Vasili pret Ministrin e Drejtësisë të Landit të Bavarisë, diskutojnë për reformën në drejtësi

501
Ministri i Drejtësisë,  Petrit Vasili ka pritur sot në një takim Ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Landit të Bavarisë, Winfried Bausback, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në nisje të takimit, Ministri Vasili ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Gjermaninë në mjaft sektorë dhe fusha më rëndësi, ndërsa theksoi se vijimi i kësaj mbështetje do të ishte një premisë mjaft pozitive drejt arritjes së standardeve më të mira për Shqipërinë.
Duke iu referuar zhvillimeve politike në përgjithësi dhe veçanërisht atyre në sistemin e drejtësisë, Vasili e ka konsideruar mjaft të duhur momentin e zhvillimit të kësaj vizite, duke e vlerësuar atë si një hap të mëtejshëm drejt konsolidimit të partneritetit në të ardhmen.
Lidhur me stadin aktual të reformës në drejtësi, Ministri Vasili u shpreh se ajo ndodhet në një periudhë tranzicioni, të ndikuar edhe nga zhvillimet politike.
“Reforma në drejtësi mbetet një proces në vazhdimësi dhe padyshim që përmirësimi i kulturës së komunikimit politik do të kishte një impakt mjaft pozitiv në ecurinë e mëtejshme dhe të shpejtë të saj. Ministria e Drejtësisë do ta mbështesë procesin dhe është e gatshme të bëjë gjithçka që Kushtetuta ia lejon”, u shpreh ndër të tjera Ministri Vasili 
Ndërkohë, Bausback shprehu vullnetin pozitiv që vendi ynë të mund ta konkretizojë me sukses këtë sfidë madhore. 
“Uroj që Shqipëria të zhvillohet me ritme të shpejta dhe një parakusht për këtë qëllim është edhe ndërtimi i një sistemi drejtësie të konsoliduar, i cili do të garantonte efektivitet në sektorët më jetikë të vendit, sidomos në fushën e investimeve”, u shpreh Ministri Bausback
Ministrat Vasili dhe Bausback kanë ndarë sëbashku idetë rreth përballjes me disa sfida madhore që kërcënojnë rendin dhe sigurinë në të dyja vendet, sikurse narkotrafiku, krimi i organizuar, ai kibernetik etj; si dhe mundësitë e luftës kundër tyre, me qëllimin final forcimin e shtetit ligjor. 
Në vijim të takimit është diskutuar mbi disa nisma konkrete që pritet të finalizohen falë mbështetjes dhe ofrimit të ekspertizës bavareze në disa sektorë të drejtësisë, sikurse sistemi peniteciar, etj.
Sigal