundit fare të FMN-së ngrihet përsëri e njëjta problematikë, do të më lejoni ta citoj frazën e përdorur ku thuhet se të gjitha propozimet për partneritet publik privat t’i nënshtrohen studimit të hollësishëm të fizibilitetit dhe analizës kosto për fitim”, – shtoi z. Vasili gjatë fjalës së tij para anëtarëve të komisionit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së theksoi se studimi duhet të vlerësohet nga Ministria e Financave përpara se sa ti jepet aprovim dhe se ndikimi që ka çdo partneritet publik-privat i ri në llogaritë fiskale të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare.
“Propozimi ka dy elementët thelbësorë. Së pari ngritjen e disa elementeve të mënyrës se si procedohet në partneritet publike private në nivelin e ligjit. Pra janë disa elemente të rregulluara me akte më të ulëta, siç janë aktet nënligjore, urdhëresa, urdhra dhe vendime të Këshillit të Ministrave. Së pari ngrihet në niveli ne ligjit, përcaktohen arritje, fiksohen atje. Por edhe e dyta, që është edhe thelbi i të tërë propozimit, është se edhe dy institucione të tjera përfshihen jo thjeshtë si dhënës mendimi, por si vendimmarrës dhe përkatësisht Ministria e Financave dhe Avokati i Popullit”, – tha z. Vasili teksa shpjegoi më tej arsyet: – “Arsyet janë shumë të thjeshta dhe të qarta. Së pari ashtu sikurse ngrihet me forcë në të gjitha konstatimet apo raportet edhe të partnerëve tanë financiarë më të rëndësishëm, vlerësimi i studimit të fizibilitetit, raportet në ekonomi që këto partneritete publike private kanë, leverdishmëria e tyre, risqet në të ardhmen, risqet nga vetë ata që i ofrojnë dhe raportet e këtyre risqeve me ekonominë kombëtare, e bëjnë mëse të natyrshme. Raporti i fundit i FMN-së, siç e citova dhe më lart, e evidenton qartë këtë nevojë. Bëjnë që Ministria e Financave të jetë pikërisht një nga tre aktorët, së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, në marrjen e një vendimi të tillë. Ky përcaktohet edhe si element”, – u shpreh z. Vasili.
Gjithashtu, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së nënvizoi se në momentin që këto partneritete shtrohen si temë për t’u diskutuar njëkohësisht bëhet e mundur që vlerësimi i përbashkët i këtyre aktorëve themelorë, të mundësojë që vendimi përfundimtar në rast se është pozitiv, është një vendim solid e që bind të gjithë.
“Në raportet e institucioneve ndërkombëtare i gjithë procesi i negocimit të kontratave të cilat eliminojnë dhe pakësojnë risqet dhe u dalin përpara të gjitha atyre që mund të jenë risqet eventuale për zbatimin tyre në të ardhmen. Por dhe në përditshmëri, e bëjnë të domosdoshme që ky rol të jetë i përcaktuar në ligj dhe ky aktor në këtë proces të jetë një aktor i rëndësishëm dhe aktiv që në momentin që këto partneritete bëhen, shtrohen si temë për t’u diskutuar dhe njëkohësisht bën të mundur që vlerësimi i përbashkët i këtyre tre aktorëve themelorë, të mundësojë që vendimi përfundimtar në rast se është pozitiv, është një vendim solid, një vendim që bind të gjithë. Bind në radhe të parë publikun gjerë, ai që do ta përfitojë shërbimin apo punën sepse në fund të fundit janë shërbime dhe punë të cilat jepen për një kohë shumë të gjatë, por njëkohësisht janë dhe shumë të kthjellët dhe për dobinë e kësaj gjëje”, – tha z. Vasili, duke shtuar se një moment tjetër i rëndësishëm i ligjit është padiskutim dhe kohëzgjatja e këtyre koncesioneve.
“Gjithashtu një moment tjetër i rëndësishëm i ligjit është padiskutim dhe kohëzgjatja e këtyre koncesioneve. Ne kemi propozuar, bazuar mbi një bindje të plotë e kemi bërë këtë propozim, që ratifikimi i këtyre marrëveshjeve koncesionare, të cilat pra tashmë do ta kenë miratimin e këtyre tre institucioneve tashmë, sipas propozimit që bëhet, të ratifikohet dhe në parlament. Arsyeja e këtij ratifikimi dhe ngritja në një nivel kaq të lartë është shumë e qartë dhe evidente. E ka një qëllim të mirëpërcaktuar dhe që lidhet pikërisht me sigurimin dhe maksimizimin e garancive ligjore dhe financiare për investitorët privatë në lidhje me këto projekte afatgjata. Njëkohësisht është një imponim i një përgjegjësie politike shtetërore afatgjatë dhe detyrimi i zbatimit korrekt të këtyre marrëveshjeve koncesionare ndër vite, pavarësisht ndryshimeve të karakterit politik. Qëndrojmë në mënyrë të veçantë në këtë pikë pasi një analize gjakftohte e një partneriteti publik-provat, e qartë dhe shteruese, nuk do të linte vend në asnjë mënyrë për një debat politik”, – u shpreh z. Vasili. Deputeti i LSI-së theksoi se debatet ideologjike politike janë debate të paevitueshme dhe janë debate të mirëpritura në plurarizëm ku palët ndajmë ideologji, ndajmë edhe qasje të ndryshme, por lidhur me dobishmërinë e një zgjidhje të caktuar, sigurisht debatet minimizohen dhe detyrimet për të qenë korret janë ato që mbizotërojnë.
“Ne për fat keq, kemi asistuar, jemi bërë me apo pa dashje pjesëtar të betejave të tilla. Beteja për koncesionet është shndërruar në një betejë permanente, kohëgjatë që shtrihet në mazhoranca të ndryshme dhe në opozita të ndryshme duke përdorur në mënyrë simetrike të njëjtat lloje argumente, ndërkohë që s’duhet të bëhet fjalë për një temë e cila vetëm shërben si një objekt debati, por duhet të ishte vetëm si një mundësi për të zgjidhur më mirë disa shërbime që jepen me cilësi të ulët dhe mundësohet të jepen me cilësi më të lartë, më të re dhe më pozitive. Njëkohësisht ka qenë një preokupacion që është ngritur nga opozita e djeshme, mazhoranca e sotme, për një transparencë më të madhe dhe për konsultimin e Parlamentit dhe me shumë të drejtë deputetë të opozitës së djeshme kanë kritikuar mazhorancën e djeshme pse një pjesë e mirë e koncesioneve nuk vinin në Parlament dhe vetëm një apo dy prej tyre kanë kaluar në Parlament. Unë besoj që kjo kritikë e bërë dje merr një përgjigje sot pasi të gjitha këto do të kenë mundësi të dëgjohen të debatohen dhe të ratifikohen në Parlament dhe i tërë opinioni publik ka mundësi në mënyrë shumë transparente të dëgjojë që kjo zgjidhje ka qenë më e mirë për situatën në të cilën kanë ardhur dhe kanë rrjedhur gjërat”, – deklaroi z. Petrit Vasili.
Duke u ndalur të zbatimi i kontratave, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së tha se të gjithë duhet të marrin mesazhin, që përveç detyrimit të panegociueshëm për zbatimin e kontratës me përpikmëri, nuk ka risqe të tjera të karakterit politik.
“Nuk është normale që një nismë e caktuar t’i qëndrojë si Shpata e Demokleut mbi kokë ideja që mazhoranca që do të vijë nesër mund ta prishi, ta anulojë e ta hedhe në koshin e plehrave këtë nismë të caktuar. Ndaj për t’i dhënë fund një debati të tillë politik edhe anakronik, por edhe shterpë, që nuk prodhon asgjë, ndërsa nga ana tjetër qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe kjo është arsyeja pse një marrëveshje koncensionare merret ne kemi propozuar që pikërisht këto koncesione që kalojnë afatin e katër viteve. Ndërsa është një detyrim duke qenë se mandatet janë 4-vjeçare të afektojnë mandate të tjera. Për këtë arsye ne kemi propozuar ratifikimin në Parlament dhe së bashku me këtë aktet e tjera nënligjore që do të pasojnë do të kenë patjetër ato sugjerime që Banka Botërore dhe FMN-ja bëjnë qoftë për evidentimin e saktë të regjistrit të këtyre koncesioneve, të detyrimit të monitorimit kohë pas kohë, evidentimit të problemeve kohë pas kohe, të qartësimit të këtyre kontratave në rast mosrespektimit ndaj palëve, në mënyrë që të evitohet gjithashtu përkeqësimi i vazhdueshëm i respektimit të kontratës dhe të qenit rob i lidhjes së një kontrate në mënyrë të gabuar, të bëjë që ne të vazhdojmë të marrim shërbime të këqija si qytetarë, por tashmë peng i një kontratë koncensionare të re”, – deklaroi z. Vasili.
Në fund të prezantimit të tij, deputeti i LSI-së tha se në këtë mënyrë procesi i koncensionimit futet në hullinë e duhur dhe bëhet transparent, duke mos u bërë viktimë “off-shore”-sh.
“Por e bëjmë një instrument në dobi të shqiptarëve të cilëve do t’u shërbehet më mirë dhe së treti, të gjithë ata privatë të cilët do të donin të bëheshin pjesë e partneritetit publik-privat do të shikonin veten e tyre si biznese, që morën të drejtën për një shërbim. Nuk janë të rrezikuar që dikush nesër në mënyrë të dhunshme mund t’ua prishë, por marrin edhe detyrimin për respektimin e detyrimit me përpikëmri dhe me kualitet të lartë dhe asgjë më shumë se sa kaq. Në këtë mënyrë ne shterojmë këtë debat dhe orientojmë edhe debatin politik në çështje më ta mëdha që kërkojnë e presion përgjigje”, – përfundoi z. Petrit Vasili prezantimin e tij.
Sigal